2015-02-01 11:48:15

Shenjtorët e javës


E diel 1 shkurt, Kisha katolike kremton të dielën e 4-të gjatë vitit liturgjik, gjithnjë më 1 shkurt, kalendari kujton shën Brigjidën, abateshë në Irlandë.
Liturgjia e ditës na kujton se Dymbëdhjetë Apostujt, të thirrur nga Jezusi, nisin misionin e shëlbimit: predikojnë pendesën dhe mbretërinë e Hyjit, pastrojnë zemrat njerëzore nga e keqja, kujdesen për ata që vuajnë. Janë të dërguar për të dëshmuar jetën, duke u bërë shembull e model për të krishterët e të gjitha kohërave.

Të hënën më 2 shkurt,
do të kremtohet Paraqitja e Krishtit në tempull, që ndër shqiptarë njihet edhe si festa e Zojës së qirave.
Liturgjia e kësaj feste na çon në skenën biblike ku, të mbyllur brenda mureve të Tempullit, Simeoni e Ana, sipas Ligjit, presin dritën dhe shpëtimin. Por Jezusi nuk do të kufizohet brenda mureve. Zoti do të përshkojë udhët e botës për të shpëtuar mbarë njerëzimin.

Të martën më 3 shkurt,
kalendari përkujton Shën Vlashin.
Liturgjia e ditës na kujton se Zoti është bariu i çdo besimtari: kush ecën pas tij, nuk ka frikë nga askush, nuk i mungon asgjë!

Të mërkurën më 4 shkurt, kalendari kujton Shën Eutikin, martir e Shën Jozefin nga Leonesa, meshtar kapuçin.

Të enjten më 5 shkurt,
kalendari kujton Shën Agën, virgjër e martire; Shën Adelajden, abateshë e Shën Elizabeta Kanorin, nënë familjeje.
Liturgjia e festës së shenjtoreve na mëson se të gjithë ata që e preknin Jezusin, shëroheshin. E të prekësh do të thotë të jesh afër. Afërsia, formë e parë dhe themelore e marrëdhënieve me tjetrin, na kujton se edhe feja është lidhje e drejtpërdrejtë e personale me Hyjin. E ndërsa jemi në bashkim me Zotin, ai vetë na nxit t’i qëndrojmë pranë edhe të afërmit.

Të premten më 6 shkurt,
kalendari kujton Shën Pal Mikit me shokë, martirë japonezë dhe Shën Dorotesë, virgjër e martire.
Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi është kundër sjelljeve formale, kundër dokeve e zakoneve meskine, krijuar nga traditat njerëzore, që ndryshojnë me kohë, sepse e zvogëlojnë shpirtin e njeriut. Zoti do që njeriu të ecë në rrugën e së mirës me vetëdije e liri të plotë.

Të shtunën më 7 shkurt,
kalendari kujton shën Partenin, shën Rikardin e të Lumin Piun IX, Papë.
Liturgjia e ditës na kujton se dishepujve që nuk arrijnë ta kuptonin Jezusin, shën Marku ungjilltar i kundërvë ata njerëz, që e njohin menjëherë Krishtin dhe ngarendin drejt Tij, pasi e shihnin tek Ai “shpëtimin”. Ungjilli i kësaj dite na i hap sytë për të kuptuar se ku dhe çfarë duhet të shohim.

Të dielën e ardhshme më 8 shkurt, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 5-të gjatë vitit e po më 8 shkurt, kalendari kujton edhe Shën shën Jeronim Emilianin e shën Jozefina Bakiten.
Leximet biblike të kësaj dite na mësojnë se ligjet rituale janë të rëndësishme e duhen respektuar, por nuk duhet të bëhen pretekst për të kapërcyer Urdhërimet e Tënzot. Kjo do të ishte hipokrizi.







All the contents on this site are copyrighted ©.