2015-02-01 15:20:35

Papa Françesku njofton se më 6 qershor do të shtegtojë në Sarajevë


Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, njoftimi i papritur i Papës Françesku për shtegtimin e tij të ardhshëm në Sarajevë më datën 6 qershor. Në katekizëm, thirrja drejtuar gjithë të krishterëve që të jenë “dëgjues” e “kumtues” të Fjalës së Hyjit.
Të shtunën, më 6 qershor, në dashtë Zoti, tha Papa Françesku, do të shkoj në Sarajevë, kryeqytet i Bosnjë-Hercegovinës:Ju kërkoj që tani të luteni, që vizita ime në gjirin e këtyre popullsive të dashura, të jetë inkurajim për besimtarët katolikë, të nxisë tharmet e së mirës e të kontribuojë për forcimin e vëllazërisë e të paqes”.
Njoftimi për shtegtimin papnor në Sarajevë, përballë mijëra besimtarëve mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan për lutjen e Engjëllit të Tënzot, u dha menjëherë pas lutjes mariane. E do të jetë shtegtimi i 11-të i Papës Françesku, në dy vjet papnie, i treti i këtij viti, pas Sri Lankës e Filipineve, janarin e kaluar e Napolit, parashikuar për 21 marsin e ardhshëm. Më pas Papa Françesku do të shkojë në Torino, më 21 qershor, me rastin e Ekspozimit të Sindonës dhe në SHBA, për takimin e 8-të botëror të familjeve, që do të kremtohet në Filadelfia, nga 22 deri më 27 shtator.
Në komentin e Liturgjisë së Fjalës së Zotit të kësaj së diele, Papa Françesku, i frymëzuar nga Ungjilli i ditës, nënvizoi se Fjala e Hyjit duhet të zërë vendin e parë në jetën e të krishterit. Ajo duhet dëgjuar, duhet mirëpritur e duhet kumtuar. Siç rrëfen Shën Marku ungjilltar, Jezusi, pasi hyn në Kafarnao, qyteti më i madh i Galilesë, me bashkësinë e tij të vogël, nuk ngurron të shkojë menjëherë në sinagogë:
Jezusi nuk e shtyn kumtimin e Ungjillit për më vonë, nuk mendon më parë të gjejë strehën, natyrisht të nevojshme, për bashkësinë e tij të vogël, nuk humbet kohë me punë organizative. Shqetësimi i tij kryesor është komunikimi i Fjalës së Hyjit, me forcën e Shpirtit Shenjt. E njerëzia e sinagogës mbetet me gojë hapur, sepse Jezusi jepte mësim si një që ka autoritet, e jo si skribët”.
Por, ç’do të thotë “me autoritet”? Do të thotë se në fjalët njerëzore të Jezusit, ndjehej gjithë forca e Fjalës së Hyjit, ndjehej autoriteti i vetë Hyjit, frymëzues i Shkrimeve të Shenjta. Ndjehej Fjala e Zotit, e cila e realizon, atë që thotë:
Sepse Fjala e Hyjit përkon me vullnetin e Tij. Ndërsa ne, shpesh, shqiptojmë fjalë boshe, pa rrënjë, ose fjalë të kota, që nuk përkojnë fare me të vërtetën. Ndërsa Fjala e Hyjit përkon plotësisht me të vërtetën, shkrihet me vullnetin e Tij, e bën, atë që thotë”.
“Ungjilli është Fjala e jetës”. Nuk i shtyp njerëzit, përkundrazi, i çliron ata, që janë skllevër të shpirtrave të këqinj të kësaj bote: të kotësisë, lakmisë për para, krenarisë, sensualizmit… Ungjilli e ndryshon zemrën, e ndryshon jetën, i shndërron prirjet për të bërë keq, në mendime për të bërë mirë”. Ungjilli është në gjendje t’i shndërrojë njerëzit:
Mos harroni! Lexojeni një fragment të Ungjillit çdo ditë. Është forcë që ndryshon, që shndërron: ndryshon jetën, ndryshon zemrën”.
Prej këndej, thirrja e Papës Françesku drejtuar gjithë të krishterëve për t’u bërë misionarë e kumtues të Fjalës së Hyjit e, në përfundim, lutja drejtuar Zojës së Bekuar: “Na mësoftë Ajo të jemi dëgjues të zellshëm e kumtues autoritarë të Ungjillit të Jezusit”.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi Ditën kombëtare për jetën, kremtuar sot, në Itali, duke e i vlerësuar lart të gjithë ata, që e mbrojnë jetën njerëzore si dhe ata, që angazhohen në promovimin e kulturës së jetës:
Kur ia hapim portat jetës dhe i shërbejmë jetës, ndjehet forca revolucionare e dashurisë dhe e dhembshurisë, duke përuruar një humanizëm të ri: humanizmin e solidaritetit, humanizmin e jetës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.