2015-01-30 14:44:16

Letër e krerëve fetarë amerikanë për presidentin Obama: paqe në Lindjen e Mesme


Quhet “Nili” e do të thotë “Nisma kombëtare ndërfetare për paqen në Lindjen e Mesme”. Bëjnë pjesë në të krerët fetarë të krishterë, hebrenj e myslimanë të SHBA-ve. Kisha Katolike, në veçanti, përfaqësohet nga kryetari i Komisionit ipeshkvnor për Drejtësinë e Paqen ndërkombëtare, imzot Oscar Cantù dhe nga kryeipeshkvi i nderit i Uashingtonit, kardinali Theodore McCarrick. Janë ata, që nënshkruan, së bashku me 11 eksponentë të krishterë, 11 hebrenj, e 9 myslimanë, një letër të hapur për kreun e Shtëpisë së Bardhë, Barack Obama. Në qendër të letrës, kërkesa për përpjekje më të mëdha e më të vendosura të SHBA-ve në favor të zgjidhjes së konfliktit izraelito-palestinez. Liderët fetarë kërkojnë që të arrihet marrëveshja, para se të jetë vonë.

Nuk ka zgjidhje ushtarake, duhet marrëveshje ndërmjet palëve
“Nuk ka zgjidhje ushtarake për një konflikt të tillë – lexohet në letër. Nëse nuk arrihet një marrëveshje, ka rrezik që aksionet e njëanshme dhe dhuna e mëtejshme të sjellin një luftë tjetër”. Ndeshjet e fundit në Jeruzalem tregojnë se thirrjet për t’u ulur në tryezën e bisedimeve, të vetme, nuk mjaftojnë. Prandaj, nënshkruesit e letrës theksojnë se marrëveshja e paqes për njohjen e ndërsjellë të dy shteteve do të pranohej nga shumica e izraelitëve dhe e palestinezëve, nëse do të paraqitej nga liderët përkatës si e vetmja alternativë në krahasim me luftrat e dhunën e mëtejshme.

Paqe, siguri e njohje e ndërsjellë
Sipas krerëve fetarë të të tria feve, nevojiten ide praktike e të arsyeshme për zgjidhjen e problemeve, që kanë të bëjnë me kufijtë, sigurinë, ngulimet hebraike, refigjatët dhe me të ardhmen e Jeruzalemit. Ata i bëjnë thirrje presidentit amerikan të autorizojë Sekretarin e Shtetit, John Kerry për t’u paraqitur autoriteteve izraelite dhe palestineze një kuadër të ekuilibruar e të plotë, që të shërbejë si bazë për bisedimet mbi fundin e konfliktit dhe arritjen e marrëveshjes për dy shtete të pavarura.

Mbështetja e kishave, sinagogave dhe xhamive
Natyrisht, përfundojnë nënshkruesit, kjo nismë për paqen ka nevojë të mbështetet fuqimisht e publikisht, sidomos nga bashkësitë fetare, prandaj, eksponentët e krishterë, hebrenj dhe myslimanë “impenjohen të mobilizojnë kishat, sinagogat dhe xhamitë në SHBA-të”, duke u vënë në dispozion edhe të një takimi me Kerry-n, për të diskutuar veçoritë me të cilat krerët fetarë mund të japin ndihmesën e tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.