2015-01-30 11:17:10

Imzot Marini: Papa modifikon ritin e dorëzimit të palios, shenjë bashkimi me selinë Apostolike


Në një letër, dërguar të gjitha nunciaturave apostolike, datuar 12 janar 2015, mjeshtri i kremtimeve papnore, imzot Guido Marini, njofton vendimin e Papës Françesku për të modifikuar mënyrën e dorëzimit të Palios kryeipeshkvijve metropolitë. Rripi prej leshi të bardhë, që simbolizon delen e humbur, të gjetur e të vendosur mbi shpatullat e Jezusit, Bariut të Mirë, dhe simbolin e bashkimit të kryeipeshkvijve metropolitë me Selinë Apostolike të Romës, do të dorëzohet në selitë vendore të dioqezave e nuk do të vendoset nga Papa, sipas traditës, më 29 qershor, në solemnitetin e Shenjtorëve Pjetër e Pal në Vatikan. Pra simboli Palio-s do të vendoset mbi supet e kryipeshkvijve në dioqezat e tyre të origjinës, nga nuncët (ambasadorët) apostolikë të vendit. Imzot Guido Marini flet për domethënien e këtij vendimi të Papës Françesku, në mikrofonin e Radio Vatikanit:

Përgjigje: - Kohët e fundit, Ati i Shenjtë - pasi reflektoi - vendosi t’i bëjë një modifikim të vogël ritit tradicional të vendosjes së palios mbi supet e kryeipeshkvijve metropolitë, emëruar vitin e kaluar. Modifikimi është ky, që pason: palio, zakonisht, vendosej mbi supet e kryeipeshkvijve me rastin e solemnitetit të Shën Pjetrit e të Shën Palit, nga vetë Ati i Shenjtë. Duke nisur nga 29 qershori i ardhshëm, me rastin e solemnitetit të Shenjtorëve Pjetër e Pal, kryeipeshkvijtë, si zakonisht, do të jenë të pranishëm në Romë, do të bashkëkremtojnë me Atin e Shenjtë, do të marrin pjesë në ritin e bekimit të paliove, por jo në atë të vendosjes mbi supe. Palion, që u është caktuar, do ta marrin në një formë të thjeshtë e private nga Ati i Shenjtë. Palio do të vendoset, pastaj, mbi supet e kryeipeshkvijve, në dioqezat të cilave u përkasin, domethënë, në një çast të dytë, në praninë e Kishës vendase e, posaçërisht, të ipeshkvijve të dioqezave sufragane, shoqëruar nga besimtarët e tyre.

Pyetje: - Ç’kuptim ka ky modifikim?

Përgjigje: - Kuptimi i modifikimit është se vë më shumë në dukje lidhjen e kryeipeshkvijve metropolitë, të sapoemëruar, me Kishën e tyre lokale. Domethënë u krijohen shumë më tepër mundësi besimtarëve, që të jenë të pranishëm në këtë rit kaq domethënës për ta, e posaçërisht, ipeshkvijve të dioqezave sufragane, të cilët kështu mund të marrin pjesë në çastin e vendosjes së palios. Në këtë kuptim ruhet e gjithë domethënia e kremtimit të 29 qershorit, që nënvizon lidhjen e bashkimit, edhe të bashkimit hjerarkik, ndërmjet Atit të Shenjtë dhe kryeipeshkvijve të rinj; në të njëjtën kohë gjithë kësaj i shtohet, me një gjest domethënës, kjo lidhje me kishën vendase.

Pyetje: - Mund të themi se kemi të bëjmë me një gjest, që nuk e zbraz, por e pasuron kuptimin e bashkimit….

Përgjigje: - Natyrisht: e pasuron me këtë kuptim, sigurisht shumë të bukur, që shoqërohet me tjetrin, duke ruajtur tërësinë e thellësinë e tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.