2015-01-30 18:18:08

Fundjava festive në Kishën katolike, nga Vatikani, nëpër botë


Vatikan: Papa, si zakonisht kremtoi, në mesditë, lutjen e Engjëllit të Tënzot.
Ndërsa nesër, në Bazilikën e Vatikanit, do të kryesojë një Meshë solemne, në festën e Paraqitjes së Zotit në Tempull, në përkim edhe me Ditën e 19-të të Jetës Rregulltare.

Italia kremtoi sot Ditën e 37-të për mbrojtjen e jetës. Me këtë rast Konferenca ipeshkvnore italiane botoi një mesazh me temë; “Solidarë për jetën”.

Më 1 deri më 7 shkurt kremtohet Java botërore e harmonisë fetare, themeluar nga OKB-ja për të përhapur mesazhin e harmonisë fetare e të vullnetit të mirë në kisha, xhami, sinagoga, tempuj e vende të tjera kulti, bazuar mbi dashurinë për Zotin e për të afërmin ose mbi dashurinë për të mirën, secili sipas traditave, ndjeteve e bindjeve fetare, në mbarë botën.

Në Sudanin e Jugut vijon triditshi i lutjes për jetën rregulltare, nisur dje, organizuar nga Shoqata e Eprorëve rregulltarë të Sudanit jugor (Rsass).
Dje u organizua shtegtimi në këmbë, me pjesëmarrjen e të gjithë besimtarëve, nga Katedralja e Shën Terezës së Kartorit, në Kishën e Gjithë Shenjtorëve, në Rejaf. Gjatë këtij shtegtimi u kremtua edhe 100-vjetori i themelimit të dioqezës së Jubës.
Ndërsa sot, 1 shkurt, kryeipeshkvi i qytetit, imzot Paolino Lukudu, kryesoi një Meshë falënderimi në Katedrale.
Kremtimet do të arrijnë kulmin nesër, 2 shkurt, në Ditën e Jetës Rregulltare, që do të kremtohet me një çast lutjeje në Comboni hause.

Torino kremtoi 200-vjetorin e lindjes së birit të vet shenjt, Dom Gjon Boskos, me tri Meshë solemne.
E para, kremtuar paraditen e së shtunës në bazilikën e Zojës Ndihmtare, u kryesua nga kryeipeshkvi i qytetit, imzot Cesare Nosiglia.
Më pas, Mesha e dytë për të rinjtë, bashkëkremtuar nga dom Angel Artime, Rektor i madh i Salezianëve.
E treta, Mesha për familjen saleziane, me përsërtijen e premtimeve të bashkëpunëtorëve, kryesuar nga don Enrico Stasi, inspektor i salezianëve në Piemont.

200-vjetori i lindjes së Dom Boskos u kremtua edhe në Shqipëri, ku tashmë prania e rregulltarëve salezianë ndjehet fort, posaçërisht në fushën e edukimit të të rinjve dhe të zhvillimit të tyre të gjithanshëm.
Kremtimet iu afruan kulmit dje, në Kishën e Shën Gjon Boskos, në Breglumas, ku përfundoi triditshi i lutjes, i nisur që më 28 janar. Ndërsa sot, 1 shkurt, në orën 10.00, u kremtua Mesha solemne, kryesuar nga imzot Gjergj Frendo, ipeshkëv-ndihmës i kryedioqezës së Tiranë-Durrësit.
Veprimtari tjetër, që u ndoq me interes, ishte ajo e 31 janarit: takimi me ish–nxënësit e Qendrës Dom Bosko. Në oratorin dhe qendrën rinore, u ndoqën lojrat dhe programi argëtues për të gjithë.
Në orën 19.00, në famulli, u kremtua Mesha solemne kushtuar Dom Boskos, kryesuar nga Nunci Apostolik, imzot Ramiro Moliner Ingles.
Ishin veprimtaritë që mbyllën më se një javë, kushtuar 200-vjetorit të lindjes së Shën Gjon Boskos.
Nga data 10 janar 2015 nisi Kampionati i futbollit dhe i volejbollit, me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollës Dom Bosko.
Më 26 janar u zhvillua Konkursi për klasat e dhjeta të nxënësve të po kësaj shkolle, që vijoi me klasët e 11-ta (27 janar), për të përfunduar me finalen dhe ndarjen e çmimeve (28 janar).
Më 29 janar, festa e veprimtarisë së Tiranës, me paraqitjen e jetës së Dom Boskos, programin artistik dhe takimin e bashkësisë edukative baritore, për të dëgjuar porosinë e Rektorit Madhor, dom Angel Fernandez Artime.

Në SHBA katolikët përshëndetën përjashtimin e financimit publik për abortin. Kardinali O’Malley e quajti hap vendimtar për respektimin e jetës së pa dalë ende në dritë, që pasqyron vullnetin e popullit amerikan. Prej këndej, prelati i lartë është njëmendjeje me qëndrimin e Dhomës së Përfaqësuesve, për miratimin e “Aktit të plotë të vitit 2015 për mosfinancimin e abortit nga taksapaguesit”.
Ligji pasqyron vullnetin e shumicës së amerikanëve, që mendojnë se shteti nuk mund t’i përdorë fondet publike për të ndihmuar e për të nxitur ndërprerjen vullnetare të shtatzanisë, duke i detyruar taksapaguesit të financojnë këtë tip të shëmtuar dhune.

Në Nigeri vijon sulmi i Boko Haram për pushtimin e fshatrave të tjera në verilindje, ku po kryhen mizori të padëgjuara në historinë e vendit afrikan. Nuk dihet ende mirë numri i viktimave. Fanatikët u përpqën të hyjnë edhe në Maiduguri, kryeqytet i Shtetit Borno, por u sprapsën nga ushtarët.
Ndërkaq kishat e zonave të sulmuara janë katandisur në rrënoja: elterë të thyer, banka të djegura, tavane të shembura, shtatore të copëtuara. Kjo është pamja e kishave në Niger, pas sulmit të manifestuesve fanatikë kundër karikaturave të botuara në Paris nga Charlie Hebdo! Në shumicën e kishave, famullitarët po kremtojnë nën qiell të hapur, pa paramente liturgjike, djegur bashkë me mjediset e kishës. Dëmet e shkaktuara deri tani, arrijnë në më se 2 milionë euro. Për t’i rindërtuar famullitë e për të ndrequr dëmet e shkaktuara, besimtarët vendosën të japin një pjesë të rrogës, ose të dhurojnë materialet e nevojshme për rindërtimin e kishave.
Kryeipeshkvi i Niamy mendon se duhen rindërtuar jo vetëm objektet, por, mbi të gjitha, duhet ngritur përsëri në këmbë vëllazërimi e dialogu ndërmjet feve, sepse kryesisht këtë synojnë ta kthejnë në gërmadhë fanatikët e Boko Haram.
Ipeshkvi i Loppo e i Niamy këto ditë vizituan të gjitha famullitë, për të çuar kudo mesazhin e paqes e të faljes.
Të enjten e kaluar të gjithë meshtarët e kryedioqezës u mblodhën për një kremtim simbolik para shtatores së Zojës së Bekuar, që ndodhej në famullinë e Shën Agostinit, dëmtuar rëndë nga zjarri. Shatorja është një nga objektet e rralla të përshpirtërisë, që shpëtoi pa u shkrumbuar. Besimtarët e shikojnë si simbol të të gjitha shtatoreve të copëtuara në kishat e djegura, Zojën që shpëtoi, Nënën e Krishtit, që shpresohet se do t’i shpëtojë bijtë e saj nigerianë nga gjithë kjo tragjedi, tronditëse për mbarë njerëzimin vullnetmirë. Në këtë vend të kallur flakë, imzot Kaigama, kryetar i Konferencës ipeshkvnore, pohon: “Boko Haram dëshiron të vrasë edhe dialogun, ndërsa të krishterët po bëjnë ç’është e mundur të forcojnë miqësinë dhe vëllazërinë tradicionale me myslimanët”.

Në Pakistan bashkësia katolike galdon për shugurimin e një kishe të re, kushtuar Shën Terezës Benedikta e Kryqit, në Pansara, dioqeza e Faisalabadit, në Punjabin pakistanez. Njoftimin e jep, për agjencinë Fides, atë Emmanuel Parvez, famullitar i Pansarës, qytezë 25 km larg Faisalabadit. Kremtimin e kushtimit e kryesoi ipeshkvi i Faisalabadit, imzot Joseph Arshad.
Kisha e re u ndërtua edhe me ndihmën e kishës italiane si dhe me përpjekjet e bashkësisë së krishterë vendase. Kjo bashkësi e vogël, por plot gjallëri, u jep një ndihmesë të ndjeshme famijeve të varfra, kryesisht duke u siguruar punë të lirë e dinjitoze.

Në Egjipt qeveria vë në dispozicion të të krishterëve koptë troje për ndërtimin e kishave të reja. Rreth 30 hektarë toke iu dhuruan patriarkatit kopt për të ndërtuar struktura e zyra të lidhura me Katedralen kairote të Shën Markut. Tri troje të tjera më të vogla, u dorëzuan për të ndërtuar tri kisha të reja (dy kopte-ortodokse e një kopte ungjillore), në tri lagje të ndryshme të Kairos. Në deklaratat e ministrit të ndërtimit, Mostafa Madbouly, rimarrë nga agjencia Fides, theksohet se këto troje jepen për të plotësuar nevojat baritore të bashkësive, në respekt të plotë me ligjshmërinë që rregullon aktualisht ngritjen e ndërtesave të kultit.







All the contents on this site are copyrighted ©.