28 janar 1704 miratimi i dokumenteve të Kuvendit të Arbënit
Më 28 janar të vitit të largët 1704 Kongregata e atëhershme e Vatikanit “Propaganda
Fide” (Propaganda e Fesë), sot Kongregata për Ungjillëzimin e Popujve, miratonte botimin
e dokumenteve të Koncilit të I kishtar të Arbërit, apo mbledhjes së parë të klerit
katolik shqiptar, që u mbajt në fshatin Mërçi të qytetit të Lezhës. Kuvendi apo
Koncili kishtar i Arbërit që u mbajt në Kishën e Shën Gjonit të Merçisë, tri kilometra
në veri të Lezhës, nën drejtimin e Imzot Vinçenc Zmajeviçit, ishte me rëndësi të jashtëzakonshme
për fatet e Kishës katolike në trojet shqiptare e të gjuhës shqipe. Ishte data 14
janar e Kuvendi do të vijonte edhe të nesërmen më 15 janar. Më 28 janar të
vitit të largët 1704 Kongregata për Ungjillëzimin e Popujve, që njihej me emërtimin
latin "Propaganda Fide" miratonte botimin e dokumenteve të këtij Konçili kishtar. Asokohe
në fronin e Shën Pjetrit ishte ulur Papa shqiptar, Kelmendi XI, i cili i pati kërkuar
Imzot Vinçenc Zmajeviçit, Kryeipeshkëv i Tivarit, të kryente vizitën kanonike në të
gjitha kishat dhe qendrat katolike të Shqipërisë. Pas vizitës, që e kreu brenda tre
muajve; në dhjetor të vitit 1703, prelati Zmajeviç mblodhi në Kuvend kryetarët e klerit:
5 ipeshkvijtë e dioqezave të vendit dhe provincialin e françeskanëve. Në përfundim,
vendimet e Koncilit të Arbnit, shkruar në shqip e latinisht nga vetë Imzot Zmajeviçi,
iu paraqitën për shqyrtim Papës dhe, pas miratimit më 28 janar 1704, u botuan nga
Propaganda Fide nën titullin "Kuvendi i Arbnit o Koncili Provinciall i mbledhun
Vjetit mijë shtaqind e tre ndenë Shqiptarin Klementin XI papë Pretëmadhin". Imzot
Zmajeviçi i përcillte dokumentet me një letër, përmes së cilës shihet qartë se
kleri katolik shqiptar i qëndroi pranë në gaz e në vaj popullit të vet dhe i parapriu
rilindjes së tij kombëtare. Me që kanë kaluar mase treqind vjet që kur u shkrua, u
detyruam ta prekim paksa gjuhën e saj, për ta bërë të kuptueshme për lexuesin: “Urdhnove,
o i Lumtuni Atë, me të vizituem Apostolik, të vërej mbi Kishat e Arbënisë së provinçës
seme. Ju binda urdhënit; ju solla dheut; kërkova rruzullimin; pashë plagët e tij.
Pashë, - uh, ç'dhimbje, - vu nën haraç atë që dikur kje despoti i Provincjave; (pashë)
(Shypninë) Zonjën e gjindëve ndrydhë nën thember, me dhimbje të idhta; shqytin e trimave
– shembë; murin e forcës sonë – rrenue! Pashë gjindt, hy në vend shenjt; kishat, të
flligta; lterët përlye. Mezi pashë vend ku të mundej populli me u mbledhë në kuvend!
Pashë pleqtë tue ulurue; Meshtarët, shërbëtorët e Hyjit, tue gjimue; çobantë, vra;
dhentë tretë, tue u shpërnda dy udhëve; murtajën, që pa mëshirë i çoroditëte të gjithë;
e plasjen e mortaisun, që trimnohej për të gjanë e për të gjatë. Këto pashë
e gjimova! U përzien përmbrendcat e mia prej dhimbe për popullin tem e m'u coptuen,
tek shihshe mundimet e bijve që po mbyteshin. Tue pamë këta, thashë, populli em u
ba rob, përse s'pat dijen. Tue ankue kaq të këqija e ngushtica të paudha, edhe mue
më shtrëngoi ngushtica; por, për sa paçë fuqi, nuk lashë ilaç pa përdorë. Nevoja e
lypte me gjetë shtigje ma të mira se vizita, as lente moti me e shtymë. Ndihma ma
e madhe do të ishte mbledhja e Konçilit. Këtu i përqëndrova fuqitë, këtu ngula mendtë,
tue ia himë, pa rrenë, një pune ma të randë se kishe fuqinë. Po Ai, që i ka ndihmue
vëllazënt tanë, që ishin përdamë nëpër rruzullim të Fesë, më ndihmoi edhe mue në këtë
vend. As detyra që kam, si çoban i shpirtnave, as kujdesi i fortë, që kam për të krishtenët
e as mendët e mia të pa afta, nuk do të mujshin me e krye një detyrë kaq të randë.
Po Hyji, i cili ndërron motnat e doket, që ep të rritunit e mbaron gjithë punët, Ai
bani që një detyrë kaq e vështirë të kryhej si pata dëshirue. Nën hije Tande,
o i Lumtun Atë, po gëzon dheu Arbënesh e mbas ndërrimit të motit ngrihet, sikur të
kishte kenë i mbuluem me njegull, tashti nën papën arbënesh, që latinisht don me thanë
i bardhë – e del në dritë, e me zemër të mirë shpejton me mërrijtë përsëri në lumni
të shkueme. Mendja e Atit, e cila asht ma e madhe se rrethi i shekullit, i uron me
dashtëni të TinZot këtë lumni dheut tonë; për t'iu falë nderës zemrës gazmuese, vijnë
si për dhanti në shatorre Apostolike, në katedër të dijes qiellore, Dekretet e Sinodit
të Proviçjes Arbëneshe, në mënyrë që, në paçin gabime, të qortohen me fjalë Tande.
Unë, pra, në paça gabue si Prelat Arbënesh, vij te magjisteri i Pjetrit
me u qortue; e nuk më vjen marre me i kthye ndryshe fjalët. Nuk kanë kurrfarë vlere
veprat tona të errta; asgja nuk vlejnë Dekretet, në se nuk mbështeten mbi Gurin e
palëkundun; e si të jenë provue mbi gurin e fortë, të forcohen me profeci të pushtetes
sate. Pëlqe, pra, o i Lumtuni Atë, dhantitë e nderimet e përvujta, sheje
të Kombit tem, por ma fort tandit. E, n'e pashë se ndokund puna duhet lëmue, godite
e ndreqe me gjykimin e shenjtnueshëm e të pagabueshëm… Po, sepse kështu këto pak të
falna, që përkojnë me vobësinë tonë, me gjykimin e hyjnueshëm pagabim kanë për t'u
shumue fort. E ndërkaq unë, me vëllazën të mij të tjerë të Arbënisë… lusim Hyjin t'ju
ruejë Ju, Papën Arbënesh Pretmadhin, për shumë mot në Kishë e edhe ne të na ruejë
shëndosh pa kurrnjë të keqe… Shkrue në Perastti, ditën e dhetë të korrikut,
në vjetë të Krishtit njimië e shtatqint e tre. Marrë nga “Concilli i ZÉUT
‘SCCIPNIIS” Bot. III N’Rom, me sctamp T’ Cuvenit S. T’ PROPOGANDS, 1878 – FQ XI Po
radhisim më poshtë klerikët që nënshkruan Konçilin e Parë të Shqipërisë, mbajtur në
Merqi në vitin 1703 nën kryesinë e Shkelqësisë së Tij, Imzot Vincenc Zmajeviq, arqipeshkëv
i Tivarit: Imzot Vincenz Zmajeviq, arqipeshkëv i Tivarit, Primat i Serbisë,
Vizitator apostolik në Shqipni. Imzot Pjeter Karagjiku, arqipeshkëv i emnuem
i Shkupit. Imzot Gjergji, Ipeshkëv i Zadrimës. Imzot Nikollë Vladanji,
ipeshkëv i Lezhës. Imzot Ndue Babi, ipeshkëv i emnuem i Shkodrës. Imzot
Marin Gjini, ipeshkëv i zgjedhun i Pultit. Atë Fra Egjidi de Arsenta, Prefekt
Apostolik i Misioneve t'Arbënisë. Atë Fra Frano Maria a Lycio, Prefekt Apostolik
i Misioneve të Maqedonisë. Atë Fra Martini nga Gjonima (Gjonmi), i pari
i Provinçes së Fretënve.