2015-01-27 12:01:24

Mesazhi i Papës Françesku për Kreshmët 2015: mos globalizoni indiferencën


“Zoti e ka për zemër secilin prej nesh, Ai na njeh me emër”, kujdeset për ne e vihet pas gjurmëve tona kur largohemi prej Tij, sepse dëshiron të na kthejë tek vetvetja. Nga ky mendim niset Mesazhi i sivjetëm i Papës Françesku për Kreshmët, që ka për titull “Forconi zemrat tuaja”.

Të mos e globalizojmë indiferencën
Duke u ndalur në këtë të vërtetë ngushëlluese, Papa na fton ta pranojmë dashurinë e Zotit, që gjithnjë na paraprin. Ai nuk na kërkon asgjë, para se të na dhurojë diçka: “Ne duam, sepse Ai na deshi më parë” (1 Gjn 4,19). E ashtu si Zoti, që për hir të dashurisë, nuk është indiferent para nesh e para jetës sonë, ashtu edhe ne jemi të thirrur të kujdesemi për të afërmin, ta dhurojmë sërish këtë dashuri marrë prej Hyjit, duke u interesuar për të gjithë ata, që Ai i Lumi na bën t’i takojmë në rrugën tonë, sidomos për nevojtarët.
Shpesh ndodh, që pikërisht kur arrijmë mirëqënien, harrojmë të tjerët. Të ngopur me rehatitë tona, nuk i shohim problemet, vuajtjet e tyre e padrejtësitë, që pësojnë, denoncon Papa Françesku. Atëherë, zemra bëhet indiferente, tundohet nga i Keqi e ky tundim është sot gjithnjë e më i pranishëm, e madje, arrin deri përmasa botërore. Për këtë arsye, Papa e zgjeron konceptin e egoizmit deri në shprehjen “globalizimi i indiferencës”.

Nëse vuan një gjymtyrë, vuajnë të gjitha
Vetëm ata, që e kanë lejuar Jezusin t’u lajë këmbët, kanë “pjesë” me Të (Gjn 13,8), pra, mund të marrin pjesë në kujdesin e vëmendjen e Tij për njeriun. Ati i Shenjtë përdor imazhin e së Enjtes së Madhe për të nënvizuar se i krishteri, që nuk e ka provuar “larjen e këmbëve”, pra, dashurinë plot vëmendje me të cilën Jezusi përkulet për t’u shërbyer njerëzve, mbyllet në vetvete, duke u bërë indiferent për të afërmin, për atë që i kalon para sysh, pa qenë në gjendje ta shohë. Duhet ta lemë Zotin të na lajë këmbët, thekson Papa Françesku në mesazhin për Kreshmët 2015. Duhet ta provojmë dashurinë e Tij, që shëron e kjo mund të bëhet edhe sot, përmes Kishës. Pikërisht në Kishë, i krishteri mund ta lejojë Zotin ta mbulojë e ta veshë me mirësinë e mëshirën e Tij, në mënyrë që të jetë në gjendje t’u lajë këmbët të tjerëve, pra, të vihet në shërbim të Hyjit e të njerëzve.
Solidariteti i thellë që të krishterët duhet të tregojnë për njëri-tjetrin, vijon Papa, është ilaçi më i mirë kundër indiferencës. Ai bazohet në vetëdijen se të gjithë jemi gjymtyrë të të njëjtit korp, që është Kisha. “Kush është i Krishtit – nënvizon Ati i Shenjtë – i përket një korpi të vetëm e në Krishtin, nuk jemi të ndryshëm nga njëri-tjetri. Prandaj – citon Ati i Shenjtë Letrën e parë drejtuar Korintasve - “Nëse vuan një gjymtyrë, vuajnë së bashku të gjitha gjymtyrët; e nëse nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të”(1 Kor 12,26)”.

Mos e harro Lazrin, para portës së mbyllur
Kështu, Ati i Shenjtë përvijon rrugën e jetës së famullive e të bashkësive të krishtera. E përmes disa pyetjeve, tregon si duhet ecur gjatë këtyre Kreshmëve: “A arrihet, në këto realitete kishtare, të eksperimentohet se jemi pjesë e një korpi të vetëm? Një korp, që si një i vetëm, merr e jep ç’dëshiron të na dhurojë Zoti? Një korp, që i njeh dhe kujdeset për gjymtyrët e tij më të dobta, më të varfëra e më të vogla? Apo strehohemi në një dashuri universale, që angazhohet larg nëpër botë, por e harron Lazrin, ulur para portës së mbyllur? (shih Lk 16,19-31)”.

Kisha tokësore drejt Kishës qiellore
Kësaj udhe të bamirësisë konkrete, në të cilën jemi të thirrur si bashkësi e krishterë, i shtohet ajo e bashkimit me Kishën e qiellit, përmes lutjes, që të vendoset ndërmjet Kishës tokësore e asaj qiellore “një bashkim shërbimi të ndërsjellë e një bashkim të mire, që arrin deri tek Zoti”. Të dyja - Kisha tokësore e ajo qiellore - bashkëpunojnë që askush mbi tokë të mos vuajë e ofshajë, në mënyrë që të arrijë i plotë në qiell, gëzimi për fitoren e dashurisë së kryqëzuar, sipas shprehjes së shën Terezës së Lisieux, dijetare e Kishës (Letra 254 e 14 korrikut 1897). Nga ana tjetër, Kisha, për natyrën e vet, është misionare, pra, dërguar për të gjithë njerëzit e nuk mbyllet në vetvete; edhe një herë, çdo bashkësi e krishterë është e thirrur të kapërcejë pragun, që e lidh me shoqërinë rrethuese, me të varfërit dhe me të largëtit. Njëkohësisht, edhe si individë, jemi të thirrur ta kapërcejmë tundimin e indiferencës, përmes lutjes, me gjeste bamirësie, në mënyrë që zemra jonë të kthehet gjithnjë e më shumë kah Zoti e prej Tij të bëhet e fortë dhe e mëshirshme, e vëmendshme dhe bujare, pra, jo më e mbyllur në vetvete, përfundon mesazhi i Papës Françesku për Kreshmët e këtij viti, të cilat fillojnë me të Mërkurën e Përhime, më 18 shkurt.







All the contents on this site are copyrighted ©.