2015-01-26 13:29:07

Françesku kujton ekumenizmin e gjakut në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve


Të ndalemi e të dëgjojmë. Kjo është udha e Papës Françesku për bashkimin e plotë të të krishterëve. Ati i Shenjtë e përsëriti gjatë mbrëmësoreve të kremtuara dje në Bazilikën e Shën Palit jashtë mureve të Romës. Papa mbylli kështu Javën e lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, së bashku me përfaqësues të Kishave e të bashkësive të tjera të krishtera, që u lutën me të para varrit të Shën Palit Apostull.RealAudioMP3

Të lihen mënjanë polemikat
Ati i Shenjtë vuri në dukje se shumë probleme të trashëguara nga e kaluara, mund të kapërcehen, duke lënë mënjanë polemikat e duke u përpjekur që, së bashku, të gjithë të krishterët ta kuptojnë mirë çfarë i bashkon. Kjo s’mund të jetë tjetër, veçse thirrja për të marrë pjesë në misterin e dashurisë që Ati Qiellor ua zbuloi njerëzve në Birin e tij, përmes Shpirtit Shenjt, nënvizoi Papa Françesku:
“Bashkimi i të krishterëve nuk do të jetë fryt i diskutimeve të holla teorike, në të cilat secili do të përpiqet ta bindë tjetrin për vërtetësinë e opinioneve të veta. Do të vijë Biri i Njeriut e do të na gjejë duke diskutuar akoma. Duhet ta kuptojmë se për të arritur në thellësitë e misterit të Zotit, kemi nevojë për njëri-tjetrin, për t’u takuar e konfrontuar nën udhëheqjen e Shpirtit Shenjt, që harmonizon ndryshimet e tejkalon konfliktet”.

T’u japim të pijnë njerëzve të lodhur e të etur
Papa kujtoi pjesën ungjillore ku Jezusi, në udhëtim nga Judea drejt Galilesë, i kërkoi ujë samaritanes. Ajo etje nuk ishte vetëm fizike, por edhe dëshirë për takim, në mënyrë që t’i jepte asaj gruaje një mundësi për ta ndryshuar shpirtin. Edhe sot, theksoi Ati i Shenjtë, ka shumë burra e gra, që presin nga ne të krishterët të ndalemi me ta, për ta shuar së bashku etjen:
“Në thirrjen për të qenë ungjillëzues, të gjitha Kishat e bashkësitë kishtare gjejnë kuadrin thelbësor për një bashkëpunim më të ngushtë. Për ta kryer si duhet këtë detyrë, nuk duhet të mbyllemi në veçoritë e eksluzivizmat personale, por edhe të mos imponojmë uniformitetin, sipas planeve thjesht njerëzore”.

Ekumenizmi i gjakut
Për atë Ungjill, të cilit i shërbejmë të gjithë, nënvizoi Papa, shumë të krishterë persekutohen e vriten. “Ky është ekumenizmi i gjakut”, tha Ati i Shenjtë. Të krishterët janë të bashkuar në persekutim, por uniteti nuk duhet kërkuar vetëm nga bashkësitë, që ndodhen në këtë gjendje të vështirë. Duhet shkëmbyer përvoja e duhet njohur tradita e të tjerëve, theksoi Papa, pasi kjo mund të jetë e dobishme për jetën fetare të çdo kishe e të çdo bashkësie.

Përshëndetja e kardinalit Koch
Në përshëndetjen e tij, kardinali Kurt Koh, kryetar i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve, në përkim me fjalët e Papës Françesku, pohoi se “uji i pagëzimit bëhet për ne burim, që rrjedh drejt vëllezërve, në mënyrë që edhe ata ta shuajnë etjen. Kjo përvojë e bën të nevojshme dëshminë e përbashkët të gjithë të krishterëve në botën e sotme, kaq të mbushur me egoizëm e lakmi, me konflikte e urrejtje, me dhunë e agresion”.








All the contents on this site are copyrighted ©.