2015-01-25 14:02:08

Papa në Engjëllin e Tënzot: Jezusi dëshiron që të krishterët të jenë të bashkuar


Të vijojë lutja për bashkimin e të krishterëve e të rifillojnë, në Ukrainën lindore, përpjekjet e dialogut, për t’i dhënë fund konfliktit. Këto, thirrjet e Papës Françesku sot, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, në ditën kur përfundon Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve. Hyji, tha Papa, ka etje për ne; është djalli, ati i të gjitha përçarjeve.RealAudioMP3
Të krishterët duhet të jenë të bashkuar
Jezusi dëshiron që të krishterët të jenë të bashkuar. Këtë nënvizoi Papa, pasi kujtoi se pasdite, në Bazilikën romake të Shën Palit jashtë Mureve, do të mbahet kremtimi përfundimtar i Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve:
“Është gjë e keqe që të krishterët janë të ndarë. Jezusi na do të bashkuar; një korp i vetëm. Mëkatet tona, historia, na ndanë e prandaj duhet të lutemi shumë, që të na bashkojë rishtas vetë Shpirti Shenjt”.
Djalli, atë i gjithë përçarjeve
Në Zemrën e Krishtit, shtoi Papa, takohen etja njerëzore e ajo hyjnore, me etjen për bashkim:
“Eh, ajo që deshi Krishti: bashkimi i të gjithëve! Djalli, e dimë, është babai i përçarjeve, është ai, që ndan gjithnjë, që bën luftëra, që bën keq!”.
Thirrja për Ukrainën
Papa, pastaj, shprehu shqetësimin e tij për situatën në Ukrainë, duke uruar të marrë fund sa më shpejt çdo formë e dhunës:
“Ndjek me shqetësim të thellë ashpërsimin e ndeshjeve në Ukrainën lindore, që vijojnë të shkaktojnë shumë viktima ndërmjet popullsive civile. Ndërsa siguroj lutjen time për ata, që vuajnë, bëj përsëri thirrje të rifillojnë përpjekjet për dialog e t’u jepet fund veprimeve luftarake".
Jezusi është Fjala e gjallë
Duke kujtuar Ungjillin e sotëm, që flet për fillimin e predikimit të Jezusit në Galile, Papa nënvizoi se Krishti është “Fjala e gjallë e vepruese në histori”, që e shuan etjen e zemrës sonë të shqetë:
“Jezusi është përmbushja e premtimeve hyjnore, sepse Ai ia dhuron njeriut Shpirtin Shenjt, ujin e gjallë, që shuan etjen e zemrës sonë të trazuar, të etur për jetë, për dashuri, liri, paqe, të etur për Hyjin”.
Hyji ka etje për ne
Hyji, duke u bërë njeri, shtoi Ati i Shenjtë, e bëri të vetën etjen tonë, jo vetëm për ujë material, por sidomos etjen për një jetë të plotë, të lirë nga skllavëria e së keqes dhe e vdekjes:
“Njëkohësisht, duke u mishëruar, Hyji e vuri etjen e tij - sepse edhe Hyji ka etje - në zemrën e një njeriu: Jezusit të Nazaretit. Hyji, që ka etje për ne, për zemrat tona, për dashurinë tonë, e vuri këtë etje në Zemrën e Krishtit”.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, duke kujtuar se sot kremtohet Dita botërore e të sëmurëve nga gërbula, Papa u shprehu afërsinë e tij gjithë njerëzve, që vuajnë nga kjo sëmundje. Ati i Shenjtë përshëndeti, pastaj, bashkësinë filipinase të Romës, duke kujtuar se populli filipinas është i mrekullueshëm për fenë e tij plot forcë e gëzim.
Pastaj iu drejtua edhe të rinjve e të rejave të Veprimit Katolik të Romës (Acr), të pranishëm me shumicë në përfundim të “Karvanit të Paqes”, organizuar sot prej tyre. I porositi të gjithë ta vijojnë me gëzim ecjen në udhën e krishterë. Njëra nga vajzat e Veprimit Katolik, Sara, lexoi një mesazh për paqen:
“Ne të gjithë jemi skuadër shkencëtarësh, të angazhuar në një laborator vigan, që është bota. Vetëm duke punuar së bashku, si duhet, e duke realizuar me fund projektet tona të paqes, mund ta bëjmë konkrete paqen universale, menduar për ne nga Zoti”.








All the contents on this site are copyrighted ©.