Sot në Bazilikën e Shën Palit Apostull jashtë Mureve të Romës, kremtohen mbrëmësoret,
në përfundim të Javës së Lutjes për bashkimin e të krishterëve, që u ndoq nga të gjitha
kishat katolike të botës. Kremtimi nisi rreth orës 17.30, në praninë e Papës Françesku.
Si temë e Javës, ishin fjalët e Zotit drejtuar Samaritanes, që mbushte ujë në pus:
“E Jezusi i tha: ‘Më jep të pi”(Gjn 4,7). Samaritania bëhet kështu, ikonë e
dashurisë, që shemb çdo mur ndërmjet njerëzve, konfesioneve, etnive e kulturave. E
njëkohësisht edhe paradigmë e mëshirës. Zoti arrin ta shndërrojë në dishepulle e misionare,
pavarësisht nga e kaluara e saj. Zoti mund të na shndërrojë të gjithëve, mjafton t’ia
hapim zemrën, me dashuri. E, duke kërkuar të pijë ujë si njeri, i ofron njeriut ujin
e gjallë, gurrën për jetën e amshuar. Java e lutjes për bashkimin e plotë të të
krishterëve ishte rast i veçantë për lutje, takim, dialog. Rast për të njohur pasuritë
dhe vlerat e të tjerëve, atyre, që ndryshojnë nga ne, e për t’i kërkuar Zotit, me
gjithë zemër, në lutje, dhuratën e bashkimit.
Sot, e diela e fundit e janarit,
u kremtua Dita VII e ndërmjetësimit për Tokën Shenjte: lutje botërore, në
të cilën morën pjesë 10.000 qytete të mbarë botës. Tema e sivjetme ishte: “Duam
paqe në Tokën Shenjte”.
Në Paris të Francës u organizua Marshimi vjetor
për jetën. U nis nga Sheshi i Bastijës, për të përshkuar rrugët kryesore të kryeqytetit
francez. Marrshimi për jetën u përkrah edhe nga Papa Françesku, i cili, që të
mërkurën, u çoi organizatorëve një mesazh, përmes nuncit apostolik të vendit, imzot
Luigi Ventura. “Duke iu referuar fjalës për anëtarët e Shoqatës së mjekëve katolikë
italianë, pritur në audiencë më 17 nëntorin e kaluar – shkruhet në mesazh – Ati i
Shenjtë kujton se ‘jeta njerëzore është gjithnjë e shenjtë, e vlefshme dhe e padhunueshme,
e si e tillë duhet dashur, mbrojtur e kujdesur’. Përtej manifestimit të ligjshëm në
favor të jetës, Ati i Shenjtë i inkurajoi pjesëmarrësit në Marrshim të veprojnë pa
u lodhur për ndërtimin e qytetërimit të dashurisë e të kulturës së jetës.
Në
Katedralen e Monreale të Sicilisë, imzot Jean-Clément Jeanbart, kryeipeshkëv
greko-melkit i Halebit (Siri), kryesoi Liturgjinë Hyjnore në ritin bizatin-sllav,
me pjesëmarrjen e korit të shoqatës Rusia e krishterë të Romës dhe përfaqësuesve
të tjerë ruso-katolikë të ritit bizantin. Pasdite u mbajt një tryezë e rrumbullaktë
ndërfetare, rreth së cilës u ulën për të shkëmbyer mendime, në një atmosferë kaq të
tensionuar e dramatike, Kryeipeshkvi greko-melkit, imzot Jeanbart; Kryerabini i Qendrës
Sefardite siciliane, profesor Stefano Di Mauro, Itzaak Ben Avraham dhe Imami i xhamisë
së madhe të Romës, Sami Salem. Tema e reflektimit ishte “Liria fetare, udhë për paqen”.
Edhe pse një temë e tillë ishte caktuar prej kohe, duket se iu përgjigj edhe më mirë
problemeve e frikës së sotme, pas masakrës së Parisit.
Në SHBA, nga 25
deri më 31 janar 2015, organizohet Java kombëtare e shkollave katolike me temë:
“Shkollat katolike: bashkësi feje, diturie e shërbimi”. Nisma organizohet nga Konferenca
ipeshkvnore. “Shkollat katolike, shpjegon kryeipeshkvi i Omahës, imzot George Joseph
Lucas, kryetar i Komisionit ipeshkvnor për edukimin katolik, përbëjnë një aspekt jetik
të misionit të Kishës për predikimin e Ungjillit e, prej këndej, edhe një aspekt të
rëndësishëm të misionit tonë për të dhënë mësim”.
Edhe Irlanda e nisi
sot Javën e vet kombëtare të shkollave katolike 2015, me temë “Shkollat katolike,
të thirrura për të shërbyer”. Nisma promovohet gjithashtu nga Konferenca ipeshkvnore
vendase.
U kremtua sot Dita e 62-të e të sëmurëve nga gërbula . E kujtuar
çdo të diel të fundit të janarit, tërheq vëmendjen mbi një sëmundje, që nuk po zhduket
akoma, pavarësisht nga progresi i arritur vitet e fundit. Gërbula është sëmundje që
godet jo vetëm fizikisht, por edhe moralisht e psikologjikisht, duke i dëmtuar rëndë
viktimat e familjarët e tyre. E kurueshme që nga viti 1980, falë polichemioterapisë,
Sëmundja Hansen vijon të përhapet në vendet më të pazhvilluara, ku mungojnë ilaçet
e përshtatshme. Sipas statistikave, më se gjashtë milionë njerëz vuajnë nga pasojat
e sëmundjes. Vetëm në vitet 2009 u regjistruan 224 mijë raste në dy vendet më të prekura
të botës: India e Brazili. Kremtimi i kësaj dite është rast edhe për të kujtuar
miratimin, në nëntor 2010, nga ana e OKB-së, të parimeve dhe vijave udhëheqëse për
zhdukjen e diskriminimit kundër të sëmurëve nga gërbula dhe familjarëve të tyre, dokument
që angazhon institucionet dhe bashkësitë civile për të mbrojtur të drejtat themelore
të hansenianëve. Një nga Apostujt e të gërbulurve është Raoul Follereau (Nevers,
19 gusht 1903-Paris, 6 dhjetor 1977) gazetar, filantrop e poet francez, frymëzues
i Shoqatës italiane “Miqtë e Raoul Follereau e cila, që nga vitit 1961, i ndihmon
të sëmurët nga gërbula, duke i mbrojtur me forcë të drejtat e tyre.
Në festën
e Shën Françeskut të Sales, ipeshkëv e doktor i Kishës, themelues i Urdhërit të Vizitacionit,
Pajtor i Shtypit katolik, u botua mesazhi i Atit të Shenjtë për ditën e 49-të
botërore të Komunikimeve Shoqërore, me temë: “Të komunikohet familja: mjedis i
privilegjuar i takimit me dashuri, pa interes”. Në përkim të plotë, kjo temë,
edhe me atë të dy Sinodeve: familja!
Po dje, në Torino, u organizua
kremtimi civil kombëtar me rastin e 200-vjetorit të lindjes së Dom Boskos.
Në bazilikën e Zojës Ndihmëtare u kremtua Mesha Shenjte, kryesuar nga dom Angel Fernández
Artime, Rektor i madh, i dhjeti pasardhës i Dom Boskos. Ishte e pranishme edhe motra
Yvonne Reungoat, nënë e përgjithshme e salezianeve. Kremtimi nisi me nderimin e relikeve
të Dom Boskos. Më pas, në teatrin Regio, nisi festa civile kombëtare për kujtim të
dom Boskos. Veprimtaria kryesore, shfaqja me titull: “Një dashuri moderne prej 200
vjetësh”, në praninë e autoriteteve më të larta institucionale, civile e fetare.
E gjithë shfaqja theksoi me forcë aktualitetin e mesazhit të Dom Boskos.
Në
Milano të Italisë, pranë fakultetit teologjik, Hirësisë së Tij, Ioanis Zizioulas,Metropolit i Pergamos, iu dorëzua Doktorati Honoris Causa. I pranishëm, kryeipeshkvi
i Milanos, kardinali Angelo Scola.