2015-01-23 16:48:45

Ipeshkvijtë francezë: - jo, eutanazisë; po, mjekimeve paliative


Debat parlamentar mbi fundin e jetës
Në Parlamentin francez vijon debati lidhur me ‘fundin e jetës’. Një raport, i përgatitur nga deputeti Claeys kërkon rishikimin e ligjit, që rregullon eutanazinë në Francë, domethënë, pranimin e së drejtës të të sëmurëve për të vetvendosur mbi fundin e jetës së tyre, kur bëhet fjalë për sëmundje të pashërueshme, me fund të shpejtë. Parashikohet t’u njihet të sëmurëve “e drejta për qetësim të thellë e të vazhdueshëm të dhimbjes në rast sëmundjeje, që gjykohet si e pamjekueshme e me prognozë fatale me aft të shkurtër”. Ipeshkvijtë francezë, në një deklaratë, paraqitur në Paris, nga një grup specialistësh, udhëhequr nga kryeipeshkvi i Rennes, imzot Pierre d’Ornellas, bënë thirrje për “vëllazërim” me njerëzit më të ligshtë. Konferenca ipeshkvnore lëshon një britmë alarmi lidhur me gjendjen e mjekësisë paliative në vend, duke e konsideruar si çështje kombëtare parësore e edhe si shkaktare të gjendjes tragjike. T’i përgjigjesh në mënyrë të pamjaftueshme kësaj urgjence, lexohet në tekst, do të thotë të bëhesh bashkëpunëtor e të favorizosh kërkesat gjithnjë më të dhimbshme për eutanazi. Ipeshkvijtë kërkojnë që punonjësit e shëndetësisë të përgatiten për kulturën paliative apo të përdorimit të ilaçeve që lehtësojnë dhimbjet e ta shtrijnë këtë përdorim në të gjithë të sëmurët nevojtarë, duke shmangur, kështu, rrezikun e vetvrasjes së asistuar.
Të flasësh për vdekjen, është tabu!
Është fjala për të lehtësuar vuajtjet, jo vdekjen. Njerëzit nuk janë ende në gjendje të diskutojnë me kompetencë mbi këtë argument: vdekja mbetet tabù në shoqëri, mbetet fjalë, që nuk duhet thënë, sepse ngjall shqetësim e ankth. Është shumë më lehtë të diskutosh për probleme shoqërore, që kanë të bëjnë me jetën në fushën bioetike, për shembull, ose në atë të arsimit, të familjes e të martesës, sesa të informohesh për këtë argument shoqëror jashtëzakonisht delikat, që shkakon emocione të thella, sepse ndoshta pikërisht në ato çaste përcolle në banesën e fundme një njeri tepër të dashur, ose pate zi në familje. Prej këndej, nuk dëshiron të ta zënë në gojë vdekjen, e vetëm shqiptimi i fjalës, të ringjall në shpirt gjithë ankthin, që më kot u mundove ta harrosh.
Ku po shkojmë?!
Ku po shkojmë? Ç’do të ndodhë me ne? – pyesin të tmerruar shumë njerëz, të cilët po humbasin besimin deri tek mjekët, që në këtë rast nuk mund t’i qëndrojnë më besnikë as betimit të Hipokratit për ta shëruar e jo për ta mbytur njeriun. Duhet diskutuar me përgjegjësi e pa ankth mbi këtë argument kaq të rëndësishëm e duket të rikthehet edhe besimi tek mjekët e, sidomos, tek jeta tokësore e edhe tek ajo, që vjen pas saj e që për të krishterët është jeta e vërtetë.









All the contents on this site are copyrighted ©.