At Gjeçovin e pata njohur me anë letrash disa vjet përpara Luftës Ballkanike. Më 1913
shkova në Shkodër dhe atje, në Kuvent të Franciskanëve, nji ditë u njohmë me sy e
me fjalë të gjalla. Mendimet nderimi, që kisha patur për At Gjeçovin për së largu,
m’u shtuan ca më tepër që kur u poqmë. I mesmë nga gjatësia e trupit, pak si i thatë,
me një palë sy të zez ku shkëlqente mendja po dhe zemërmirësia, At Gjeçovi fitonte
menjëherë besimin dhe dashurinë. Fjalët i kish të pakta po kurdoherë në vend. Vetëm
kur në të kuvënduar e sipër takohej ndonjë pikë mbi të cilën kish dituri të veçantë
– si për shembëll Kanuni i Lek Dukagjinit ose vjetëritë greko-romane – At Gjeçovi
çelej ca më gjatë dhe atëhere ish gëzim ta dëgjonte njeriu. Aso kohe, At Gjeçovi ish
“famullitar”, domethënë prift i ngarkuar me shërbimin e një fshati ose rrethi, dhe
rronte në Gomsiqe, i pari katunt i Mirditës në udhë nga Shkodra në Orosh. A i vemi
mysafirë At Gjeçovit ndonjë ditë të kësaj jave? Më pyeti një herë At Fishta, me të
cilin piqesha çdo ditë në Shkodër. Mendimi i një vizite At Gjeçovit më pëlqeu pa masë.
Ashtu, pa humbur kohë, u nismë. Një gjë për të vënë re dhe që më mbushi me habi dhe
trishtim, është se nga Shkodra gjer në Gomsiqe, një udhëtim shtatë a tetëorësh me
kalë, nuk gjetëm as katund, as shtëpi, veç një hani të varfër, ku qëndruam për të
pirë kafe, s’pamë gjëkundi ndonjë shënjë gjallësie: një vend i zbrazur e i shkretë,
si i harruar nga Perëndia dhe nga njerëzit. Po mërzia e udhëtimit na u shpërblye përtej
shpresës, posa arritëm në Gomsiqe, ose, që të flasim me drejt, në famulli të Gomsiqes,
– se katundi vetë i shpërndarë tutje-tëhu, një shtëpi këtu, një shtëpi nja dy milje
më tej, as që dukej. Famullia – një bina prej guri, e ndritur dhe e pastër, gjysmë
e zbrazur nga plaçka po e mbushur dhe e zbukuruar nga zemra e madhe dhe nga buzëqeshja
e të zotit të shtëpisë – qëndronte, mirëpritëse dhe e qetë, anës një lumi. Këtu rronte
At Gjeçovi. Këtu e shkonte jetën, në mes të lutjes e mësimeve, një nga njerëzit më
të lartë që ka patur Shqipëria: një lartësi e përulur, në mund të afroj e të lidh
dy fjalë aq të përkundërta; një lartësi shpirti dhe mendjeje e panjohur nga njeriu
vetë, i cili, bir i vërtetë i të Varfërit të Assisit, në pastëri e në vobësi*************************
të zemrës tij e dinte veten të vogël. Famullia, shkollë dhe vend këshillash të mira,
u jipte fëmijëve themelet e stërvitjes, u përndante fjalët e urta dhe ngushëllimet
njerëzve në nevojë. Kohën që i tepronte, At Gjeçovi ia kushtonte studimit. Merrej
ahere me institutat e vjetra të Shqipërisë, nga të cilat një që arriu gjer në ditët
tona është Kanuni i Lekë Dukagjinit. Askush nuk mund t’i afrohej At Gjeçovit në diturin
e këtij Kanuni. Na tregoi një dorëshkrim nja dymijë faqesh, studim i palodhur e i
hollë ku kish mbledhur, radhitur e ndritur të gjitha sa kanë mbetur nga mendimet juridike
të Shqipërisë në Kohën e Mesme, mendime të cilat ngjan t’i kenë rrënjët shumë përtej
Kohës së Mesme. Në katin e sipërm të famullisë, përmbi një tryezë të madhe, ishin
shtruar një tok vjetërsirash greko-romane, të zbuluara e të mbledhura një nga një,
me një fatbardhësi të rrallë dhe me një shije të mbaruar, nga dora vetë e At Gjeçovit.
Mbaj mend, veçan, një enë të vogël, të quajtur “lacrumatorium” lotore, asosh që të
vjetrit, në besim se të vdekurit qajnë të shkarit e jetës së tyre, i mbulojnë në varr
bashkë me të vdekurin, që ky të kish se ku t’i mblidhte lotët. Nuk më shkonte ahere
kurrë ndër mend se pas ca vjet secilit prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të
kishim nevojë që në gjallësi për nga një lotore, ku të mbledhim lotët tanë për At
Gjeçovin… Bir i përulët i Shën Franciskut, i ditur me një dituri pa tingëllim, po
dhe shqipëtar i kthjellët, At Gjeçovit, që i përkiste çdo mirësi, nuk i mungoi asnjë
hidhërim, asnjë shpifje, më e çuditshmja e të cilave ndoshta është të mohuarit se
ai ish shqipëtar. Sepse ishte lindur në një kufi gjërash, në një kufi ku sot mbaron
shqipja dhe nis një tjetër. Ca mendje të klasës së katërt e përmbysin të vërtetën
dhe e kthejnë në të sharë atë që është një lavdi. Po At Gjeçovi është përmi çdo sharje.
Emri i këtij njeriu të rrallë do të vejë duke u rritur dhe një ditë famullia e Gomsiqes
do të jetë një nga gurët e shënjtëruar të shqiptarësisë. http://gazetadielli.com/18410/#sthash.W2PRCxIV.dpuf