Sot me 21 janar, kalendari liturgjik romak kujton Shenjtën virgjër e martire romake,
Anjezen, kulti i së cilës është shumë i lashtë, gjë që e vërteton prania e emrit të
saj në Kanunin Romak, pranë e pranë me emrat e martirëve më të njohur të Kishës si:
Luçia, Çeçila, Anastasi, Perpetua e Feliçita e të tjerë. Nuk dimë asgjë për familjen
e Shën Anjezes. Vetë emri i saj, që vjen nga greqishtja e do të thotë ‘e pastër’ ose
e ‘dlirë’, mund të jetë përdorur simbolikisht për të vënë në dukje cilësitë e vashës.
Sipas mendimit të shumë studiuesve, Anjezja mund të ketë derdhur gjakun për fenë
e saj në Krishtin më datën 21 janar të një viti të papërcaktuar, gjatë persekutimit
të Valerianit (258-260), por disa të tjerë mendojnë se u martirizua nën Dioklecianin
në vitin 304. Historia tregon se kjo kohë pati një numër aq të madh të krishterësh
të martirizuar, sa meritoi titullin ‘epoka e martirëve”. Edhe Anjezja e vogël iu nënshtrua
këtij persekutimi. Shumë të dhëna për shenjtoren gjinden në ‘Depositio Martyrum’,
kalendari më i lashtë i Kishës romake, shkruar në vitin 336; por edhe në Martiriologun
kartagjenas të shekullit IV; në “De Virginibus’ të Shën Ambrozit, shkruar në vitin
377 si dhe në oden 14 të ‘Peristefhanon” të poetit spanjoll Prudenci e, së fundi në
disa vargje të Papës shenjt Damasit, që ruhen edhe sot në lapidarin e lashtë, murosur
në bazilikën romake të Shën Anjezes jashtë mureve. Nga gjithë këto të dhëna, mund
të themi se Anjezes iu pre koka në moshën 13 vjeçare për shkak të besimit të saj të
palëkundshëm në Krishtin. Në himnin ambrozian “Agnes beatae virginia” përshkruhet
sesi vasha, në çastin e martirizimit, mbulonte me kujdesin më të madh, me palën e
petkut, trupin e saj virgjëror, në sa fytyra i humbiste krejtësisht mes flokëve të
gjatë e të dendur. Mbetej, kështu, e dlirë, si kishte jetuar; martirizohej për ta
ruajtur virgjërinë e saj për Zotin. Pas vdekjes, trupi i martires u varros në
një nga galeritë e njërës nga varrezat e krishtera në rrugën Nomentana. Më pas mbi
varrin e saj Kostandina, e bija e Kostandinit të madh, ndërtoi një bazilikë për ta
falënderuar shenjten, që kishte ndërmjetësuar për shërimin e saj. Pranë bazilikës
lindi një nga manastiret më të njohura romake. Kafka e Shën Anjezes ruhet në ‘Sancta
Sanctorum’, Kapelë Papnore në Bazilikën e Lateranit, ndërsa pjesa tjetër e trupit,
në bazilikën kushtuar Shenjtës. Nga gjithë këto të dhëna, mund të arrijmë në përfundimin
se Anjezja u mbyt në moshën trembëdhjetë vjeçare, për të ruajtur fenë e virgjërinë.
Ambrozi e Prudenci mendojnë se iu pre koka, ndërsa Shën Damazi, se u dogj e gjallë.
Besohet se vajza i pësoi të dy mundimet: u vu mbi turrë të druve, por flakët u larguan
prej saj e u turren drejt atyre që i kishin ndezur. Atëherë u mbyt me shpatë. Vjen
deri në kohët tona përshkrimi i çastit të fundit, kur Virgjëra e njomë u afrua me
çap të shpejtë tek xhelati, u lut, liroi qafën nga kurora e dendur e flokëve të mrekullueshëm
dhe zgjati kokën, që u rrokullis sakaq nën tehun e shpatës. Pësoi, kështu, një martirizim
të dyfishtë: derdhi gjakun për të mbrojtur fenë e virgjërinë.
Lutja drejtuar
Shën Anjezes: O e bindshmja Shën Anjeze, sa ngazëllim të madh provove kur,
në moshë të njomë, trembëdhjetë vjeçare, e dënuar nga Aspasi për t’u djegur
e gjallë, i pe flakët duke u larguar prej teje pa të prekur fare e duke iu turrur
atyre, që dëshironin vdekjen tënde. Pash gëzimin shpirtëror, me të cilin more goditjen
e fundit, duke e lutur ti vetë xhelatin të ta ngulte në mes të kraharorit shpatën,
që do kryente flijimin tënd, na e nxjerr edhe ne hirin t’i durojmë, si ti, të gjitha
persekutimet t’i mbartim të gjitha kryqet, me të cilët vihemi në provë, e ta
duam gjithnjë më shumë Zotin, për të qenë në gjendje ta vulosim me vdekjen e të
drejtëve, një jetë të kaluar me pendesë e flijim. Amen!