2015-01-21 11:48:49

Solidaritet i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve për Kishën në Niger


Pas thirrjes së Papës Françesku në audiencën e përgjithshme, edhe Kongregata për Ungjillëzimin e Popujve dërgoi një mesazh solidariteti për veprimtarët baritorë dhe besimtarët e Kishës Katolike në Niger.
“Kongregata për Ungjillëzimin e Popujve – shkruan Sekretari i saj, kryeipeshkvi Savio Hon Tai-Fai – mori vesh me trishtim të madh për plaçkitjen sistematike të kishave të krishtera, në veçanti të atyre katolike, në vendin tuaj. Duke ndjekur me kujdes të veçantë e shqetësim të madh gjendjen, në të cilën ndodheni, që nga fundi i javës së kaluar, Kongregata për Ungjillëzimin e Popujve, para humbjeve të jashtëzakonshme dhe para shkretimit shkaktuar nga ngjarjet e këtyre ditëve, dëshiron t’ju shprehë afërsinë shpirtërore, bashkimin e solidaritetin e saj.
Kongregata – vazhdon mesazhi drejtuar Kishës në Niger – ju siguron për vëmendjen e saj dhe lutet për viktimat e kësaj situate dhune, si edhe për familjet e tyre. Gjithashtu, bën thirrje për zgjimin e ndjenjës së përgjegjësisë së autoriteteve politike, civile e ushtarake, që, përmes rrugëve të dialogut, të impenjohen për të rivendosur paqen e për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë dhunës kundër të krishterëve”.
Mesazhi përfundon duke kujtuar fjalët e Papës Françesku: “absolutisht, nuk mund të shkaktohet vdekje e vuajtje në emër të Zotit, as të justifikohet dhunimi i lirive themelore të njeriut”.









All the contents on this site are copyrighted ©.