2015-01-21 15:49:03

Presidenti Ibrahim Rugova në përvjetorin e kalimit në amshim


Sot më 21 janar, bie 9 vjetori i ndarjes nga jeta Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, prijësit të qëndresës qytetare, vizionarit e arkitektit të lirisë e pavarësisë së Kosovës, Dardanisë së lashtë.
Dr. Ibrahim Rugova , simbol i udhës paqësore drejt fitores së Pavarësisë, lindi në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut, në Kosovë, më 10 janar 1945. Mbas mbarimit të shkollës fillore ai vazhdoi shkollimin e mesëm në Pejë, studimet e larta i kreu në Prishtinë, në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Prishtinës. Pas diplomimit në Degën e Albanologjisë më 1971 ai vazhdoi për një vit në Ecole Pratique des Hautes Etudes të Parisit studimet akademike në degën e letërsisë. Në vitin 1984 doktoroi në Universitetin e Prishtinës në degën e Letërsisë. Po këtë vit u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.
Si kryetar i partisë Lidhja Demokratike e Kosovës u zgjodh më 23 dhjetor 1989, duke kontribuar në shumë ngjarje të rëndësishme në territorin e Dardanisë, si: Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990 ), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i Kushtetutës së saj (7 shtator 1990 ), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991, zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhjet presidenciale në Republikën e Kosovës më 24 maj 1992.
Në zgjedhjet e Kuvendit, i cili përbëhej nga tri partitë kryesore të Kosovës, fitoi partia e tij, duke u zgjedhur i Kryetar i Republikës së Kosovës me shumicë votash. Fondacioni Paul Litzer i Danimarkës në vitin 1995 i dha Ibrahim Rugovës Çmimin për Paqe. Më 1996 zgjidhet anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës dhe shpallet doktor nderi i Universitetit të Parisit VIII, në Paris. Në zgjedhjet e mbajtura në mars 1998 ai rizgjidhet në pozitën e kryetarit të republikës, dhe po në këtë vit merr Çmimin Saharov nga Parlamentit Evropian.
Gjatë luftës së Kosovës(1999) ai qëndroi në Kosovë, ku u paraburgos së bashku me familjen e tij nga qeveria e Serbisë, e cila pas disa ditësh keqtrajtimi psiqik, i lejoi Dr. Rugovës dhe familjes së tij largimin nga Beogradi.
Në vitin 1999 shpallet qytetar nderi i qyteteve italiane: Milanos e Breshias (Brescia) si dhe nga qyteti gjerman Mynster (Münster) i jepet Çmimi për Paqe. Mbas luftës kthehet në Kosovë dhe në zgjedhjet e mbajtura nën mbikqyrjen e komunitetit ndërkombëtar ai përsëri zgjidhet kryetar i Kosovës.
Në vitin 2000 merr Çmimin për Paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë Manuel Carrasco i Formiguera, në Barcelonë.
Veprimtaria letrare e Ibrahim Rugovës ka qënë gjithnjë prezente para angazhimit të tij politik. Ai ishte si nismë redaktor në gazeten Bota e Re, shkroi në revisten shkencore Dituria që botoheshin në Prishtinë. Po ashtu punoi si hulumtues i letërsisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe për një kohë ishte kryeredaktor i revistës së këtij instituti, Gjurmime Albanologjike.
Disa nga çmimet dhe titujt ndërkombëtarë :Çmimi për Paqe - (1995 Fondacioni Paul Litzer në Danimarkë); Doktor Nderi - (1996 Universiteti i Parisit VIII Sorbonë, Francë); Honourus Causa: Çmimi Saharov - (1998 Parlamentit Evropian); Çmimin për paqe - (1999 Qyteti Mynster (Münster), Gjermani); Qytetar nderi i Milanos - (1999 ); Qytetar nderi i Breshias (Brescia) - (1999 ); Çmimin për Paqe (2000 Unioni Demokratik i Katalonisë - Barcelonë, Spanjë) Manuel Carrasco i Formiguera; Çmim nderi për paqe nga qyteti i New Yorkut, SHBA (19 Nëntor )
Disa nga botimet : Prekje lirike - 1971; Kah teoria - 1971; Strategjia e kuptimit - 1980; Vepra e Bogdanit 1675-1685 - 1982; Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983; Refuzimi estetik - 1987; Kritika letrare ( bashkë me Sabri Hamitin) - 1979; Bibliografika e kritikës letrare shqiptare 44-74 (bashkë me Isak Shemen) - 1976.
Presidenti Ibrahim Rugova, personalitet i frymëzuar në jetën personale, në fushën e veprimtarisë kulturore, atë kombëtare, politike e publike. Nga historia dhe personalitetet e mëdha të të gjitha kohëve e posaòërisht të Dardanisë, I. Rugova nxirrte e kultivonte vlera njerëzore e kombëtare, kulturore e shpirtërore, politike e shoqërore, duke qëndruar para së keqes i patrembur, i bindur se dialogu, qëndresa, udha e paqes do të realizonin lirinë e Vendit.
Dr. Ibrahim Rugove denoncoi e paraqiti gjendjen e rëndë të të drejtave njerëzore që shkeleshin në Kosovë, duke e ndërkombëtarizuar çështjen, duke çuar zërin e fuqishëm e kërkuar respektimin e dinjitetit të çdo njeriu e të një populli të tërë. Kështu, i frymëzuar nga personalitete të mëdha të së kaluarës e të kohës, si ipeshkvi shqiptar imzot Pjetër Bogdani, Gandhi, Martin L. King, V. Havel, Papa Shën Gjon Pali dhe e Lumja Nënë Terezë, dr. Ibrahim Rugova jetoi e veproi deri në fund për popullin dhe vendin e tij, duke lënë kështu një trashëgimi të jashtëzakonshme si njeri i kulturës, si kultivues i paqes e burrë shteti largpamës.







All the contents on this site are copyrighted ©.