2015-01-21 13:18:34

Audiencë private e Papa Françeskut me Presidenten e Kosovës Jahjaga


Sot paradite 21 janar, në Vatikan, Papa Françesku priti në audiencë private Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga. Gjatë takimit të përzemërt u përmenden marrëdhëniet e mira dhe rëndësia e komunikimeve të drejtpërdrejta ndërmjet Selisë së Shenjtë e Kosovës.
Presidentja Jahjaga falënderoj Papën për vizitën e sotme private, për vëmendjen që ka ndaj popullit e Vendit, për mesazhet e paqes e vëllazërimit ndërmjet njerëzve e bashkësive të ndryshme fetare që Ati i Shenjtë nuk pushon së predikuari. Pastaj Presidentja e njoftoi Papën për gjendjen në Kosovë, për arritjet dhe sfidat që demokracia e re ka para vetes në një shoqëri shumëkulturore e shumëfetare.
Presidentja Jahjaga tha se më bënë përshtypje shumë të mirë njohuritë që kishte Papa Françesku për realitetin e Kosovës. Ai e vlerësoi traditën e bashkëjetesës ndërfetare e pluralizmin në vend. Në takim nuk mungoi as përmendja e kontributit dhe rolit të Kishës katolike të vendit në promovimin e paqes e të vlerave vëllazërore, duke respektuar çdo qytetar e bashkësi.
Së fundi u përmenden edhe disa nga sfidat e Kosovës e të rajonit, si lufta kundër varfërisë dhe ndërtimi i indit të shëndoshë shoqëror për të mirën e të gjithëve.
Pas takimit privat, Presidentja Jahjaga i prezantoi Papa Françeskut anëtarët e delegacionit dhe e falënderoi përzemërsisht për këtë vizitë të paharrueshme e tejet të rëndësishme.
Menjëherë pas audiencës me Papën, Presidentja e Republikës së Kosovë, Atifete Jahjaga vizitoi Radio Vatikanin dhe Redaksinë e Programit Shqip. Gjatë kësaj vizite realizuam edhe një intervistë me Presidenten Jahjaga.
Gjatë intervistës, që po ju propozojmë, mes tjerash, Presidentja Jahjaga kujtoi “faktin që Vatikani ka qenë gjithmonë pranë popullit të Kosovës, posaçërisht në momentet më të vështira në të kaluarën si dhe gjatë procesit të ri” që tashmë ka ndërmarrë. Presidentja tha se “është më rëndësi që ne kemi një komunikim të drejtpërdrejtë me Selinë e Shenjtë e Vatikanin”. “Po kështu më ka impresionuar përkrahja e fuqishme që kemi pasur nga Selia e Shenjtë”. Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet Shtetit laik e komuniteteve fetare, Presidentja Jahjaga tha se “..bashkësitë fetare kanë qenë pjesë e të gjitha proceseve demokratike të ndërtimit të Shtetit tonë dhe janë sakrifikuar për arritjet që janë realizuar”. “Kosova është shtet laik e fetë e shteti janë të ndara, po këto kanë rol të rëndësishëm, e tek ne komunitetet fetare nuk nxisin e nuk predikojnë dhunë”. Gjatë intervistës u kujtua sot figura e vepra e Presidentit I. Rugova në përvjetorin e vdekjes, pastaj u fol edhe për detyrimet që ka Shteti e qeveria ndaj qytetarëve e ndaj bashkësisë ndërkombëtare, si dhe për synimet që ka Vendi. Po më hollësisht të ndjekim intervistën e dom David Gjugjës me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga rreth këtyre argumenteve.....RealAudioMP3
Takimi me Papa Françeskun dhe vlerësimi i kësaj vizite në Vatikan si Presidente e Kosovës...
Kontributi e roli i komuniteteve fetare në shoqërinë kosovare....
Marrëdhëniet Shtet-Kishë katolike në Kosovë e bashkëpunimi në fusha të ndryshme si ajo e kulturës....
Arritjet dhe sfidat e Kosovës si shoqëri demokratike...
Kriza ekonomike dhe fenomeni i largimit të qytetarëve nga Vendi, perspektivat...
Çështja e njohjes së Kosovës në organizmat e ndryshëm të Bashkësisë Ndërkombëtare...
Mesazhi Presidentes Jahjaga për Vendin pas takimit me Papën në Vatikan..







All the contents on this site are copyrighted ©.