2015-01-20 15:56:57

Papa: filipinasit më prekën në shpirt. Ndoshta, në Afrikë, në fund të vitit


Një bilanc për vizitën e ngarkuar me veprimtari dhe emocione në Filipine e edhe një sërë konsideratash rreth temave me peshë të madhe publike: nga korrupsioni, tek institucionet civile e kishtare; nga problemi i “kolonializmit ideologjik” tek teoria e gjinisë (gender) e tema e parandalimit të shtatzanisë. E pastaj, disa caqe të reja për shtegtimet e ardhshme apostolike: në Afrikë e në Amerikën Latine brenda vitit 2015. E gjithë kjo, në takimin e Papës Françesku me gazetarët gjatë fluturimit të avionit nga Manila, në Romë.

Sidomos “gjestet”. E dashurinë, që e shoqëroi kudo! Pyetjes ç’ mori me vete nga Filipinet, Papa Françesku iu përgjigj “gjestet”, duke e përsëritur “gjestet”: këta e prekën më thellë, sepse nuk ishin “gjeste protokollare”, por shprehje e një entuziazmi të pafundmë, të dalë nga thellësia e zemrës. Më preku posaçërisht, shtoi, kur një baba përpiqej ta ngrinte të birin sa më lart, mbi turmë, për të marrë bekimin e Papës e, me një shprehje lumturie në fytyrë, pasi e kishte marrë, dukej sikur donte të thoshte: “Ky është thesari im, ardhmëria ime, dashuria ime”.
“Gjesti i atësisë, i amësisë, i entuziazmit, i gëzimit (…). Një popull, që di të vuajë, që është i aftë të ngrihet përsëri në këmbë e të ecë përpara. Dje, në bisedën që pata me babain e Crystal, vajzës vullnetare, vdekur në Tacloban, u forcova (nga ajo që më tha): “Vdiq në shërbim”. E kërkonte fjalë për t’u ngushëlluar, për ta pranuar këtë ngjarje”.
Gjestet, të cilat e prekën thellë zemrën e Papës, ishin edhe ato të njerëzve, që shpëtuan nga tufani i Taklobanit. “Të shikosh, pohoi Papa, gjithë këtë popull të Hyjit duke u lutur pas kësaj katastrofe“, më bëri ta ndjej veten “ të shastisur, gati-gati pa zë”.
Natyrisht që kujtimi i kësaj ngjarjeje edhe tani, që është larg, vijon ta prekë thellë, por toni i Françeskut ndryshon, kur një nga gazetarët e pyet për shtegtimet apostolike që mendon të bëjë muajt e ardhshëm. Siç e ka zakon, Papa përgjigjet drejtpërdrejt, duke kujtuar agjendën e tij e duke saktësuar se është fjala për hamendje, ende në studim.
“Po jap një përgjigje të përafërt, që nuk është ende plotësisht e saktë. Por plani është për të shkuar në Republikën Qendrafrikane e në Ugandë. Sivjet. Besoj se do të jetë nga fundi i vitit… ndërsa tre vendet latinoamerikane parashikohen për këtë vit –por gjithçka është ende në studim e sipër: Ekuador, Bolivi, Paraguaj. Këto të tre. Vitin e ardhshëm, në dashtë Zoti, dëshiroj të bëj - ndonëse nuk është parashkuar akoma - një shtegtim në Kili, Argjentinë e Uruguaj.”.
Françesku përjashton, për arsye logjistike, Kaliforninë, në rastin e Shenjtërimit të Junipero Serra-s, shtatorin e ardhshëm, në shenjtëroren e Washingtonit e, saktëson se, për arsye të ngjashme, përjashton edhe hyrjen në SHBA nga Meksiko, ndonëse e di mirë se ky do të ishte gjest vëllazërimi ndaj emigrantëve.
Kur i drejtohet pyetja rreth një teme të denoncuar një mijë herë, asaj të korrupsionit, Papa Françesku ripohon se kjo e keqe dhe kriminaliteti, që e pason, janë problem botëror, i cili e bën strofkën, më lehtë se kudo, në institucionet, përveçse në njerëzit e veçantë, duke shkaktuar më shumë viktima ndërmjet të varfërve. Njëlloj edhe kur të korruptuarit janë të Kishës e në Kishë. E këtu Françesku tregon një episod nga koha e shërbesës së tij në Buenos Aires, ku dy funksionarë i patën propozuar shuma të mëdha parash për “Villas miserias”, të cilave u ishte kushtuar me zell të madh. Shumë para, por me kusht që t’i merrnin gjysmat për vete, e Bergoglio i pati nisur duarbosh, me një ironi çarmatosëse:
“Besoj se Kisha duhet të japë shembull gjithnjë më shumë për këtë, duhet të refuzojë çdo mendësi të botës. Për ne, të kushtuarit, ipeshkvij, priftërinj, motra, laikë, që besojnë me të vërtetë, kërcënimi më i rrezikshëm është mendësia e botës. Tejet e pakëndshme të shikosh njeriun e shuguruar, njeriun e Kishës, murgeshën, të pushtuar nga mendësia e botës. E keqe kjo! Nuk është udha e Jezusit! Është udhë e një OJQ, që quhet Kishë e Jezusit, kjo OJQ”.
Disa gazetarë kërkuan që Papa t’u sqaronte dy mendime, shprehur në konferencën e shtypit gjatë fluturimit në Manilë: njëri, çështja e ‘grushtit’ – si etiketohet këto ditë në media. Pyetën, pra, cilat janë kufijtë e lirisë së shprehjes. Françesku ripohoi se në “teori” të gjithë janë dakord me sjelljen e faqes tjetër, në rast provokimi, por realiteti është se ‘jemi njerëz me mish e me gjak” e, prej këndej, një fyerje e përsëritur mund edhe të shkaktojë kundërveprim të gabuar. Prandaj, shtoi Papa, nuk është keq të jesh i kujdesshëm. Argumenti i dytë, një shprehje tjetër e përdorur nga Papa, ajo e “kolonizimit ideologjik”. Edhe këtu Françesku rrëfei një episod, ndodhur 20 vjet më parë, kur një ministri të arsimit publik, pasi kërkoi një shumë të madhe borxh që të ndërtonte shkolla për të varfrit, iu vu si kusht të përfshinte në programet shkollore një libër, që mësonte teorinë e gender:
“Ky është kolonizim ideologjik; hyjnë në popull me një ide, që s’ka të bëjë fare me popullin: me grupe të popullit, por jo me popullin, e kolonizojnë popullin me një ide, që pritet të ndryshojë ose do të ndryshojë një mendësi a një strukturë(…). Po kjo nuk është ndonjë gjë e re. Këtë bënë edhe diktaturat në shekullin e kaluar. Hynë me doktrinën e tyre. Mendoni për Balilat, për Rininë Hitleriane. E kolonizuan popullin, deshën ta bënin sipas dëshirës së tyre. Por sa vuajtje. Popujt nuk duhet ta humbasin lirinë”.
Temë tjetër është ajo e parandalimit të shtatzanisë, lidhur me mitin e rremë se të krishterët dëshirojnë të lindin shumë fëmijë. Papa kujtoi se Kisha e ka mbrojtur gjithnjë parimin e atësisë e të amësisë së përgjegjshme, që pasqyrohet në “Humanae Vitae” të Palit VI, i cili u quajt ‘profet’ e jo Papë “i mbyllur”:
“Ai shikonte Maltuzianizmin e ri universal, që po përhapej… Këtë Maltuzianizëm të ri, që kërkonte kontrollin e njerëzimit nga ana e fuqive të mëdha. Kjo nuk do të thotë se i krishteri duhet të bëjë fëmijë pas fëmijësh. Unë e qortova, pak muaj më parë, një grua të një famullie, sepse ishte shtatzënë në të tetat, pas shtatë operacioneve çezariane: “Po ju dëshironi t’i lini jetimë të shtatët?”, i thashë. Kjo do të thotë ta tundosh vetë Zotin! Flitet, pra, për atësi plot përgjegjësi”.
Lidhur me thirrjen e Papës drejtuar vendeve islamike, që të mbajnë qëndrim kundër fraksioneve terroriste, Françesku shprehu besimin se, me kohë, shumë njerëz të mirë të botës myslimane do të ndikojnë më tepër në këtë drejtim. Saktësoi, pastaj, se audienca e dëshiruar nga Dalai Lama nuk u realizua, sepse “është zakon i protokollit të Sekretarisë së Shtetit” të mos i presë krerët e Shteteve ose të këtij niveli, kur janë të angazhuar në Romë në ndonjë takim ndërkombëtar:
“Pra shkaku nuk ishte refuzimi i personit e as frika për Kinën. Po, ne jemi me zemër të hapur; e dëshirojmë paqen me të gjithë. E si shkojnë marrëdhëniet? Qeveria kineze është e edukuar. Por edhe ne jemi të edukuar e i bëjmë gjërat hap pas hapi, siç bëhen hapat në histori, apo jo? Nuk dihet akoma, por ata e dinë se unë jam gati t’i pres ose të shkoj. E dinë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.