2015-01-20 15:58:07

Dy fjalë për jetëshkrimin e kardinajve të rinj: Imzot Dominique Mamberti


Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot të 4 janarit 2015, Papa Françesku shpalli emrat e kardinajve të rinj, që do t’i emërojë në Koncistorin e 14 shkurtit të ardhshëm.
Siç është njoftuar tashmë, më 14 shkurt, tha Papa, do të kem gëzimin të mbaj një Koncistor, gjatë të cilit do të emëroj 15 kardinaj të rinj që, të ardhur nga 14 Kombe të çdo Kontinenti, shprehin lidhjen e pandashme ndërmjet Kishës së Romës dhe Kishave të veçanta. Të diel, më 15 shkurt, do të kryesoj një bashkëkremtim solemn me Kardinajtë e rinj, për të reflektuar lidhur me orientimet dhe propozimet për reformën e Kuries Romake.
Shpalli, pastaj, listën e bashkëpunëtorëve të tij të rinj, të ngushtë, përfaqësues të pesë kontinenteve, që do ta ndihmojnë në drejtimin e Kishës Universale.
Po ç’merita kanë këta njerëz të Kishës, që të marrin mbi vete një detyrë kaq të lartë, pranë Papës, për ungjillëzimin e njeriut e të njerëzimit?
Menduam të flasim, shkurtmisht, për jetëshkrimin e tyre, që t’i njohim më për së afërmi, duke nisur nga Imzot Dominique Mamberti, Kryeipeshkëv titullar i Sagonës, Prefekt i Gjykatës së Lartë të Senjaturës Apostolike.

Imzot Dominique Mamberti, Kryeipeshkëv titullar i Sagonës, prefekt i Gjykatës së Lartë të Senjaturës Apostolike, lindi në Marrakech, në kryedioqezën e Rabatit (Marok), më 7 mars 1952. U shugurua meshtar më 20 shtator 1981, për dioqezën e Ajaccio (Korsikë- Francë).
U diplomua në Drejtësi Kanonike Civile.
Hyri në Shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë më 1 mars 1986. Shërbeu në Përfaqësitë Papnore në Algjeri, Kili, në Misionin e Përhershëm pranë OKB-së në New York, në Liban e së fundi, pranë Seksionit për Marrëdhëniet me Shtetet të Sekretarisë së Shtetit.
Më 18 maj 2002 u emërua Nunc Apostolik në Sudan dhe Delegat Apostolik në Somali. U zgjodh edhe në Selinë titullare të Sagonës, me dinjitetin e Kryeipeshkvit. Mori shugurimin ipeshkvnor më 3 korrik 2002.
Më 19 shkurt 2004 u emërua edhe Nunc Apostolik në Eritre.
Më 15 shtator 2006 Ati i Shenjtë, Benedikti XVI, e emëroi Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet pranë Sekretarisë së Shtetit.
Më 8 nëntor 2014 u emërua nga Papa Françesku Prefekt i Gjykatës së Lartë të Senjaturës Apostolike
Më 4 janar 2015, kardinal.
Kur e mori lajmin e emërimit, tha:
“Zemra ime është plot me mirënjohje ndaj Atit të Shenjtë për besimin që tregoi ndaj meje, duke më emëruar ndërmjet kardinajve, që më pas, janë këshilltarë të tij”.








All the contents on this site are copyrighted ©.