2015-01-19 16:22:56

Në Evropë, 20 celula të heshtura. Në Niger, digjen shtatë kisha


Alarmi kundër terrorizmit mbetet i lartë në gjithë Evropën. Ndërkaq, në Niger, janë djegur shtatë kisha, pas dhunës, që shpërtheu si protestë kundër publikimit të karikaturave të reja nga e përjavshmja satirike franceze “Charlie Hebdo”. Sot, policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë rreth njëmijë demonstrues në kryeqytetin Niamey. Gjatë 48 orëve të fundit, protestat u kanë kushtuar jetën 4 vetëve, ndërsa manifestuesit kanë djegur shtatë kisha, kanë plaçkitur banesat e disa të krishterëve e kanë sulmuar një qendër kulturore franceze.
Në Evropë, shërbimet e sigurimit njoftojnë se mund të jenë deri në 20, celulat xhihadiste të heshtura, që janë gati të veprojnë në Francë, Gjermani, Belgjikë e Holandë. Veçanërisht, nga Belgjika, njoftohet se celula e zbuluar në Vervier udhëhiqet nga një person me origjinë marokene, aktualisht në Greqi, që ka luftuar në Siri përkrah milicëve të ISIS-it. Në Itali, ministri i jashtëm, Gentiloni, lajmëroi se “alarmi terrorizëm është në nivelin 7 në një shkallë prej 10 nivelesh”.Lista e të dyshuarve përmban 59 vetë, por mëse 100, vëzhgohen nga afër. Që nga dhjetori, janë përjashtuar nga vendi nëntë vetë, për arsye sigurie.








All the contents on this site are copyrighted ©.