2015-01-16 12:24:31

Papa: “jo”, padrejtësisë shoqërore. Dëgjojeni zërin e të varfërve


Pas vizitës së kortezisë tek presidenti filipinas, Benigno Aquino III, Papa Françesku u takua me autoritetet dhe Trupin diplomatik, në pallatin presidencial të Manilës. I shkurtër fjalimi i Atit të Shenjtë, por preku aspektet më të rëndësishme të shoqërisë filipinase, e cila 500 vjet më parë u njoh për herë të parë me Ungjillin e Krishtit, duke u bërë më pas vendi më katolik i Azisë. RealAudioMP3

Papa shprehu keqardhjen e tij për vuajtjet, dëmet e shkatërrimet e shkaktuara nga tajfuni Jolanda. Vështirësitë, nënvizoi, janë përballuar me forcë, me fe e me qëndresë heroike. Është rasti që gjendja të shfrytëzohet për ta rindërtuar edhe më të bukur vendin, theksoi Ati i Shenjtë:

“Sot, Filipinet, së bashku me shumë kombe të tjera të Azisë, gjenden para kërkesës për të ndërtuar një shoqëri moderne, themeluar mbi baza të qëndrueshme, një shoqëri që të respektojë vlerat e vërteta njerëzore, që mbron dinjitetin dhe të drejtat e njeriut, bazuar në Zotin e, që të jetë gati për të përballuar probleme të reja e të ndërlikuara etike dhe politike”.

Arritja e këtyre objektivave, vazhdoi Papa Françesku, varet sidomos nga ndershmëria, integriteti dhe përgjegjësia e administratorëve publikë për të mirën e përbashkët. Kjo është edhe rruga për t’u transmetuar brezave të ardhshme një shoqëri, bazuar mbi drejtësinë, solidaritetin dhe paqen:

“E domosdoshme për realizimin e këtyre objektivave kombëtare është detyra morale për të siguruar drejtësinë shoqërore dhe respektimin e dinjitetit njerëzor”.

Të gjithë popujt, theksoi Papa Françesku, e kanë për detyrë ta dëgjojnë zërin e të varfërve dhe të thyejnë zinxhirët e padrejtësisë dhe të shtypjes, bazë e pabarazive shoqërore të dukshme e shkandulluese. Pikërisht për këtë arsye, ipeshkvijtë e Filipineve e kanë shpallur vitin 2015 si “Vitin e të varfërve”. Themelor, edhe për luftën kundër varfërisë, sipas Papës, është roli shoqëror i familjes:

“Është familja, vendi ku fëmijët rriten me vlera të shëndosha, me ideale të larta e me kujdes të sinqertë për të tjerët. Por, si të gjitha dhuratat e Zotit, familja mund edhe të shpërfytyrohet e të shkatërrohet. Ajo ka nevojë për mbështetje”.

Demokracitë tona, përfundoi Papa, duhet ta mbrojnë dinjitetin e njeriut, lirinë e ndërgjegjes e të fesë, të drejtën e patjetërsueshme për jetën, duke filluar nga fëmijët e palindur akoma deri tek të moshuarit e të sëmurët. Ati i Shenjtë u kërkoi Filipineve të kontribuojnë në mirëkuptimin e bashkëpunimin ndërmjet kombeve aziatike, në dialogun ndërfetar e në respektimin e të drejtave të popullsive indigjene e të pakicave fetare.








All the contents on this site are copyrighted ©.