2015-01-16 11:46:46

Papa në Manila denoncon: korrupsioni plagë shoqërore që rëndon mbi të varfrit


Çdo i krishterë duhet të jetë i ndershëm, por edhe të krijojë ato, që Papa Françesku i quajti “rrethe ndershmërie”. Ati i Shenjtë, në ditën e pestë të udhëtimit të tij apostolik në Sri Lankë e Filipine, kremtoi sot meshën në katedralen e Manilës, kushtuar klerit të vendit. Para 2 mijë të pranishmwve - rregulltarë, meshtarë e seminaristë e murgesha - Papa, pa letër, nënvizoi sërish me forcë se janë të varfërit në qendër të Ungjillit e u bëri thirrje bashkësive të krishtera t’u qëndrojnë pranë të përjashtuarve nga shoqëria. Nuk mungoi të theksojë edhe një herë bukurinë e martesës së krishterë.RealAudioMP3
“Të varfërit janë në qendër të Ungjillit, janë zemra e Ungjillit… Nëse i largojmë të varfërit nga Ungjilli, nuk mund ta kuptojmë mesazhin e Krishtit”.

Papa iu drejtua rregulltarëve, duke i quajtur “ambasadorë të Krishtit”. “Ne – nënvizoi – duhet të jemi të parët, që e refuzojmë perspektivën e kësaj bote, për t’i dhënë mundësi Fjalës së Zotit të na shndërrojë”. Ati i Shenjtë u kërkoi të pranishmëve të mos kenë frikë nga ndryshimet e të mos bëjnë kompromise me mendësinë e kësaj bote. Ekziston rreziku i rënies në një lloj materializmi, që shprehet përmes vetëkënaqësisë për çfarë jemi e çfarë përfaqësojmë si të krishterë, gjë që na bën të largohemi nga vëllezërit e motrat më të varfëra. Duhet të jemi ne vetë të varfër, theksoi Papa, për t’i kuptuar e për t’u dhënë përgjigjen e duhur pabarazive shoqërore:
“Kisha në Filipine duhet të njohë e të luftojë shkaqet e pabarazisë e të padrejtësisë, thellësisht të rrënjosura, që e njollosin fytyrën e shoqërisë filipinase, në kundërshtim të hapur me mësimet e Krishtit”.
Ungjilli, u kujtoi Papa gjithë të krishterëve, i kërkon secilit të jetojë ndershmërisht e të angazhohet për të mirën e përbashkët. Bashkësitë e krishtera duhet të krijojnë rrethe ndershmërie, rrjete solidariteti, që mund të shtrihen në gjithë shoqërinë e ta shndërrojnë atë përmes dëshmisë profetike. Ati i Shenjtë i kujtoi Kishës e vendit, pasurinë kulturore, trashëguar nga e kaluara:
“Ndërsa Kisha në Filipine përgatitet për 500 vjetorin e ungjillëzimit, jemi mirënjohës për trashëgiminë e shumë ipeshkvijve, meshtarëve e rregulltarëve të brezave të shkuar. Ata u përpoqën jo vetëm të predikojnë Ungjillin e të ndërtojnë Kishën e këtij vendi, por edhe të farkëtojnë një shoqëri të frymëzuar nga mesazhi ungjillor i dashurisë, i faljes dhe i solidaritetit për të mirën e përbashkët”.
Papa Françesku u kërkoi gjithë të krishterëve ta vazhdojnë këtë vepër, por sidomos iu drejtua meshtarëve dhe seminaristëve të rinj:
“Qëndrojuni pranë të rinjve, të cilët, duke jetuar në mesin e një shoqërie të rënduar nga varfëria e nga korrupsioni, shkurajohen, tundohen të heqin dorë nga gjithçka, të braktisin shkollën e të jetojnë rrugëve. …Shpalleni bukurinë dhe të vërtetën e martesës së krishterë në një shoqëri, që tundohet nga mënyrat konfuze për ta jetuar seksualitetin, martesën dhe familjen. Siç e dini, këto realitete sulmohen gjithnjë e më tepër nga forca të fuqishme, që kërcënojnë ta shpërfytyrojnë planin krijues të Zotit e të tradhtojnë vlerat, që kanë frymëzuar e i kanë dhënë formë çdo gjëje të bukur në kulturën tuaj. Kultura filipinase është plazmuar nga krijimtaria e fesë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.