2015-01-16 16:12:50

Papa Françesku u bëri një vizitë të papritur fëmijëve të rrugës në Manila


Jashtë programit, siç ndodh tashmë shpesh me Papën Françesku, Ati i Shenjtë shkoi për vizitë në një qendër për fëmijët e rrugës në Manila, menjëherë pas përfundimit të meshës me klerin filipinas. Drejtori i Sallës së Shtypit Federiko Lombardi sqaroi se takimi me rreth 320 fëmijët zgjati gjysëm ore, qe mallëngjyes e u shoqërua me këngë, valle, përqafime dhe shkëmbime dhuratash të thjeshta. Duart e vogla i dhuruan Atit të Shenjtë një shtatore të Zojës prej druri, kopje e asaj të qendrës; një fotografi ku shihej i Shenjtnueshmi Sakrament në mesin e plehrave, vënë aty për t’u adhuruar nga një grup gërmuesish të plehrave; si edhe një mozaik, realizuar nga njëri prej fëmijëve, duke bashkuar copëza letrash me ngjyrë.RealAudioMP3
Në qendër janë strehuar aktualisht rreth 20 fëmijë, për të cilët kujdeset atë Mathieu, një meshtar francez. Papa Françesku foli për këtë takim shumë emocionues edhe gjatë fjalës për familjet e mbledhura pasdite (me orën e Filipines) në Pallatin e Sportit të Manilës. Qe rasti për të ritheksuar vlerat familjare:
“Sot u mallëngjeva shumë pas meshës, kur shkova për vizitë në një shtëpi fëmijësh të vetmuar, pa familje.Njerëzit e Kishës punojnë që kjo shtëpi të jetë familje për ta! Kjo do të thotë t’i japësh, profetikisht, kuptim familjes. Mund të jeni ju vetë të varfër në kuptimin material, por keni kaq shumë dhurata për të ofruar kur u jepni njerëzve Krishtin dhe bashkësinë e Kishës së Tij. Mos e fshihni fenë, mos e fshihni Jezusin, por çojani botës e dëshmoni jetën tuaj familjare!”








All the contents on this site are copyrighted ©.