Liturgjia e Fjalës e dielës së 2të gjatë vitit kishtar ‘B’
Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj
here do të dëgjojmë e meditojë së bashku leximet biblike të dielës së 2-të gjatë vitit
kishtar, ciklit të dytë sipas kalendarit liturgjik të kishës. Fjala e Zotit në
këtë të diele na flet për thirrjen e Zotit: thirrjen e Samuelit që do të bëhet një
profet i madh, thirrjen e apostujve të parë nga ana e Jezusit, thirrjen e secilit
prej nesh që të bëhemi sipas Shën Palit, imitues të Krishtit. Sot liturgjia na fton
të jemi dëshmitarë: Zoti na thërret, siç ka bërë për apostujt, ta ndjekim dhe ta përhapim
në botë praninë e Tij. Tetëditëshja e lutjes për bashkimin e të krishterëve na tregon
një fakt konkret të dëshmisë: të fillojmë ti eliminojmë ndarjet dhe moskuptimet në
mes apostujve të Krishtit, në mënyrë që të jemi shenjë e bashkimit ndërmjet Kishave
për botën. Leximi i Parë ( 1Sam 3,3b-10.19) Fol o Zot, se shërbëtori
yt të dëgjon. Samueli i vogël nuk e njeh akoma Zotin. Falë mësuesit të tij, meshtarit
Eli, do të jetë i udhëhequr për të dëgjuar zërin e Zotit. Nga Psalmi 39. Ja,
unë vij o Zot për të kryer vullnetin tënd. Edhe ne i drejtojmë Zotit “Ja-në” tonë
nëpërmes lutjes Psalmit ( në seksionin Himnet në Meshë, himni i një refreni ......të
psalmit). Leximi i Dytë ( 1Kor 6,13c-15a. 17-20) Gjymtyrët tuaja janë
pjesë e Krishtit. Zoti na ka shpëtuar “me çmim të shtrenjtë”, nëpërmes vdekjes së
tij në kryq. Shën Pali na fton të jetojmë në përputhje të qenurit tonë tempull i Shpirtit
Shenjt. Ungjilli (Gjn 1,35-42) E panë ku jetonte dhe qëndruan me të. Takimi
me Jezusin ndryshon jetën. Apostujt e parë e bëjnë këtë përvojë dhe nga ai moment
për ta fillon një kohë e re, një mision i ri, një identitet i ri.
Liturgjia e Fjalës Leximi i parë1 Sam 3, 3-10.19 Përshkruhet
thirrja e Hyjit drejtuar Samuelit. Pas dyshimeve të para, mungesës së përvojës dhe
këshillave të të moshuarit Eli, djaloshi fillon të dëgjojë dhe t’i bindet Zotit, dhe
nga ai moment kupton dhe pranon urdhërimet e tij. Fjala e Hyjit na paraqet me ngulm
Samuelin që është gjithmonë i kujdesshëm ndaj zërit të Hyjit dhe nuk humbet asnjë
fjalë të tij. Lexim prej Librit të parë të Samuelit Në ato ditë,
Samueli po flinte në Tempullin e Zotit, aty ku ishte Arka e Hyjit. Zoti e thirri Samuelin.
Ai iu përgjigj: “Urdhëro!” U lëshua vrap tek Heliu e i tha: “Urdhëro! Ti më thirre.”
Heliu i tha: “Unë nuk të kam thirrur! Kthehu e fli!” Ai shkoi e ra të flinte. Zoti
përsëri e thirri Samuelin. Samueli u ngrit, shkoi te Heliu e i tha: “Ja ku jam, sepse
më thirre.” Ai iu përgjigj: “Nuk të kam thirrur, biri im. Kthehu e fli!” Samueli ende
nuk e njihte Zotin. Fjala e Zotit ende nuk i ishte zbuluar. Por Zoti e thirri përsëri
Samuelin për të tretën herë. Ky u ngrit e shkoi te Heliu e i tha: “Urdhëro, sepse
më ke thirrur!” Atëherë Heliu e mori vesh se Zoti e kishte thirrur djaloshin dhe i
tha Samuelit: “Shko e fli! Nëse të thërret përsëri thuaji: ‘Fol, o Zot, se të dëgjon
shërbëtori yt!’” Samueli shkoi e fjeti në vendin e vet të rëndomtë. Zoti erdhi e qëndroi
pranë tij. E thirri siç e kishte thirrur më parë: “Samuel, o Samuel!” E Samueli u
përgjigj: “Fol, shërbëtori yt dëgjon.” Samueli u rrit. Zoti ishte me të, e nuk lejoi
që asnjë prej fjalëve të tija të shkonte hupëse. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!
Psalmi
40 Ja, po vij, o Zot, për ta kryer vullnetin tënd Me shpresë të gjallë
shpresova në Zotin, dhe ai u prirë drejt meje, e vështroi britmën time. Në gojë
më vuri një këngë të re, himnin e Zotit, Hyjit tonë.
Fli e dhurata ti nuk do, vetë
ma zbulove vullnetin tënd: fli shkrumbimi e pendestare nuk kërkon, atëherë thashë:
‘Ja, po vij unë’.
Në Librin e Ligjit shkruan për mua: “Të kryej vullnetin
tënd, Hyji im, dëshiroj, Ligji yt është në thellësinë e zemrës sime. Drejtësinë
tënde e shpalla në kuvendin e dheut, shih, nuk i mbaj të mbyllura buzët, o Zot, ti
e di
Leximi i dytë 1 Kor 6, 13-15.17-20 Shën Pali u kujton të
krishterëve të Korintit dinjitetin e trupave të tyre, të cilët tani nëpërmjet pagëzimit,
janë pjesë të Krishtit dhe tempull i Shpirtit Shenjt. Na kujton detyrën për të lavdëruar
Zotin në trupin tonë me një sjellje të denjë të atyre që janë pjesë e trupit të Krishtit.
Trupi, si tempull i Shpirtit, është i paracaktuar të bëhet vendbanim i Trinisë. Për
këtë duhet të kemi kujdes për trupin.
Lexim prej Letrës së parë të shën
Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, trupi nuk është për fëlligështi,
por për Zotin, e Zoti për trupin. Tani, Hyji që e ngjalli Zotërinë me fuqinë e vet,
edhe ne do të na ngjallë. A nuk e dini se trupat tuaj janë gjymtyrë të Krishtit?
A do t’i marr, pra, gjymtyrët e Krishtit e do t’i bëj gjymtyrë të një lavireje? Mos
e thashtë Zoti! Kurse ai që shpirtërisht bashkohet me Zotin, është me Të një shpirt.
Ikni prej fëlligështisë! Çdo mëkat që bën njeriu është jashtë trupit, kurse ai njeri
që bën fëlligështi, mëkaton kundër trupit të vet. Apo nuk e dini se trupi juaj është
Tempulli i Shpirtit Shenjt që banon në ju që e keni prej Hyjit dhe se ju nuk i përkitni
më vetvetes? Sepse jeni blerë me çmimin! Prandaj, jepni lavdi Hyjit në trupin tuaj!
Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin
Aleluja. Aleluja. Fol, o Zot,
shërbëtori yt dëgjon. Ti i ke fjalët e jetës së pasosur. Aleluja.
Ungjilli
Gjn 1, 35-42 Apostulli Gjon na tregon për thirrjen drejtuar dishepujve
të parë Andrea dhe Gjoni. Gjon Pagëzuesi duke u takuar me Jezusin fton dishepujt
e tij të bëhen ndjekësit e parë të Mësuesit hyjnor. Jezusi përcaktohet si Qengji
i Hyjit, Mësuesi, Mesia. Me pak fjalë janë përmbledhur natyra njerëzore dhe hyjnore
e Krishtit Jezus. Hyji i fton njerëzit të bashkëpunojnë me Krishtin duke u ofruar
miqësinë e tij dhe duke u kërkuar gatishmërinë e tyre.
Leximi i Ungjillit
shenjt sipas Gjonit
Në atë kohë, Gjoni ishte bashkë me dy prej nxënësve
të vet dhe, kur e pa Jezusin duke kaluar andej, tha: “Qe, Qengji i Hyjit!” Dy nxënësit
e tij dëgjuan ç’tha dhe u nisën mbas Jezusit. Jezusi, kur pa se po e ndiqnin, u kthye
dhe i pyeti: “Çka kërkoni?” Ata i përgjigjën:“Rabbi (që do të thotë: Mësues), ku banon?”
“Ejani e shihni!” – u përgjigji. Ata shkuan e panë ku banonte dhe atë ditë ndenjën
tek ai. Ishte rreth orës katër pasdite. Njëri prej atyre të dyve që, kur e dëgjuan
Gjonin, u nis mbas Jezusit, ishte Andreu, i vëllai i Simon Pjetrit. Ky më të parin
gjeti vëllain e vet, Simonin, dhe i tha: “E gjetëm Mesinë (që do të thotë: të Shuguruarin)!”
Dhe e solli te Jezusi. Jezusi e shikoi dhe i tha: “Ti je Simoni, biri i Gjonit! Ti
do të quhesh Kefë!” (që do të thotë: Pjetër-Shkëmb). Fjala e Zotit. Lavdi të
qoftë ty, o Krisht!
Më tepër mbi programin e liturgjisë së Fjalës së
Zotit të kësaj së diele mund të dëgjoni edhe këtu...