2015-01-16 14:26:48

Gjergj Kastrioti Skënderbeu në përvjetorin e vdekjes


Kujtojmë Gjergj Kastriotin Skënderbeun në përvjetorin e vdekjes . Më 17 janar bie përvjetori i vdekjes së Heroit Kombëtar Shqiptar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Atletit të Krishtit e të krishterit të flaktë, sikur e quajtën Papët e Romës.
Gjergj Kastrioti ka hyrë në histori si një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës, si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte taborret e ushtrisë osmane, më të organizuarat dhe më modernet e kohës së vet, si një burrë i madh shteti, që udhëhoqi luftën për pavarësi të kombit vet shqiptar kundër pushtuesit osman, e punoi edhe për bashkimin politiko-shtetëror të popullit shqiptar.
E pikërisht me Kuvendin e Lezhës më Gjergj Kastrioti Skënderbeu vuri themelet e një shteti arbër të organizuar – as para tij as pas tij princat shqiptarë nuk mundën të gjenin rrugën e bashkimit kombëtar. Për 25 vjet me rradhë Skënderbeu mbrojti lirinë e popullit dhe të vendit të vet dhe lufta e tij pengoi përhapjen osmane drejt Evropës, për çka fitoi mirënjohjen e Shteteve Evropiane dhe të Papatit të Romës që kur ka qenë gjallë dhe shumë më tepër pas vdekjes.
Në qiellin shqiptar emri i Skënderbeut ka qenë një yll polar për gjithë brezat pasardhës, burim frymëzimi për rilindasit, shembull i ndritur për t’u pasur në betejat e ndryshimeve për t’i kthyer popullit lirinë, dinjitetin, bashkimin e hapur, rrugën e përparimit.
Në figurën e pavdekshme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, populli shqiptar kurdoherë ka shembullin dhe simbolin e bashkimit, të vëllazërimit, të lirisë, të atdhedashurisë, të harmonisë e të demokracisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.