2015-01-15 13:27:52

Koncert Humanitar në Katedralen e Prishtinës


Të martën e kaluar në Kishën Katedrale “Nënë Tereza” në Prishtinë, koncerti me rastin e vitit të ri, u mbajt në shenjë solidariteti me popullin francez goditur nga sulmet terroriste. Një koincidencë kohore dhe simbolike, që përkoi me ngjarjet tragjike të Parisit, ku miliona njerëz nga mbarë globi manifestuan për liri të fjalës e për tolerancë fetare. Dënimit të akteve barbare të Parisit iu bashkua edhe Kosova me një koncert humanitar, po më hollësisht nga Prishtina të ndjekim shërbimin e Rabie Ibrajt....RealAudioMP3
Orkestra Ushtarake e Gjermanisë ka zgjedhë Kosovën, përkatësisht Katedralen ‘Nënë Tereza’ në Prishtinë për të shënuar ndërrimin e viteve me një koncert humanitar. ‘Marshi Ceremonial’, quhej vepra që hapi koncertin e së martës së kaluar, e më pas edhe me tingujt klasikë të veprave tjera të kompozitorëve të mëdhenj, nën dirigjimin e nënkolonelit, Ronald Kahle, përcolli mesazhe paqeje për tolerancë fetare dhe liri të fjalës. Katedralja ishte e mbushur me artdashës dhe koncerti u pëlqye shumë prej tyre, ndërsa ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, këtë mbrëmje koncertale e vlerësoi nga shumë aspekte. Më lejoni tha ajo, të them me ton të veçantë, se të kesh Bendin Ushtarak Muzikor në Katedralen e Prishtinës është një koincidencë kohore dhe simbolike, duke theksuar se javën e kaluar të gjithë kanë pasur mundësi të shohin sulmin vdekjeprurës ndaj revistës ‘Charlie Hedbo’ në Paris të Francës që shtyu mijëra njerëz nga mbarë globi që të mblidhen e të bëjnë thirrje për liri të fjalës dhe për tolerancë fetare. Ajo tha më tej se, njerëzit e Kosovës ishin në Paris ndër të parët, por edhe në Prishtinë, me dënimin e atij akti barbarë, me ndezjen e qirinjve, lutjet për shpitin e viktimave të pafajshme dhe për lirinë e fjalës. ‘Paqja midis feve e toleranca fetare janë vlera madhështore në një shoqëri që e do paqen dhe nuk do të mund të shkatërrohet nga aktet terroriste’, tha ambasadorja e Gjermanisë. Ajo shtoi se, vënia e themeleve të Katedrales ‘Nëna Terezë’ në Prishtinë ishte udhëhequr në mënyrë ceremoniale nga ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, që vet ishte një mysliman, ndërsa Katedralja i është dedikuar Nënës Terezë, një murgeshe romano-katolike me origjinë etnike shqiptare, e cila për një gjysmë shekulli me punën e saj u ishte përkushtuar të sëmurëve dhe të varfërve ndër më të varfër në Indi dhe më gjerë. Për ambasadoren gjermane, porosia thelbësore dhe një nga virtytet më të rëndësishme të të gjitha feve janë mëshira, dashuria për fqinjin dhe bamirësia ndaj të gjithë atyre që kanë nevojë, pavarësisht etnisë dhe fesë. Në ketë koncert humanitar, të pranishmit dhuruan mjete monetare për bamirësi. E, disa prej tyre nuk pranuan të flasin për shumën, por thanë se edhe Orkestra Ushtarake e Gjermanisë ju dhuroi atyre një atmosferë të jashtëzakonshme në Katedralen ‘Nënë Tereza’ në Prishtinë.







All the contents on this site are copyrighted ©.