2015-01-14 17:04:59

Shenjtëroja e Zojës së Madhusë në Mannar


Historia e Shenjtërores mariane është e gjatë, katërshekullore. Zanafillën e ka në vitin 1544, kur mbreti i Jaffna-s, Sankili, masakroi 600 të krishterë në Mannar (të kthyer në krishterim nga portugezët, që zbarkuan në Ceilon më 1505), duke pasur frikë nga shtrirja e ndikimit portugez. Disa besimtarë, që mundën të shpëtojnë nga masakra, ngritën, në zemër të xhunglës, një vend të vogël lutjeje, duke vendosur aty shtatoren, që gjindet edhe sot e kësaj dite në Shenjtërore. Në vitin 1583, të krishterë të tjerë, të ikur përsëri nga Mannar, nisën të ndërtojnë kisha në viset fqinje. Një prej tyre u ngrit në Mantai, e është “shtëpia” e parë ku nisi “të banojë” Shtatorja e Zojës së Madhu.
Holandezët, si zbarkuan në Ceilon më 1656, nisën një persekutim të egër të katolikëve. Tridhjetë familje katolike, duke kërkuar strehë nga fshati në fshat e duke e mbartur shtatoren me vete në këtë rravgim të vështirë, më 1670 u vendosën në Maruthamadhu, vend ku sot ngrihet Shenjtërorja. Katolikë të tjerë të ikur nga persekutimi holandez, u mblodhën në këtë vend: ndërmjet tyre ishte edhe një grua portugeze, Helena, e cila nisi ndërtimin e një kishe të vogël, kushtuar Zojës së Madhu.
Fama e Zojës u përhap në mbarë Ceilonin, ngaqë përmes ndërmjetësimit të saj ndodhën shërime të mrekullueshme. Shumë njerëz, të kafshuar nga gjarpërinjtë me helm vdekjeprurës, shpëtuan gjallë mrekullisht. E kështu Zoja nisi të njihej si shpëtimtare e pajtore e banorëve. Me ardhjen e atë Jozef Vaz, në vitin 1687, në Madhu nisi një lulëzim i jashtëzakonshëm i katolicizmit. Vendi u shndërrua shpejt në qendër misionare. Ndërtesa e sotme nisi të ndërtohej më 1872, me vendosjen e gurit të parë të Shenjtërores. Legati papnor e kurorëzoi shtatoren më 1924, në emër të Papës Piu XI. Kisha u kushtuar më 1944.
Shenjtëroja e Zojës së Madhu ka qenë e vijon të jetë vend lutjeje, i respektuar e i ndjekur nga besimtarët katolikë e të feve të tjera. Pavarësisht nga kjo, zona e shenjtërores u bërë shesh beteje gjatë ndeshjeve ndërmjet rebelëve tamil e forcave qeveritare. Ipeshkvijtë vendas arritën ta bëjnë Madhu-në zonë e çmilitarizuar, duke garantuar sigurinë e shtegtarëve e të refugjatëve të shumënumërt, që u strehuan gjatë viteve në trojet rreth shenjtërores. Më 1990, të160 hektarët që rrethojnë Shenjtëroren, strehuan mijëra të shpërngulur nga lufta, duke u bërë kamp i mirëfilltë refugjatësh, i njohur si i tillë edhe nga palët në konflikt. Në prill 2008 iu dorëzua përsëri dioqezës së Mannar dhe u rihap për kultin në dhjetor 2010.







All the contents on this site are copyrighted ©.