2015-01-14 16:56:18

Motrat e Nënë Terezës e misioni tyre në Pukë


Pak 22 vitesh, më në fund Misionaret e Dashurisë, Motrat Rregulltare të themeluara nga Nënë Tereza, marrin miratimin e pronës dhe të objekteve që përdorin për misionin e tyre bamirës, në shërbim të popullsisë, sidomos të më të varfërve, pa dallim pa dallim.
Me datën 13 janar, ministria Kodheli shkoi personalisht në Pukë për këtë çështje, ku në praninë e motrave Misionare të Nënë Terezës, ipeshkvit katolik të Sapës, imzot Lucjan Avgustinit e famullitarit dom Giovanni Fiochi, dorëzoi Akt-dhurimin e objektit në fjalë, dhuruar motrave Misionare të Bamirësisë Nënë Tereza. Më hollësisht të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit...RealAudioMP3
Merr fund çështja e zgjidhjes së pronës së shtëpisë së Motrave të Nënë Terezes në Pukë. Prej vitesh motrat e kësaj bashkësie iu ishin drejtuar institucioneve dhe organeve përkatëse me kërkesat e herëpas-hershme për kalimin në pronësi të objektit dhe sheshit të ish – Spitalit Ushtarak dhe Shkolla e lirë ushtarake, në qytetin e Pukës, që me ardhjen e motrave iu ishte dhënë për vendbanim, por asnjëherë nuk morën përgjigjen e duhur. Ndërsa kërkesa e fundit shkruar në shtator të vitit 2014, drejtuar Kryeministrit Rama dhe ministres së Mbrojtjes Kodheli, ka qenë fatsjellëse, ku falë miratimit nga kjo qeveri, pas 22 viteve u bë i mundur Akt-Dhurimi i kësaj prone dhe objekteve që ndodhen në të.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, me datën 13 janar, udhëtoi drejt Pukës vetë ministria Kodheli, ku në praninë e motrave të Nënë Terezes, Ipeshkvit të Sapës, Imzot Lucjan Avgustinit dhe famullitarit dom Giovanni Fiochi, dorëzoi Akt-dhurimin e objektit në fjalë, dhuruar motrave Misionare të Bamirësisë Nënë Tereza. Përmes fjalëve të rastit, znj. Kodheli shprehi mirënjohjen e saj për praninë e Motrave në mes këtyre maleve, që me misionin e tyre të dashurisë dhe bamirësisë arrijnë të ngrohin zemrat e njerëzve të kësaj zone duke ushtruar aktivitetin e tyre shpirtëror dhe human. “Meriton shumë më tepër edhe kisha që shërben në këtë vend të ashpër nga natyra, por jo nga bujaria dhe devotshmëria. Unë kam pasur nderin e jashtëzakonshëm dhe fatin e madh ta takoj të paktën dy herë në jetën time Nënë Terezën. Është detyrimi im si ministre e qeverisë që unë përfaqësoj, ka vijuar më tej ministria Kodheli, që të mundësoja shumë pak për një dokument, i cili duhet të ishte marrë dekada më parë.
Edhe Imzot Avgustini falenderoi Ministren e Mbrojtjes për angazhimin e saj të drejtpërdrejtë, që e nxori këtë çështje tepër të qartë nga sirtarët e kësaj ministrie për t’ia përcjellë Këshillit të Ministrave për miratim, duke i dhënë kështu dritë një herë e përgjithmonë. Ndërsa për vetë motrat e Nënë Terezes, siç u shprehen edhe ato vetë, ky vendim i qeverisë iu dha fund shqetësimeve tona të mëdha që shpesh-herë na ndikonin edhe në mbarëvajtjen e misionit tonë. Shprehim mirënjohjen tonë për gjithë mbështetjen që na dhatë në këtë drejtim dhe lutemi për ju thanë motrat.
Më pas, ministrja Kodheli i dorëzoi përfaqësueses së misionit “Nënë Tereza” në Pukë, dokumentin hipotekor me nr. 13, datë 9.12.2014, nëpërmjet të cilit objekti tashmë figuron në pronësi të këtij misioni bamirës. Pas këtij akti, ministrja e Mbrojtjes Kodheli dhe monsinjor Lucian Avgustini zbuluan pllakën e vendosur në hyrje të këtij institucioni fetar me këtë mbishktrim: “Dhuratë e Ministres së Mbrojtjes për “Motrat e Nënë Terzës” me falënderimet për veprën e tyre të jashtëzakonshme. Zoti ju bekoftë! Mimi Kodheli”.
Misioni i motrave të Nënë Terezes në qytetin e Pukës daton që nga 16 korriku i vitit 1992. Një muaj më vonë, më 15 gusht po të këtij viti ka qenë e pranishme edhe vetë e Lumja Nënë Tereza e cila vendosi përfundimisht misionin e motrave të saj në këtë qytet. Që nga ajo kohë, motrat ushtrojnë plotësisht misionin e tyre duke iu përmbajtur rregullave të kongregatës në ndihmë ndaj më të varfërve në mbarë zonën e Pukës.







All the contents on this site are copyrighted ©.