2015-01-13 13:38:09

Papa Françesku në Sri Lankë kërkon pajtimin dhe respektin e të drejtave të të gjithëve


Pritje e përzemërt për Papa Françeskun në aeroportin ndërkombëtar Bandaranaike të Kolombos, në Sri-Lankë, ku u përshendet nga autoritetet shtetërore e kishtare të Vendit, Presidenti i ri Maithripala Sirisena e kardinali Malcolm Ranjith. E përveç autoriteteve më të larta të Shtetit e të Kishës, ipeshkvijtve të vendit, për ta pritur Papën kishin dalë me mijëra besimtarë e dymijë fëmijë, në një atmosferë festive.
RealAudioMP3
Që në fillim të vizitës së tij apostolike në Sri Lankë, Papa uroi e foli për pajtimin dhe shërimin e plagëve shkaktuar nga ndeshjet e gjata etnike e fetare në Vend. E duke përshëndetur Sri Lankën - perlën e Oqeanit Indian - Ati i Shenjtë Bergoglio, i pritur me një përzemërsi të veçantë e një entuziazëm të jashtëzakonshëm, me valle e këngë tradicionale, i drejtoi urimin e tij së pari Presidentit të ri të Vendit, Sirisena e mbarë popullsisë dhe menjëherë shpjegoi edhe natyrën e këtij udhëtimi papnor: “Vizita ime është para së gjithash baritore (kishtare). Si bari universal i Kishës Katolike, - tha Papa - erdha këtu për të inkurajuar katolikët e këtij ishulli e të lutëm me ta”.

Në vijim Ati i Shenjtë Françesku nënvizoi se si “pika qendrore e kësaj vizite do të jetë kanonizimi i të Lumit Jozef Vaz, shembulli i tij i bamirësisë së krishterë dhe respekti për çdo person, pa dallim etnie apo feje, vazhdon të na frymëzon e mëson ende sot”.
Kështu, në fjalimin e parë, drejtuar Sri Lankës dhe popullit të saj, Papa nënvizoi menjëherë karakteristikat kryesore të vendit, që njihet në botë me epitetin “margaritar i Oqeanit Indian”. E shtoi Françesku, jo vetëm për bukuritë natyrore, por edhe për atmosferën ndërmjet popullsive, të pasura me larmi kulturore e fetare. Papa Françesku i uroi Presidentit të ri të Republikës, Mithripala Sirisena mbarësi në detyrën e tij e posaçërisht krerët fetarë, për praninë e tyre, duke nënvizuar se luajnë një rol të rëndësishëm në jetën e vendit.
Vizita ime në Sri Lankë, ka karakter kryesisht baritor, theksoi Papa Françesku, por vizita është edhe shprehje e dashurisë dhe e shqetësimit të Kishës katolike për mbarë popullin, si dhe e dëshirës së bashkësisë katolike për të qenë pjesëmarrëse aktive në jetën e mbarë shoqërisë së vendit.
Bota e sotme – nënvizoi Papa Bergoglio - është plot me ndeshje, të vjetra e të reja, ndërmjet etnive, që shkojnë deri në shpërthimin e dhunës. Sri Lanka, për vite e vite, vuajti nga tmerri i ndeshjes civile, ndërsa sot përpiqet të mjekojë plagët e për të forcuar frymën e paqes. Nuk është e lehtë të dalësh nga trashëgimia e padrejtësive, e armiqësisë, mosmarrëveshjeve, që u bënë shkak për shpërthimin e konflikteve. Procesi i shërimit kërkon promovimin e drejtësisë e të unitetit!
Në këtë proces delikat pajtimi në Vend, një rol të dorës së parë luajnë traditat fetare, në një shoqëri, që kërkon prej të gjithëve, të flasin me një zë të vetëm, të punojnë me një dëshirë të vetme, për t’i shërbyer, me një zemër të vetme, atmes, njeriut, njerëzimit. Të gjithë duhet të jenë të lirë për të shprehur mendimet e tyre, dëshirat e tyre, nevojat tyre, drojet e tyre. Ka shumë rëndësi që e gjithë kjo të bëhet si në familje, duke i pranuar të tjerët, duke i respektuar larmitë e ligjshme, që mund të ndikojnë për pasurimin e të gjithëve.
Sa herë njerëzit ia vënë veshin njëri-tjetrit, përvujtërisht, haptas, mund të dalin në pah dëshira e vlera të përbashkëta. Në këtë këndvështrim, një punë e madhe për pajtimin u takon edhe infrasktrukturave shoqërore, që duhet të promovojnë dinjitetin njerëzor, respektimin e të drejtave të njeriut dhe përfshirjen e çdo anëtari të shoqërisë.
Papa Françesku uron, pastaj, “që drejtuesit politikë, fetarë e kulturorë të Sri Lankës, duke e matur mirë çdo fjalë e çdo veprim, që ka të bëjë me shërimin e ardhshëm. Duke dhënë, kështu, një kontribut të qëndrueshëm progresit material e shpirtëror të popullit të Sri Lankës. Së fundi, Françesku u uroi gjithë të pranishmëve, që ditët e vizitës papnore të jenë ditë miqësie, dialogu, solidariteti.







All the contents on this site are copyrighted ©.