Më 13 janar kalendari kujton Shën Hilarin, ipeshkëv e dijetar i Kishës
Kalendari kishtar përkujton sot me 13 janar Shën Hilarin e Puatjesë, ipeshkëv e dijetar
i Kishës. Hilari, i lindur në Puatje të Francës rreth vitit 315, ishte pagan që kërkonte
me etje dritën e nevojshme për të gjetur kuptimin e jetës. Kërkimin e nisi në doktrinat
neoplatonike, për të arritur, më pas, tek Bibla, tek krishterimi, tek drita. Pronar
fisnik tokash, i martuar e me një vajzë, pas pagëzimit u zgjodh ipeshkëv i Puatjesë.
Luftoi herezinë ariane, duke shkruar disa vepra, më e famshmja e të cilave është ‘De
Trinitate’. Në këtë vepër ipeshkvi shenjt mbrojti në mënyrë të pakundërshtueshme besimin
në Trininë e në Hyjninë e Krishtit. Shkroi edhe komente të shquara të Psalmeve e të
Ungjillit sipas Mateut. Por, me që arianët ishin nën mbrojtjen e perandorit Kostanci,
i cili i miratoi vendimet e sinodit arian, mbajtur në vitin 356 në Béziers, ipeshkvi
i Puatjesë u internua në Frigji, ku kaloi katër vjet. Edhe gjatë këtyre vjetëve vijoi
t’i thellojë studimet: mësoi greqishten, zbuloi veprat e Origjenit dhe gjithë prodhimin
e Etërve lindorë, duke siguruar, kështu, një dokumentim të dorës së parë për librin
‘De Trinitate’ që i dha titullin Dijetar i Kishës. Ishte traktati më i rëndësishëm
e më i thellë i shkruar deri asokohe mbi dogmën kryesore të fesë së krishterë. E nuk
u mjaftua me kaq: nga internimi, sulmoi me guxim të jashtëzakonshëm atë që ia kishte
në dorë vetë jetën, perandorin Kostanci, duke e kritikuar ashpër, pse pretendonte
të sundonte edhe Kishën e pse përzihej në diskutimet teologjike e në punët e brendshme
të disiplinës kishtare, të cilat nuk i takonin. Si u rikthye në seli, ipeshkvi
guximtar rifilloi veprimtarinë baritore. Pati si bashkëpunëtor ipeshkvin e ardhshëm
të Turit, Shën Martinin. Vdiq në vitin 367. Mbeti në kujtesën e Kishës si polemist
i mprehtë e guximtar, por edhe si Atë e Bari i vërtetë i grigjës që i qe besuar. Njerëzor
në luftë e më se njerëzor në fitore, mbrojti gjithnjë ipeshkvijtë që e pranonin gabimin,
duke u njohur edhe të drejtën të vijonin veprimtarinë në selitë e tyre. Piu IX e shpalli
‘Doktor i Kishës’. Emri Hilar vjen nga latinishtja e do të thotë ‘gëzim’. Simboli
i shenjtit është shkopi baritor.