Kryeqytet i Sri Lankës deri më 1978, kur funksionet administrative u transferuan në
Sri Jaywardenapura Kotte, tetë kilometra më tej. I vendosur në pjesën jug-perëndimore
të vendit, qyteti është qendra kryesore ekonomiko-tregtare si dhe më e populluara,
me rreth 600.000 banorë (më se 2 milionë, me gjithë rrethina). Emri Kolombo, i përdorur
së pari nga portugezët, më 1505, ka shumë mundësi të rrjedhë nga termi singalez klasik
“kola-amba thota”, që do të thotë “port mbi lumin Kelani”. Kolombo njihej dymijë
vjet më parë nga tregtarët romakë, kinezë, arabë. Në shekullin VIII, u pushtua nga
arabët, që donin të kontrollonin, kështu, tregtinë ndërmjet mbretërive singaleze e
pjesës tjetër të botës. Në shekullin XVI portugezët i dëbuan arabët e ndërtuan në
qytet një fortesë, për të mbrojtur tregtinë e erëzave. Holandezët e pushtuan qytetin
më 1656, pas një rrethimi epik, në përfundim të të cilit 93 portugezë, që shpëtuan
gjallë, u lejuan të dalin nga fortesa me lejekalimi. Kolombo ishte kryeqytet i
provincave detare të Shoqërisë holandeze të Indive lindore, deri në vitin 1796. Më
pas u pushtua nga anglezët, që e bënë kryeqytet të kolonisë së tyre, Ceilonit. Vendi
e fitoi pavarësinë paqësisht më 1948. I vendosur mbi bregun përendimor të Ishullit,
është një nga portet më aktive të Oqeanit Indian, përmes të cilit kalon pjesa më e
madhe e mallrave, që eksportohen nga vendi: çaji, kauçuku, vaji i kokosë, kopra e
gurët e çmuar. Ka industri përpunimi (manifatura, fabrika duhani, vaji, tekstilesh
e lëkurësh) si dhe një kompleks metalurgjik.