2015-01-12 12:46:36

Françesku kthehet në Azi, me shtegtimin në Sri Lanka e Filipine, duke i ftuar besimtarët: “Lutuni për mua!”.


Papa niset për në Sri Lankë nga Aeroporti romak i Fiumicinos rreth orës 18.50, për të arritur në Kolombo në orën 9.00 me orën vendase, 04,30 me atë evropiane. RealAudioMP3
Dje, në përfundim të lutjes mariane, foli edhe për shtegtimin e tij apostolik në Sri Lankë e në Filipine. Ndërsa mbrëmjen e së shtunës, shkoi të lutej në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, në prag të këtij misioni të ri:
“Ju kërkoj të më shoqëroni me lutje e u kërkoj edhe srilankezëve e filipinasve, që janë këtu, në Romë, të luten posaçërisht për mua gjatë këtij shtegtimi”- tha, në prag të kësaj udhe të largët drejt Azisë.
Është shtegtimi i shtatë apostolik i Papës Françesku, i dyti në Azi, pas atij të verës në Republikën e Koresë: e çon në Sri Lanka e në Filipine, nga 12 deri më 19 janar. Po kujtojmë shurtimisht programin e shtegtimit.
“Përsa u përket Filipineve, dihet se ngulën këmbë edhe ipeshkvijtë për ta pasur Papën mes tyre, si shenjë ngushëllimi pas rrënimit të pakufishëm, pasojë e tufanit që, një vit më parë, shkaktoi dëme të pallogaritshme. Flitet për shtatë-tetë mijë të vdekur, 15 milionë vetë të shkatërruar ekonomikisht nga dëmet e tufanit, që rrënoi më se pesëqind mijë shtëpi e konsiderohet si më shkatrrimtari në histori, që mbahet mend nga njerëzit. E gjithë kjo i nxiti ipeshkvijtë të kërkojnë praninë e Papës, si shenjë ngushëllimi e dhimbsurie për një popull të vënë në provë të rëndë.
Përsa i përket Sri Lankës, këtë shtegtim e deshi vetë Papa, për të shenjtëruar atë Vaz e për të dhënë kontributin e vet në paqëtimin e vendit. Janë, pra, një sërë arsyesh, të cilat e shtynë Papën. Arsye që, duke iu shtuar vëmendjes të veçantë të Atit të Shenjtë për Azinë, ishin më se të mjaftueshme për ta vënë për udhë.
Papa, që do t’i mbajë fjalimet në gjuhën angleze, do të kalojë në Sri Lankë dy ditë të tëra, 13 e 14 janar. Pak pas zgjedhjeve presidenciale. Kështu vizita nuk do të bëhet në një periudhë fushate elektorale. Ndër çastet më të rëndësishme, takimi ndërfetar në Kolombo, në një vend ku 70% e popullsisë është budiste, 12-13% hinduiste, 10% islamike e 7% e krishterë, kryesisht katolike.
Pastaj, të mërkurën, Mesha për kanonizimin e Jozef Vaz, rregulltar oratorian, që jetoi ndërmjet shekullit 17-të e 18-të e që nisi një veprimtari të rëndësishme ungjillëzimi në Sri Lankë. Atë Vaz u lumnua pikërisht njëzet vjet më parë, nga Gjon Pali II. Më pas, lutja mariane në Shenjtëroren e Zojës Rruzare të Madhu, më e frekuentuara në veri të vendit, me shumicë tamil.
Me këtë rast, Papa do të prekë një aspekt tjetër të situatës në Sri Lankën e sotme, atë të pajtimit, pas periudhës së gjatë e të tmerrshme të konfliktit të brendshëm, kryesisht ndërmjet singalezëve e tamilëve. Periudhë konflikti, kjo, që zgjati 30 vjet - tejet e gjatë, pra, e edhe tejet gjakatare – e përfundoi rreth vitit 2009.
Më 15 janar, pas një vizite në Kapelën e Zojës së Sri Lankës (Our Lady of Lanka) në Bolawalana, nisja për Filipine, që përgatiten për 500-vjetorin e ungjillëzimit, më 2021.
Filipine
Të premten, më 16 janar, ndërmjet takimeve të parashikuara, me rëndësi, ai me familjet, realitet tejet i rëndësishëm në Filipine, vendi më i madh aziatik me shumicë katolike.
Këtu duhet pasur parasysh edhe rëndësia e vlerave familjare në kulturën filipinase, rëndësi themelore, e ndjerë fuqimisht.
Më pas, vizita në zonat e dëmtuara nga tufani Haiyan, që këtu u quajt “Yolanda”. Në Takloban, të shtunën, Françesku do të kremtojë Meshën Shenjte; në Palo do të drekojë me disa njerëz, që shpëtuan gjallë e do të bekojë “Qendrën Papa Françesku” (Pope Francis Center), për të varfrit, ndërtuar me kontributin e “Cor Unum”. Prandaj, në grupin që e shoqëron Papën, do të jetë i pranishëm kardinali Robert Sarah, prefekt i Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Displinën e Sakramenteve që, në kohën e atij rrënimi të madh, udhëhiqte Këshillin Papnor.
Të diel, më 18 janar, në kryeqytetin filipinas do të mbahet takimi me liderët fetarë vendas, me të rinjtë dhe Mesha e ditës së “Santo Niño”. Të hënën, më 19, pasdite, Papa do të kthehet në Vatikan, pasi avioni papnor do të fluturojë mbi disa vende, ndërmjet të cilave, Kina!







All the contents on this site are copyrighted ©.