2015-01-11 10:51:50

"Rrethimi i Shkodrës" vepra e dom Marin Barletit botuar më 10 janar 1504


Me 10 janar 1504 në Venedik u botua latinisht vepra e Marin Barletit, "Rrethimi i Shkodrës"- “De obsidione Scodrensi”, një nga veprat më të njohura historike që bëri të njohur luftën e shqiptarëve kundër perandorisë osmane në mesjetë.
I mbështetur në kujtimet e veta si dhe të pjesëmarrësve të tjerë në ngjarjet që rrëfen, prifti shkodran dom Marin Barleti ia kushton librin e tij jetës politike dhe ushtarake gjatë rrethimit të dytë të Shkodrës më 1478.
E kujtojmë se vepra “Rrethimi i Shkodrës” shkruar nga Marin Barletit, është ribotuar në gjuhën shqipe shtëpia botuese Onfuri më 2012, duke u mundësuar lexuesve shqiptarë për t njohur përmes saj historinë e vendit e vlerat e kombit shqiptar.

Mbi librin
Është viti 1478. Evropa po sulmohet. Dhjetë vjet pas vdekjes së Skënderbeut, shqiptarët dhe venedikasit vazhdojnë t'u rezistojnë osmanëve, duke mbrojtur atdheun e tyre dhe duke i dhënë kohë Evropës Perëndimore për t'u përgatitur për sulmin e pashmangshëm.
Historia botërore e ka anashkaluar mjaft heroizmin e shqiptarëve dhe faktin që ata u bënë pengesë dhe i vonuan osmanët në synimin e tyre për të pushtuar gjithë Evropën. Marin Barleti i jep, pra, botës një rrëfim të drejtpërdrejtë heroizmi përballë një pushtimi mizor: burra të thjeshtë e gra që luftojnë për familjet, për tokën dhe besimin e tyre.
Shikoni nga bedenat e kështjellës hordhitë osmane që zbardhin fushat përreth me çadra e ushtarë. Mësoni se si ishin përgatitur jeniçerët e se si topat bombardues u futën në historinë e luftërave. Mrekullohuni duke lexuar se si një grusht luftëtarësh i thyen sulmet e egra të qindra e mijëra ushtarëve turq.
Sulltani i mundur detyrohet të tërhiqet, por Shkodrën e mban të rrethuar derisa në fund Senati Venedikas ia dorëzon atij si një ultimatum paqeje. Atëherë, shkodranët, të zhgënjyer, zgjedhin mërgimin, për të mos u dorëzuar dhe lundrojnë përmes Adriatikut për në portet e sigurta të Venedikut.
Marin Barletit, siç mund të kuptohet lehtë, i duhej të shkruante në latinisht, sepse vepra duhej të qarkullonte dhe të njihej nëpër Evropë. Ashtu siç edhe ndodhi, pasi pas botimit më 1504 në Venedik, u rishtyp disa herë në Zvicër (1556), Gjermani (1578 dhe 1596). Pas botimeve në latinisht do të vijnë përkthimet në italisht (1565), polonisht (1569), frëngjisht (1576).
Komente mbi librin
"Një nga episodet më mbresëlënëse të luftës midis Perëndimit dhe Gjysmëhënës."
Franz Babinger, autori i "Mehmed Pushtuesi"
"Perandoria Osmane u përhap në Evropën Juglindore me flamujt e islamit në horizont. Një moment kyç i këtij zgjerimi ishte rrethimi i Shkodrës nga fundi i shekullit XV. Ne do të kishim njohuri të pakta për këto ngjarje dramatike, po të mos ishte historiani Marlin Barleti. Rrëqethëse! Një burim parësor i historisë së Ballkanit."
Robert Elsie, studiues i letërsisë dhe historisë shqiptare
"Shqiptarët tërhoqën forcat kryesore të Perandorisë Osmane kur ajo ishte në kulmin e fuqisë së saj dhe thyen hovin e hordhive osmane drejt Perëndimit."
Gazmend Shpuza, historian i periudhës osmane
"Shkodranët ishin tigra të luftës në majat e maleve."
Kemal Pashazade, kronist osman i shekullit XV
"Lufta për Shkodrën përcaktoi fatin e ardhshëm të shqiptarëve në histori. Prej këtej kuptohet se sa e rëndësishme është për historiografinë kjo vepër e historianit shkodran të asaj kohe, Marin Barleti."
Ferit Duka, profesor në Universitetin Europian të Tiranës
"Kjo vepër bëri të njohur ndër shekuj dhe në të gjithë Europën luftërat e shqiptarëve kundër osmanëve. Por qëllimi i saj i parë ishte t'i ngrinte një monument Shqipërisë martire për të përjetësuar qëndresën e gjatë antiturke."
Lucia Nadin, autore e "Shqipëria e rigjetur"
"Në qoftë se do të kërkohej një krijim letrar, që t'i përshtatej plotësisht shprehja "vepër monumentale", vështirë se do të gjendej shembull më i mirë se "Rrethimi i Shkodrës".
Ismail Kadare
"Një dëshmi tërheqëse e rezistencës shqiptare kundër osmanëve mu në zemër të Evropës. Mbrojtja e Shkodrës ishte po aq heroike dhe rrënqethëse sa rrethimi i njohur i Maltës. Rrëfimi i Barletit është autentik dhe mjaft i kuptueshëm."
Roger Crowley, autori i "Empire of the Sea" dhe "City of Fortune"
"Lexuesve modernë të Perëndimit u drejtohet përkthimi i ri i këtij libri në anglisht duke shpresuar se historia e Shqipërisë nuk do të shihet më si e dorës së dytë dhe e vockël, por për më tepër, si historia e asaj toke që gjendet e vendosur vështirësisht mes dy botëve, një vend që luajti një rol të njëjtë me Rodosin dhe Otranton në fundin e shekullit të XV në përballjet mes osmanëve dhe Perëndimit."
David Abulafia, profesor i historisë dhe autor i "The Great Sea"
"Një burim historik i rëndësishëm i Ballkanit Perëndimor gjatë Mesjetës së Vonë."
Fikret Adanir, autor dhe profesor i historisë në Universitetin Sabanci në Stamboll
"Kur lexova rrëfimin epik të Barletit, u ndjeva si Howard Carter kur hodhi sytë në varrin e mbretit Tut për herë të parë. E shkruar me mjeshtëri artistike dhe zotësi studiuesi, kjo vepër mbush një boshllëk dhe shërben si një studim i veçantë dhe i domosdoshëm në fushën e historisë së Rilindjes."
Kirstin Downey, biografe e figurave historike dhe autore e "Queen Isabella of Castille"
"Një nga rrethimet e mbetura në histori që çudit me trimërinë e rrethanave, me forcat e pabarabarta dhe me kapacitetin e pamatë të artilerisë turke. Kjo mbrojtje u jep aq nder shqiptarëve, sa edhe aktet heroike të Skënderbeut."
William Martin Leake, studiues anglez i lashtësisë
"Kalaja ishte si bosht rreth të cilit vërtitej bota."
Idrisi Bitlisi (rreth 1453 – 1520), kronist osman
"Shqiptarët shfaqën një trimëri të tillë të barabartë me emrin e tyre luftarak që i hutoi në kulm trupat shumë më superiore në numër."
James Henry Skene (1775 – 1864), botues skocez dhe studiues i lashtësisë
"Disa herë rreth kështjellës ishin zhvilluar luftëra dhe përleshje të përgjakshme. Shumë mbretër e kishin sulmuar atë me ushtritë e tyre, por në asnjë rast nuk kishin mundur ta gjenin rrugën e fitores... Në sheshin e luftës kundër të pafeve të mallkuar u hodhën me gjithë shpirt plot njëqind mijë turq. Por, ata panë se ishte e pamundur të hyhej në kështjellë nga të çarat e mureve dhe me gjithë përpjekjet e mëdha që bënë nuk mundën ta gjenin rrugën e fitores."
Këvami, (rreth shekullit XV – XVI), kronist osman
"Banorët e Shkodrës rezistuan me një forcë që buronte nga dëshpërimi."
Kenneth Setton (1914 – 1995), autor dhe historian për Europën mesjetare
"Shkodra ishte fortesa e fundit e Perëndimit. Sulltanit i nevojitej në mënyrë që të siguronte tokat afër për veprime ndëradriatike."
Lord Kinross (1904 – 1976), historian skocez dhe autor i librit "The Ottoman Centuries"
"Jashtë fortifikimeve, deri atje ku të zinte syri, nuk dukej asnjë pjesë toke që nuk ishte mbuluar me turq të armatosur, me çadra dhe artileri."
Sabellicus (1436- 1506), historian dhe autor venedikas
Mbi autorin
Marin Barleti (rreth 1450 – 1512),
i njohur edhe si dom Marinus Barletius, çmohet si historiani i parë shqiptar. Prift katolik dhe qytetar i Shkodrës,
ai qe dëshmitar dhe luftëtar në dy rrethime osmane. Kur Venediku, së fundmi, ua dorëzoi Shkodrën osmanëve, si shumë bashkatdhetarë të tjerë të rinj, emigroi në Itali. U vendos në Padova, e në këtë dioqezë kishtare dom Marin Barleti apo Barleci shërbeu i prift famullitarë e më vonë si rektor i Kishës së Shën Shtjefnit.
Mëgjithëse "Rrethimi i Shkodrës" ishte vepra e tij e parë, ai njihet më shumë për veprën e tij të dytë "Historia e Skënderbeut". Barleti tërhoqi vëmendjen e lexuesit evropian të shekullit XVI, i cili me turqit në portat e Vjenës më 1529, po shqetësohej gjithnjë e më shumë për mundësinë e pushtimit të të gjithë Evropës Perëndimore nga osmanët.







All the contents on this site are copyrighted ©.