Papa pagëzon 33 fëmijë: shumë nëna nuk mund t’ua shuajnë urinë fëmijëve
Papa Françesku kremtoi, në Kapelën Sikstine, Festën e Pagëzimin të Zotit. Gjatë Meshës,
u dha Sakramentin e Pagëzimit 33 të posalindurve, 20 vajza, 13 djem, bij të nëpunësve
të Vatikanit. Nuk ishte vendosur, me këtë rast, mbi presbiter, elteri lëvizës, që
i krijon meshtarit mundësinë të kremtojë përballë popullit, siç bëhet zakonisht pas
Koncilit II të Vatikanit. Prej këndej, Papa Bergoglio kremtoi sipas ritit të lashtë,
përballë tabernakullit. Pati kremtuar kështu edhe Papa Benedikti XVI, në raste të
këtilla, por Papa i ri, deri më sot, gjatë kremtimeve në Sikstinë, kremtoi gjithnjë
mbi elterin lëvizës, (që, natyrisht, nuk përkon harmonikisht me vendin e afreskuar
nga Mikelanxhelo, me veprën e tij më të rëndësishme, Gjyqin e Mbramë). Hera e parë,
pra, pas zgjedhjes së tij në fronin e Shën Pjetrit, që Papa Françesku kremton publikisht
duke i kthyer shpatullat popullit. “Pagëzimi është pjesë e korpit të Kishës, popull
shenjt i Hyjit në shtegtim”. Kështu u shpreh Papa gjatë Meshës në Festën e Pagëzimit
të Zotit. Françesku i nxiti prindërit, nunët e nunat, t’i rrisin fëmijët nën dritën
e Fjalës së Zotit. Bëri, më pas, thirrje në favor të shumë nënave që, në mbarë botën,
nuk ia dalin dot të shuajnë urinë e fëmijëve.