Mësimi Kishës mbi Dëftimin e Zotit e mbi Pagëzimin e Jezusit
Pak ditë ndajnë festën e Dëftimit të Zotit dhe atë të Pagëzimit të Jezusit. Ditë të
rëndësishme, në të cilat Kisha konfrontohet me misterin e një Foshnje Hyjnore, të
përvujtë e mbret njëkohësisht, meshtar e profet, dhe me përgjegjësinë e identitetit
të krishterë, nënvizuar nga Pagëzimi i Jezusit.
Një pikë e ndritshme, që lëviz
në kupën qiellore, drejt një pike të errët në tokë, një aglomerat i vogël humaniteti,
që edhe në kohën e vet konsiderohej si i parëndësishëm. Kjo ishte Kometa: trajektore
e një epifanie të vogël, që u ndriçoi rrugën të privilegjuarve të paktë drejt Epifanisë
së madhe, drejt Dëftimit të Zotit, që do të ndryshonte historinë e njerëzimit. Magjisteri
specifik i Kishës për këto festa – solemniteti i Dëftimit të Zotit më 6 janar dhe
Pagëzimi Zotit Jezus, që mbyll festat e Krishtlindjes – ofron një reflektim të pasur
me përshpirtëri. Drita që në Krishtlindje shkëlqeu gjatë natës, duke ndriçuar Shpellën
e Betlehemit, ku qëndrojnë në adhurim të heshtur Maria, Jozefi e barinjtë, shkëlqen
sërish e u dëftohet të gjithëve, na kujton këtë festa e Dëftimit të Zotit. Njerëzimi,
pra ne, simbolizohemi nga tre Dijetarët që arrijnë te Krishti Fëmijë pas një shtegtimi
të gjatë. Vezullimi i Krishtit arrin së fundi te Dijetarët, që janë të parët e popujve
paganë. Qëndrojnë në hije pallatet e pushtetit në Jerusalem, ku lajmi për lindjen
e Mesisë jepet paradoksalisht pikërisht nga Dijetarët, e nuk ndjell gëzim, por frikë
e reagime armiqësore. Pikërisht atyre që nuk ditën ta mirëpresin Hyjin,
Kisha u shpall këtë Lajm të Mirë, këtë dritë që do të ndryshonte historinë e njerëzimit.
Kisha e shpall këtë Lajm në të gjitha fushat e jetës shoqërore. Dymijë vjet më vonë,
mund të shohim në figurat e Dijetarëve një lloj paraqitje simbolike të këtyre tri
përmasave të njerëzimit bashkëkohor: përmasën politike, atë shkencore dhe atë fetare.
Festa e Dëftimit të Zotit na i shfaq në “shtegtim”, pra në atë kërkim, që e ka pikën
e mbërritjes te Krishti. Pastaj Kometa (Ylli) shuhet duke mbaruar funksionin e vet.
Jezusi rritet e shenja dalluese e tij ndryshon. Në lumin Jordan, misioni publik
i Krishtit fillon nën shenjën e ujit. Aty fillon ajo që ndodh që mase prej 2 mijë
vjetësh me të krishterët, kur me ujin dhe zjarrin e Sakramentit të Pagëzimit i tregojnë
botës përkatësinë e tyre. E gjithsesi, siç shpjegon Kisha, duke pagëzuar fëmijët,
natyrisht, Zoti nuk vepron me shkopin “magjik”; vepron vetëm nëse e lejojmë. Nuk mund
të heqim dorë nga liria. Është Zoti, që e shkakton lirinë, na fton të bashkëpunojmë
me zjarrin e Shpirtit të Shenjtë: këto dy gjëra duhet të ecin së bashku. Pagëzimi
mbetet për gjithë njerëzit jetën dhuratë e Zotit, i cili na ka vënë vulën e vet në
shpirt, me bashkëpunimin e lirinë tonë që i thonë “po” këtij veprimi hyjnor. Pas
këtij veprimi, pranimi i jetës që prindërit e bëjnë përmes Pagëzimit, kthehet në impenjim
për të mohuar gjithçka e kërcënon jetën njerëzore. Në Solemnitetin e Pagëzimit
të Zotit, me Kishën mund të themi se edhe në kohën tonë është e nevojshme t’i
themi “jo” kulturës dominuese të vdekjes, një antikulturë që shfaqet për shembull
në largimin nga realiteti, tek droga. Largim nga realiteti në një botë iluzore, në
një lumturi të rreme që shfaqet tek gënjeshtra, tek mashtrimi, tek padrejtësia, tek
përbuzja e të tjerëve, tek përçmimi i solidaritetit, i përgjegjësisë për të varfrit
e të vuajturit; që shfaqet në një seksualitet thjesht për t’u dëfryer, pa përgjegjësi…
Këtij premtimi të jashtëm besnikërie, kësaj jete në dukje, që në të vërtetë është
vetëm mjet vdekjeje, kësaj “antikulture” i themi “jo”, për të kultivuar kulturën e
jetës e të vëllazërimit solidarë, sipas planit Hyjnor.