Më 11 janar kalendari kishtar përkujton Shën Igjinin, Papë
Më 11 janar martirologu romak përkujton Shën Igjinin Papë, filozof, rregullues i hierarkisë
kishtare. Vetë veprat dhe vdekja e tij si martir gjatë persekutimeve të perandorit
romak Antonino Pio na sjellin ndërmend se sa sakrificia duhen për të mbrojtur besimin
në Zotin. Për Shën Ingjinin dihet pak e me siguri vetëm se e drejtoi Kishën universale
për katër vjet nga viti 138 deri në vitin 142. Mendohet se ishte me origjinë nga Athina.
Vdiq gjatë persekutimit të Antonit Pio.
Aty nga fundi i shekullit të 11-të,
Shën Ireneu, duke u kthyer nga një udhëtim në Romë, hartoi listën e 12 ipeshkvijve,
që pasuan njëri-tjetrin në Selinë romake, duke nisur nga Shën Pjetri deri në ditët
e tij. Igjini ishte i nënti në radhë, i vetmi që mbante këtë emër, pasardhës i Telesforit,
që dha një dëshmi të shkëlqyer, domethënë u martirizua nën perandorin Adrian. Libri
i Papëve si dhe Martiriologu Romak pohojnë se edhe vetë Igjini pësoi martirizimin
më 11 janar të vitit 140 (?), gjatë persekutimit të Antonit Pio dhe u varros pranë
trupit të të lumit Shën Pjetër, në kodrën e Vatikanit.
Megjithatë, mund të
themi se nuk ka prova të sigurta që Ingjini të ketë vdekur martir. Të tjera ishin
meritat e Papës athiniot. Gjatë papnisë së tij të shkurtër, u pakësuan sulmet e paganëve
kundër racës së re të “njerëzve pa atdhe”, siç quheshin të krishterët, ndërsa Kisha
u kërcënua nga përhapja e sekteve heretike, në vetë gjirin e saj. Kështu Igjinit iu
desh t’i bënte ballë për katër vjet me radhë, herezisë njostike të Valentinit e të
Çedonit, sipas të cilëve, besimtarëve të thjeshtë u mjaftonte feja, ndërsa shkenca,
që mund të shpjegojë nivelin filozofik të fesë, u përkiste dijetarëve.
Igjini,
që ishte vetë filozof, i shkishëroi heretikët. Vërejmë se pikërisht atëherë kur Barka
e Shën Pjetrit kërcënohej nga dallgët e herezisë, me prirjen ta bënte Zbulesën hyjnore
një filozofi të thjeshtë fetare, në fronin e Princit të Apostujve u ul një filozof,
që u përpoq me të gjitha forcat për ruajtjen e tërësisë së mësimit të vërtetë ungjillor.
Duke
ndjekur shembullin e Adrianit, që kishte krijuar një aparat efikas burokratik, i cili
siguronte mbarështimin e perandorisë së pakufishme romake, ndërhyri në strukturën
hierarkike, duke themeluar Urdhrat e vegjël, sepse krijonin mundësinë për t’i shërbyer
më mirë Kishës e për t’i përgatitur kandidatët për meshtari, duke i afruar pak nga
pak tek Misteret e shenjta. Nga koha e tij arrin deri tek ne edhe prania e nunëve
në Sakramentin e Pagëzimit.