2015-01-11 09:29:04

Dëshmi arkeologjike për krishterimin e lashtë në Prizren


Për praninë e lashtë të krishterimit në trevat shqiptare, sipas të dhënave, dihet, kështu edhe në Dardaninë e lashtë. E kohëve të fundit, siç njoftojnë mediat e Kosovës, mbështetur në punimet që po bëhen në Kishën Katedrale katolike të Prizrenit, kushtuar “Zojës Ndihmëtar”, punime që kanë nxjerrë në dritë dëshmi të lashta pikërisht të krishterimit në këtë qytet të lashtë të Dardanisë, Prizren. Në vijim po botojmë një prej artikujve marrë nga ExpressTV të 8 janarit 2015 të Mentor Gjergjaj me titullin “Kërkimet arkeologjike në Prizren: Minarja e ndërtuar mbi themelet e një kishe” | ExpressTV
Mentor Gjergjaj E enjte, 08 Janar 2015 10:40
Katedralja e "Zojës Ndihmëtare" në Prizren nuk është e vetmja kishë e këtij qyteti. Renovimi i kësaj katedrale ka çuar në zbulimin e disa mbetjeve arkeologjike dhe gërmadhave të vjetra, nën të, që dyshohen të jenë të dy kishave katolike të shekujve të parë pas Krishtit.
Por, jo vetëm nën të, ka Kisha të mbuluara. Jo shumë larg saj kësaj Katedrale, në qendër të Prizrenit, janë gjetur mbetje tjera arkeologjike dhe shtresa gurësh të një pagëzimoreje krishtere.

E që rrjedhimisht, në afërsi të saj mendohet të jetë e mbuluar edhe një kishë paleo-kristiane, e cila sipas arkeologeve vendas dhe nga Shqipëria mendohet se daton që nga periudha e hershme bizantine apo gjatë periudhës romake, rreth shekullit të katërt, raporton Express.
Prifti katolik, don Shan Zefi thotë se deri në vitin 1455, në këtë Kishë që sot është e mbuluar nga disa objekte banimi dhe nga një ndërtesë e bankës, të jenë zhvilluar Meshë e liturgji tjera kishtare. E po ashtu, në vendin ku dyshohet se ka qenë e ndërtuar kjo Kishë sot ndodhet edhe një minare e Xhamisë, e cila thuhet të jetë ndërtuar gati një shekull pas rrënimit të Kishës, në vitin 1572. Kjo sipas tij “është bërë me qëllim për të fshehur identitetin tonë”.
Në vendin ku është gjetur kjo pagëzimore ishte paraparë të ndërtohet një shesh nga komuna e Prizrenit, por tash për tash punimet janë ndërprerë.
Ndërsa, gjurmimet për këtë vend arkeologjik do ti kryej i njëjti ekip i arkeologëve ndërkombëtarë të cilët kanë punuar në Katedralen e sotme katolike të Prizrenit. Pjesë e këtij grupi janë arkeologë të njohur nga Kroacia, Italia, Sllovenia dhe po ashtu do të angazhohen edhe disa arkeologë nga Kosova e Shqipëria.
Don Shan Zefi tha për Express se është i kënaqur me interesimin e bashkëpunimin e Komunës së Prizrenit dhe me Institutin për Mbrojtjen e Monumenteve për zbardhjen e vërtetimin e këtyre fakteve arkeologjike, por jo edhe aq me Ministrinë e Kulturës dhe institucionet tjera përkatëse. Ndërsa synim i tij është që shumë shpejt Prizreni të jetë i mbrojtur nga UNESCO.
Sipas tij, duhet të bëhet më shumë që ne të promovojmë identitetin tonë dhe kulturën tonë kombëtare dhe po ashtu kristiane.
Nga ana tjetër, nën objektin e Katedrales katolike të Prizrenit është gjetur një shtyllë tek hyrja kryesore, e cila mendohet të jetë bazamenti i një tjetër kishe paleo-krisitane të shekullit 4 apo 5. Po ashtu, harku i kësaj Kishe është zbuluar në anësoren e majtë të kësaj Katedrale.
Edhe nën sakresti të kësaj Kishe katedrale të sotme, është zbuluar një mur masiv i një Kishe të shekullit 8 apo 9 pas Krishtit.
Por, jo vetëm mbetje të Kishave të vjetra janë gjetur. Gjurmimet kanë zbuluar edhe varreza masive dhe eshtra.
Vet Kisha katedralja e "Zojës Ndihmëtare" në Prizren është një objekt i vjetër, ndërtuar në periudhën e perandorisë osmane në vitin 1870. Sot kjo Kishë katedrale, gjatë procesit të renovimit është kthyer në gjendjen e mëparshme, siç ishte ndërtuar. Zbulimi i këtyre Kishave e bën Prizrenin një ndër qendrat më të mëdha të kulturës krishterë ndër shqiptarët dhe më gjerë, me katër Kisha të vjetra të zbuluara deri me tani, të periudhave të ndryshme. /ExpressTV

Për ata që kanë interes të njoftohen me krishterimin në Dardani – Kosovë, sugjerojmë librin e historianit prof.- Zef Mirditës “Krishterimi ndër shqiptarë” , një vepër e rëndësishme në historiografinë shqiptare. Një paraqitje të kësaj vepre e bëri Kastriot Marku botuar në me 15-02-2013.


MIRDITA, Zef., Krishtenizmi ndër shqiptarë, Drita & Misioni Katolik Shqiptar në Zagreb, Prizren - Zagreb, 1998. 443 f.

Prof. Dr. Zef Mirdita në shkrimin e këtij libri ka bërë për postulat në parathënien e tij, fjalët e Papa Leonit XIII, në letrën e datës 18 korrik të vitit 1882, dërguar studentëve të historisë së Universitetit

Gregorian të cilëve u thotë se “Prima est historiae lex, ne quid falsi dicere audeat, deinde ne quid veri non audeat” “Ligji i Parë i historisë është, që mos të guxohet të thuhet diçka e rrejshme, pastaj mos të guxohet të heshtet e vërteta” (f. 46). Nuk është e lehtë të shkruhet një libër rreth historisë dymijëvjeçare të krishterimit, dhe aq më tepër për krishterimin shqiptar. E themi këtë, për faktin se krishterimi në trojet shqiptare ka kaluar një persekutim të pashoq, që prej fillimeve të tij e deri në fund të shekullit të XX. Dymijë vjet krishterim vijimisht të pandërprerë edhe për shkak të këtij persekutimi, kanë lënë domosdo edhe honet, gollet, zbrastitë dokumentare me të cilat do të mund të ndërtohej në mënyrën më të mirë të mundshme një histori sa më reale dhe e besueshme. Edhe përkundrejt kësaj, Zef Mirdita me eurudicionin, aftësinë hulumtuese të burimeve arkivore dhe atyre dokumenatre të botuara, metodologjinë sistematizuese dhe shqyrtuese kritike të tyre, ka arritur të ia dalë mbanë dhe të na japë një monografi model të kësaj gjinie. Mirdita ka shkoqitur profesionalisht identifikimet anakronike joshkencore të identifikimit të fesë me kombin, parë këto në aspektin aksiologjik të historisë dhe vetë thelbit të saj si shkencë si dhe në aspektin e teologjisë së krishterë.

Monografia “Krishtenizmi ndër shqiptare” është botuar me rastin e 2000 vjetorit të Krishterimit. Ajo është monografia më e plotë që është botuar deri me sot bazuar në të dhënat arkeologjike dhe dokumentare, pjesë e hulumtimeve dhe kërkimeve shkencore. Libri prej 443 faqesh jep një pasqyrë të plotë të historisë së besimit të krishterë të popullit shqiptar përgjatë 2000 vjetëve në territoret shqiptare. Autori e ka nisur veprën e tij me një hyrje në historiografinë kishtare, duke e parë atë si një shkencë e cila merret me të kaluarën e jashtme dhe të brendshme të Kishës dhe vetë këtë të fundit si vepër hyjnore, si një sistem hierarik e sakramental të themeluar nga vetë Jezu Krishti, ndaj dhe objekti i historisë kishtare është “Historia e Mbretërimit Hyjnore në Tokë”. Po këtu trajton çështje të periodizimit të historisë kishtare, fillimeve të saj, trajtimin e saj si lëndë teologjike, qëllimet e njohjes së saj, burimet (veprat e etërve kishtarë apo patristikës, Dekretet papnore, biografitë e papëve, aktet e koncilëve kishtare, ligjet civile dhe konkordatet, aktet e martirëve dhe të shenjtërve, simbolet, liturgjinë dhe ritet, rregullat dhe rregulltarët, mbishkrimet, shkencat teologjike si: dogmatika, morali, pastorali dhe e drejta kanonike) dhe kronologjinë historike të ngjarjeve sipas ndarjeve të njohura dhe të pranuara si zgjidhje të drejta, metodat e studimit si dhe një vështrim të shkurtër rreth historiografisë kishtare shqiptare.

Pjesa e parë (f. 75-140), i kushtohet periudhës parakostandiniane deri në vitin 313, kur perandori Kostandini i Madh me origjinë dardane nga Nishi, legalizoi veprimtarinë e Kishës së krishterë. Autori dëshmon një njohje të thellë qoftë teorike në aspektin doktrinal, qoftë historik, në qasjen burimologjike të të dhënave, të cilat i bashkërendon dhe i mbarështon duke kaluar kujdesshëm kohën dhe veprimtarinë e themeluesit të kishës Jezu Krishtit në Perandorinë Romake, popullin hebre dhe bashkësinë e parë kishtare në Jerusalem, Koncilin e Apostujve, ndarjen e kishës prej Sinagogës dhe themelimin e krishterimit romak nën primatin e Pjetrit, veprimtarinë e Palit Apostull prej fillimit të jetës së tij misionare nga misioni i parë deri tek ardhja e tij në Romë dhe martirizimi i tij si dhe salvimi dhe përndjekja e kishës dhe e të krishterëve nga ana e perandorëve romakë. Nga kjo pjesë Mirdita konkludon se “...krishterimi nuk ka qenë religjion i mirëseardhur në Perandorinë Romake. Për më tepër, sidomos kur është fjala për trevat e Illirikumit, ai u përndjek në mënyrë të pamëshirshme, pikërisht nga perandorët e gjakut ilir, stërgjyshërve të shqiptarëve. Nuk është kjo, pra, fe që ilirëve ua solli pushtuesi, por kjo është fe e dëshmuar me gjakun e martirëve, qoftë të klerit apo të laikëve”. (f. 139).

Pjesa e dytë me titullin “Krishterimi ndër shqiptarë që nga fillimi e deri në ditët tona”, merr në shqyrtim krishterimin si pjesë përbërëse e historisë kombëtare shqiptare që nga shekulli i IV i erës së krishterë e deri më sot. Njohës në themel i historisë së kombit shqiptat, Mirdita pohon se feja e krishterë u përhap në popullin shqiptar falë udhëtimit apostolik të apostullit Pal nëpër Iliri bazuar kjo në Shkrimin Shenjtë. Kjo sipas tij nuk është feja e përhapur nga romakët, por është fe e lindur dhe zhvilluar mes popullit shqiptar falë predikimit misionar të apostujve. Ky fakt përcaktohet nga autori si vendimtar në përhapjen e krishterimit në trevat shqiptare, pra “Krishtenizmi tek ilirët është i kohës së apostujve” (f. 145). Këtu autori në lidhje me origjinën e ilirëve kundërshton pikëpamjet e historianit gjerman Schramm, sipas të cili bartësit e kristianizmit të shqiptarëve janë besët një fis trakas që ka jetuar në trevën midis Maqedonisë, Serbisë dhe Bullgarisë, dhe se ata mund të jenë paraardhësit e shqiptarëve, pra sipas tij shqiptarët kanë origjinë thrakase. Këtë tezë e hedh poshtë Prof. Zef Mirdita kur thotë se: “Nëse pranohet mendimi e tij, atëherë si të kuptohet martirizimi i Florit dhe Laurit në Ulpianë që është i kohës së Trajanit, pra fillimit të shek. II të erës kristian”. (f. 145, shënimi 2 në fusnotë). Megjithëse krishterimi i kësaj kohe në viset shqiptare shpeshherë nën trysninë e ngjarjeve politike të kohës ka vuajtur jo pak prej herezive dhe skizmave, si pasojë e grindjeve juridike dhe doktrinale që zhvilloheshin midis Romës dhe Konstandinopojës, antagonizmit mes Romës dhe Bizantit, por edhe sulmeve të barbarëve dhe sllavëve, ndihmave dhe presioneve të perandorëve bizantinë të kryepeshkopëve të Ohrit, Kisha shqiptare gjithmonë i ka mbetur besnike Kishës së Romës, dhe këtë fakt historik e dëshmon më së miri Kisha italo-arbëreshe e ritit oriental, e cila ka luajtur një rol mjaft të rëndësishëm ekumenik si urë lidhëse mes Kishës Katolike të Perëndimit me atë të Lindjes. Kjo vazhdimësi dëshmohet qoftë me ndarjen e Perandorisë Romake në Lindje dhe në Perëndim në vitin 395, qoftë në skizmën e vitit 1054. Kisha e krishterë ndër shqiptarë qoftë ajo e ritit romak, qoftë ajo e ritit lindor, kryesisht në shekujt XIV-XV, bëhet një faktor i rëndësishëm në ruajtjen e pavarësisë dhe identitetit etnik të shqiptarëve. Për këtë një meritë të veçantë ka veprimtaria e rregulltarëve benediktinë, domenikanë dhe françeskanë dhe sidomos përballimi i sulmeve osmane nga heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti (Skënderbeu), i cili për shkak të aleancës së besueshme me papët e asaj kohe, u bë edhe pararoja e krishterimit evropian në shekullin e XV, i cili duke mbrojtur kauzën e krishterë të Evropës, mbrojti njëkohësisht qytetërimin evropian perëndimor dhe bashkë me të Kishën e krishterë. Me vdekjen e Gjergj Kastriotit (1468) shuhet edhe liria e popullit shqiptar. Fillon kështu përndjekja e përgjakshme e të krishterëve, shoqëruar me konvertimin e dhunshëm në islamizëm. Mirdita konkludon qartë se “Populli shqiptar nuk e përqafon islamizmin për shkak të bindjes religjoze, por në rend të parë, për shkak të arsyeve politike dhe ekonomike.” (f. 183), së cilës i shtohet edhe mungesa e klerit dhe formimi i dobët intelektual dhe fetar të tij. Fillon po ashtu këtë kohë edhe shpërngulja e të krishterëve në Siçili e Kalabri në Itali dhe krijimi i diasporës shqiptare atje e cila mbeti e lidhur pazgjidhshmërisht me nderimin e Zojës së Shkodrës, Zojën e Këshillit të Mirë. Në të tilla kushte, kur mbajtja dhe praktikimi i besimit të krishterë ishte një sakrificë, lind fenomeni i kriptokatolicizmit, (mbajtja fshehtas e besimit të krishterë dhe paraqitja publike e besimit islam). Kisha katolike shqiptare për të shpëtuar vetveten detyrohet të strehohet në male në zonat më të thella. Me themelimin e Kongregatës së Propaganës Fide (1622), rifillon ringjallja e kishës ndër shqiptarë për të mbërritur në vitin 1703, kur më interesim e drejtpërdrejtë të Papës Klementi XI (Giovanni Francesco Albano-s), organizohet Kuvendi i Arbënit, i cili shënoi riaktivizmin e klerit në çështjet dogmatike, kanonike, baritore e morale, për tu pasur me konçilet e tjera të mbajtura në vitet 1871 dhe 1895. Kësaj gjendjeje ringjallje falë ndikimit austro-hungarez, i shtohet edhe ardhja e misionarëve jezuitë, hapja e Seminarit Ndërdioqezan, themelimi i shtypshkronjave, daljes së gazetave dhe revistave katolike, hapjes se shkollave, kolegjeve, seminareve, daljes së botimeve të shumta, studimeve etj. Kemi gjithashtu një vështrim rreth kishës italo-shqiptare (arbëreshe). Besimi i krishterë shihet i plotë dukë përfshirë Kishën Katolike dhe Kishën Orotodokse, parë kjo si një aspekt i rëndësishëm ekumenik i sugjeruar nga Koncili II i Vatikanit, i cili i sheh këto kisha si simotra nga aspekti sakramental dhe institucional. Një pjesë e rëndësishme i është dhënë padyshim në monografi kontributit të arbëreshëve të Italisë (Kalabrisë dhe Sicilisë) në çështjen kombëtare shqiptare në aspektin arsimor dhe kulturor, bazuar në veçorinë unike të besimit të krishterë në ritin bizantin, të lidhur me Selinë e Shenjtë. Në fund hidhet një vështrim mbi komunitetin e krishterë në SHBA, si dhe periudhën e persekutimit nga ana e regjimit komunist (1945-1990), shoqëruar kjo edhe me një kronologji të titulluar “Komunizmi “shqiptar” dhe kisha”.
Pjesa e tretë e monografisë e titulluar: “Roli i rendeve dhe klerit dioqezan në zhvillimin e arsimit, shkencës dhe kulturës shqiptare”, merr në shqyrtim kontributin që kanë dhënë rendet kishtare dhe institucionet e kishës Katolike si në shërbimin baritor ashtu edhe në arsim, kulturë dhe sidomos në mbrojtjen e identitetit dhe integritetit territorial dhe politiko-shoqëror të shqiptarëve. Për të njohur më mirë institucionet e kishës dhe rendet e ndryshme të saj që kanë vepruar në Shqipëri, autori merr në shqyrtim bazilianët, benediktinët, dominikanët, françeskanët, jezuitët dhe selezianët. E nis me rendin e lashtë të bazilianëve me themelues Shën Bazilin e Madh rreth viteve 300-379, urdhër karakteristik për Kishën Lindore, ekzistenca dhe aktiviteti i të cilit në Shqipëri lidhet me kuvendin e Shën Gjon Vladimirit (Elbasan), atë të Ardenicës dhe Apollonisë në (Fier), Mezzojuzos (Sicili) dhe Abacinë nullius i Grotaferratës në Romë. Benediktinët shihet se u përkasin kuvendet e Shën Segjit dhe Shën Bakut, Shën Kollit (të dy në Breg të Bunës), Shën Gjoni i Drishtit,, Shën Pali i Pultit, Shëlbuemi i Rubikut, Shën Llezhdrit në Orosh, Shën Prendes së Kurbinit, Shën Anastasit në Kep të Rodonit, Shën Mëhilli i Rotecit, Shën Mërinë e Ndërfanës (Mirditë) etj. Dominikanët edhe ata kanë një prani të hershme e cila pret të dokumentohet më tej, ndërsa përbën fenomen më vete prania e françeskanëve që nga koha e Shën Françeskut me një atktivitet të dendur misionar, politiko-diplomatik, arsimor, kulturor, letrar e shkencor që i ka dhënë personalitete të nderuara botës shqiptare si At Shtjefën Gjeçovi, At Gjergj Fishta, At Marin Sirdani, At Justin Rrota, At Donat Kurti, At Luigj Marlekaj, At Bernardin Palaj, At Pal Dodaj, At Ambroz Marlaskaj, At Anton Harapi, At Gjon Shllaku, At Benedikt Dema, At Martin Gjoka, At Leon Kabashi, At Filip Mazrreku, At Paulin Margjokaj etj. Jezuitët ndonëse erdhën vonë, krijuan edha ata si françeskanët një paralele të rëndësishme misionare dhe kulturore në kishën katolike në Shqipëri ku spikasin At Anton Xanoni, Ndre Mjedja, At Giacomo Jung, At Domenico Passi, At Fulvio Cordignano, At Giuseppe Valentini, At Mark Harapi, At Gjon Karma, At Daniel Dajani, At Pjetër Mëshkalla etj. Pastaj vijnë në shqyrtim rregulltaret: stigmatinet, servitet dhe vincencianet. Kleri dioçezan ose shekullar ka pjesën e vet në këtë monografi përvijuar nga relacionet e ipeshkvinjve shqiptarë dërguar Propagandës Fide përgjatë shekujve XVII-XVIII, kler që luajti rol mjaft të rëndësishëm në përhapjen e besimit, gjuhës shqipe, arsimit dhe kulturës shqiptare. Janë pjesë e kësaj ndihmese Imzot Pal Engjëlli, Marin Barleti, Dom Gjon Buzuku, Imzot Pjetër Budi, Imzot Frang Bardhi, Imzot Pjetër Bogdani, Imzot Gjon Nikollë Kazazi, Lukë Matranga, Nikollë Keta, Jul Variboba, Dom Engjëll Radoja, Imzot Prend Doçi, Dom Ndue Bytyçi, Dom Ndoc Nikaj, Dom Lazër Shantoja, Dom Ndre Zadeja, Imzot Frano Illia, Kardinal Mikel Koliqi, Dom Simon Filipaj, Fan Noli etj. Pjesa e fundit me titullin A maiora mala vitanda, (të ndalojmë të keqen më të madhe/të shmanget e keqja më e madhe), është një lloj qasje kulturore e orientimit politiko–kulturor të shqiptarëve. Në fund libri është pajisur me një indek të emrave dhe të nocioneve si dhe listën e papëve që nga Shën Pjetri e deri tek Gjon Pali II. Lista e shkurtesave, 46 përmbledhje dokumentare me burim të botuara si dhe literatura e jashtëzakonshme me 455 njësi bibliografike të shqyrtuara e bëjnë këtë vepër një punë shkencore model, jo vetëm për specifikën e argumentit, shtrimin fakteve, por mbi të gjitha për sjelljen e të dhënave dhe shqyrtimin kritik të tyre në mënyre origjinale. Me këtë vepër enciklopedike i është vënë një gur themeltar, që deri më sot i kishte munguar historiografisë shqiptare, ndaj ribotimi i saj do të duhej të ishte një nismë e mirë në shërbim të lexuesve dhe studiuesve që kanë pjesë të interesimit të tyre historinë.


Prof. Dr. Zef Mirdita lindi më 13 mars 1936 në qytetin e Prizrenit. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin klasik e kreu në Ister. Studimet e larta i përfundoi në Fakultetin Teologjik të Universitetit të Zagrebit ku edhe u diplomua në filozofi më 8 korrik 1965. Me 8 shkurt 1966 kthehet në vendlindje dhe emërohet profesor në gjimnazin e Prizrenit, ku jep lëndën e historisë dhe të sociologjisë. Krahas punës në gjimnazin e Prizrenit, jepte ligjërata për studentët e filozofisë në Universitetin e Prishtinës rreth historisë dhe albanologjisë në shqip dhe serbisht. Në Janar 1967, emërohet në Fakultetin Filozofik të Prishtinës si asistent në degën e historisë së kohës së vjetër dhe gjuhës latine. Në vitin 1968 paraqiti tezën e doktoraturës me temë: ”Dardanët dhe Dardania në antikë” të cilën e mbrojti me sukses më 03 nëntor 1972 dhe me 20 prill 1973 i jepet titulli “Doktor i shkencave historike” në universitetin e Zagrebit), dhe po atë vit i jepet titulli “docent” në fushën e historisë. Një vit më pas (më 1974) u specializua ne Katedrën e Historisë së Kohës së Vjetër pranë Universitetit të Romës “La Sapienza”. Në vitet 1976-1977 kreu specializimin fushën e historisë në Heidelberg (Gjermani). Me 1978 është asistent profesor, me 1983 profesor ordinar i lëndës Historia e kohës së vjetër. Nga viti 1980-1990, për 10 vjet ka qenë anëtar i Komitetit Nacional të Jugosllavisë për ballkanologjinë, ka qenë anëtar i redaksisë kosovare për Enciklopedinë e Jugosllavisë. Më 3 prill 1991 emërohet anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Në vitet 1991-1992 kreu një tjetër specializim në fushën e historisë në Mynih të Gjermanisë si bursist i fondacionit “Alexandër von Humboldt”. Në vitin 1993, largohet nga Kosova për shkaqe politike dhe punësohet në Institutin e Historisë në Kroaci si këshilltar shkencor ku qëndroi rreth 4 vjet, pasi me 1997 fillon punë në Fakultetin Pedagogjik të Universitetit të Osijekut, ku jep lëndën e historisë së kohës së vjetër. Ka marrë pjesë në shumë kongrese shkencore ndërkombëtare në Beograd, Ankara, Bukuresht, Insbruk, Dubronik, Mostar, Palermo, Prishtinë, Sofje, Zarë, Shtutgard, Zagreb. Eshtë autor i gjashtë librave dhe rreth 100 studimeve shkencore të ligjëruara dhe botuara në organe dhe revista të ndryshme shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare në Ballkan dhe Evropë. Ka botuar këto libra shkencorë: Dardanci i Dardania, Zagreb, 1972, Studime dardane, Rilindja, Prishtinë, 1979, Tiranë, 1982, Antroponia e Dardanisë në kohën romake, shqip-gjermanisht, Prishtinë, 1981, Mitet dhe mitologjia në antikë, Prishtinë, 1988, Krishtenizmi ndër shqiptarë, Drita & Misioni Katolik Shqiptar në Zagreb, Prizren - Zagreb, 1998, Religion und Kulte der Dardaner und Dardaniens in der Antike, Zagreb, 2001/ Religjioni dhe kultet e dardanëve dhe Dardanise në antikë. Unioni i Bashkësive Shqiptare në Republikën e Kroacisë, 2001.







All the contents on this site are copyrighted ©.