2015-01-08 14:28:04

Papa priti Delegacionin e Yazidëve në Vatikan


Papa Françesku priti të enjten paradite në audiencë një Delegacion të komunitetit botëror të Yazidëve. Delegacioni udhëhiqej nga Kreu i të gjithë Yazidëve, Tahsin Said Ali Beg, e nga Kreu suprem shpirtëror i tyre, “Baba Sheik”, Skeikh Kato, që të dy rezidentë në Kurdistanin e Irakut. Pjesë të këtij Delegacioni qenë edhe përfaqësues tjerë të yazidëve të Irakut Verior, të Gjeorgjisë e të diasporës në Gjermani.
Delegacioni falënderoi Atin e Shenjtë Françeskun – siç u shpreh njëri prej delegatëve, Papa është “ati i të varfëve” – për mbështetjen e tij dhënë yazidësve në këtë kohë persekutimi e vuajtje, pastaj e informoi mbi situatën e afër pesëmijë grave yazide që janë reduktuar në skllavëri nga i vetëquajturi shteti islamik (ISIS), vuri në pah marrëdhëniet e mira ndërmjet yazidëve e të krishterëve dhe nënvizoi solidaritetin e tyre të anasjelltë.
Ati i Shenjtë Bergoglio i siguroi delegacionit afërsinë e tij shpirtërore dhe mbështetjen në këtë kohë sprove, duke uruar që së shpejti të mund të rivendosen drejtësia e kushtet për një jetë të lirë e paqësore për yazidët, si dhe për të gjitha pakicat që janë në shënjestër të diskriminimit e dhunës.
Takimi zgjati mase gjysmë ore e u zhvillua në Bibliotekën private në Pallatin Apostolik. (Yazidët në janë afër një milion e gjysmë, prej të cilëve gjysmë milioni në Irak, të tjerët jetojnë në Turqi, në Gjeorgji, në Armeni, e në diasporë në shumë Vende tjera).







All the contents on this site are copyrighted ©.