2015-01-08 12:22:56

Papa Françesku: është dashuria, rruga për ta njohur Zotin, nuk mjafton intelekti


Zoti na paraprin gjithnjë në dashuri. Kjo qe një nga frazat e homelisë së meshës së Papës Françesku, pasi foli për atentatin e Parisit. Ati i Shenjtë nënvizoi se dashuria e krishterë shprehet me vepra konkrete e jo me fjalë. Për ta njohur Zotin, nënvizoi, nuk mjafton intelekti, duhet dashuria. RealAudioMP3

Vetëm nëpër rrugën e dashurisë njihet Zoti
Këto ditë pas Krishtlindjes, fjala kyçe në liturgji është “dëftimi”. Jezusi dëftohet në festën e Epifanisë, apo të Dëftimit të Zotit; në Pagëzim e edhe në dasmën e Kanës. Por si mund ta njohim, pyeti Papa? Këtë temë trajton shën Gjoni Apostull në leximin e parë të liturgjisë së sotme, ku nënvizon se për ta njohur Zotin nuk mjafton intelekti, arsyetimi. Hyji, vazhdoi Papa, njihet duke e takuar e në këtë takim, nuk na mjafton arsyeja për të kuptuar. Nevojitet diçka më shumë:
“Zoti është dashuri! E vëtëm përmes rrugës së dashurisë, ti mund ta njohësh. Dashuri e arsyeshme, pra, e shoqëruar nga arsyeja. Ama, dashuri! ‘Po si mund ta dua atë, që s’e njoh?’; ‘Duaj ata, që ke afër’. Kjo është doktrina e dy Urdhërimeve të Tënzot. Më i rëndësishmi është të duash Zotin, sepse Ai është dashuri, por i dyti, është ta duash të afërmin. Për të arritur tek i pari duhet të ngjitim shkallët e të dytit: pra, përmes dashurisë për të afërmin arrijmë ta njohim Zotin, që është dashuri. Vetëm duke dashur me arsye, ama duke dashur vërtet, mund të arrijmë në këtë dashuri”.

Dashuria e Zotit nuk është telenovelë
Ja përse, nguli këmbë Ati i Shenjtë, duhet ta duam njëri-tjetrin, sepse dashuria vjen prej Zotit e ne jemi bijtë e Tij të lindur për hir të dashurisë, që Hyji ka për ne:
“Kush do, e njeh Zotin; kush nuk dashuron, nuk e njeh Hyjin, sepse Zoti është dashuri. Por jo dashuri telenovelash. Jo, jo! Dashuri e qëndrueshme, e fortë; dashuri e amshuar, dashuri që dëftohet – fjala e këtyre ditëve, ‘dëftim’ – në Birin e Tij, që erdhi për të na shpëtuar. Dashuri konkrete; dashuri me vepra e jo me fjalë. Për ta njohur Zotin duhet një jetë e tërë, një udhë, rrugë dashurie, njohjeje, dashurie për të afërmin, dashurie edhe për ata që na urrejnë, …dashuri për të gjithë”.

Dashuria e Zotit është si lulja e bajames
Papa Françesku vuri në dukje se jo ne, por Zoti na ka dashur aq, sa të dërgojë Birin e vet si fli për shpërblimin e mëkateve tona. Në Jezusin, mund të shohim dashurinë e Zotit e, duke ndjekur shembullin e Tij, shkallë pas shkalle, arrijmë tek dashuria e Zotit, pra, tek njohja e Zotit dashuri. Duke iu referuar Jeremisë profet, Ati i Shenjtë nënvizoi se Hyji na paraprin, pasi na do, para se ta duam e ta kërkojmë ne. Dashuria e Zotit, përdori Papa një metaforë, është “si lulja e bajames”, që lulëzon e para në pranverë. Kur i afrohemi Zotit përmes veprave të bamirësisë, të lutjes, përmes Fjalës së Hyjit, befasohemi, sepse Hyji është aty i pari e na pret.

Dashuria e Zotit na pret gjithnjë
Ungjilli i sotëm tregon për shumëfishimin e bukëve e të peshqve nga Jezusi, i cili pati mëshirë për njerëzit, që kishin shkuar ta dëgjonin. Ishin, tha Papa, njerëz të çorientuar, si shumë që mund t’i gjejmë edhe në qytetet tona, së bashku me dishepujt e nervozuar, kur u kërkon t’u japin njerëzve të hanë. Kanë nevojë për orientim, sepse nuk kuptojnë gjithçka me anë të arsyetimit, por Zoti u paraprin:
“Kështu është dashuria e Zotit: gjithnjë na pret, gjithnjë na befason. Është Ati ynë, që na do shumë e është gjithnjë gati të na falë. Gjithmonë! Jo një herë, por 70 herë 7. Gjithmonë! Si një baba plot dashuri… E për ta njohur këtë Zot, që është dashuri, duhet të ngjitemi në shkallën e dashurisë për të afërmin, për veprat e bamirësisë, për veprat e mëshirës, të cilat Hyji na i ka mësuar. Në këto ditë, kur Kisha na bën të mendojmë për dëftimin e Zotit, Hyji na dhashtë hirin që ta njohim përmes rrugës së dashurisë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.