Papa Françesku kujton viktimat e masakrës së Parisit në Meshë
Papa Françesku kremtoi sot në mëngjes, në Shtëpinë e Shën Martës ne Vatikan,
Meshën e tij të parë të këtij viti, të cilën ia kushtoi viktimave të sulmit
terrorist në selinë e gazetës “Charlie Hebdo” në Paris. Dje, dënoi ashpër “atentatin
e neveritshëm”, siç e quajti, dhe bëri thirrje të ndalet përhapja e urrejtjes. Sot,
në faqen e tij në Twitter, u kërkon të gjithë besimtarëve lutje në hashtagun “#PrayersForParis”.
Kaq shumë
mizori Fjalët e para të Papës, në homelinë e meshës, qenë: “Atentati
i djeshëm në Paris na bën të mendojmë për këtë mizori, për kaq shumë mizori njerëzore;
për terrorizmin, si terrorizmin e izoluar, ashtu edhe terrorizmin e shtetit. Për sa
mizori është i aftë njeriu! Të lutemi, në këtë meshë, për viktimat e kësaj mizorie.
Të shumta! E t’i kërkojmë Zotit t’ua ndryshojë zemrat mizorëve”.
Atentat
i tmerrshëm Që dje, Ati i Shenjtë e pati dënuar me vendosmëri atentatin e tmerrshëm,
që mbolli “vdekje, duke lebetitur krejt shoqërinë franceze, duke trazuar thellësisht
të gjithë njerëzit që e duan paqen, edhe përtej kufijve të Francës”.
Ta
ndalim përhapjen e dhunës Papa Françesku, tha dje drejtori i Sallës së Shtypit
të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, “merr pjesë në lutjen e në vuajtjen e të plagosurve
dhe të familjeve të të vrarëve, si edhe u bën thirrje të gjithëve ta kundërshtojnë
me çdo mjet përhapjen e urrjetjes e të çdo forme të dhunës, fizike e morale, që e
shkatërron jetën njerëzore, e dhunon dinjitetin e njerëzve, e minon thellësisht bashkëjetesën
paqësore ndërmjet njerëzve dhe popujve, që është e mirë themelore, pavarësisht nga
ndryshimet mes kombësive, feve e kulturave. Cilido qoftë motivacioni, dhuna vrasëse
është e neveritshme, nuk mund të justifikohet kurrë. Jeta dhe dinjiteti i të gjithëve
duhen garantuar e mbrojtur me vendosmëri, çdo nxitje për urrejtje duhet refuzuar e
duhet kultivuar respekti për tjetrin”.
Të zhduken shkaqet e urrejtjes “Papa
– theksoi atë Lombardi – shpreh afërsinë e tij, solidaritetin e tij shpirtëror e përkrahjen
e tij për të gjithë ata, që, sipas përgjegjësive të tyre të ndryshme, vazhdojnë të
angazhohen vazhdimisht për paqen, drejtësinë dhe të drejtën, për të shëruar në thellësi
[plagët], që janë burim e shkak i urrejtjes, në këtë çast të dhimbshëm e dramatik,
në Francë e në çdo anë të botës, ku ka tension e dhunë”.