2015-01-07 18:00:33

Papa Françesku kthehet në Azi, me shtegtimin në Sri Lanka e Filipine


Do të jetë shtegtimi i shtatë apostolik i Papës Françesku, i dyti në Azi, pas atij të verës në Republikën e Koresë: do ta çojë në Sri Lanka e në Filipine, nga 12 deri më 19 janarin e ardhshëm. Sot paradite, në Sallën e Shtypit të Selisë Apostolike, zëdhënësi vatikanas, atë Federiko Lombardi, shtjelloi programin e shtegtimit.00:05:04:20

Një shembull i ri i vëmendjes së Papës për Azinë. Ky është kuptimi i shtegtimit të Papës në Sri Lanka e Filipine, mbi gjurmët e paraardhësve, Palit VI e Gjon Palit II, të cilët, gjithashtu, i vizituan të dy vendet: Papa Montini më 1970 e Papa Wojtyla, më 1981 në Filipine e më 1995, edhe një herë në Filipine e në Sri Lanka. Për rastin e pranisë së re të Papës në këto zona, atë Lombardi shpjegon:
“Përsa u përket Filipineve, e dimë se ngulën këmbë edhe ipeshkvijtë për ta pasur Papën mes tyre, si shenjë ngushëllimi pas rrënimit të pakufishëm shkaktuar nga tufani, një vit më parë, që shkaktoi dëme të pallogaritshme. Flitet për shtatë-tetë mijë të vdekur, 15 milionë vetë të shkatërruar ekonomikisht nga dëmet e tufanit, që rrënoi më se pesëqind mijë shtëpi e që konsiderohet si më shkatrrimtari në histori, që mbahet mend nga njerëzit. E gjithë kjo i nxiti ipeshkvijtë të kërkojnë praninë e Papës, si shenjë ngushëllimi e dhimbsurie për një popull të vënë në provë të rëndë.
Përsa i përket Sri Lankës, këtë shtegtim e deshi vetë Papa, për të shenjtëruar atë Vaz e për të dhënë kontributin e vet në paqëtimin e vendit. Janë, pra, një sërë arsyesh, të cilat e shtynë Papën. Arsye që, duke iu shtuar vëmendjes të veçantë të Atit të Shenjtë për Azinë, ishin më se të mjaftueshme për ta vënë për udhë.
Papa, që do t’i mbajë fjalimet në gjuhën angleze, do të kalojë në Sri Lankë dy ditë të tëra, 13 e 14 janar. Pak pas zgjedhjeve presidenciale, parashikuar për nesër. Atë Lombardi saktësoi se vizita nuk do të bëhet në një periudhë fushate elektorale. Ndër çastet më të rëndësishme, është ai i së martes, takimi ndërfetar në Kolombo, në një vend ku 70% e popullsisë është budiste, 12-13% hinduiste, 10% islamike e 7% e krishterë, kryesisht katolike. Pastaj, të mërkurën, Mesha për kanonizimin e Giuseppe Vaz, rregulltar oratorian, që jetoi ndërmjet shekullit 17-të e 18-të e që nisi një veprimtari të rëndësishme ungjillëzimi në Sri Lanka. Atë Vaz u lumnua pikërisht njëzet vjet më parë, nga Gjon Pali II. Më pas, lutja mariane në Shenjtëroren e Zojës Rruzare të Madhu, më e frekuentuara në veri të vendit, me shumicë tamil.
Me këtë rast, Papa do të prekë një aspekt tjetër të situatës në Sri Lankën e sotme, atë të pajtimit, pas periudhës së gjatë e të tmerrshme të konfliktit të brendshëm, kryesisht ndërmjet cingalezëve e tamilëve. Periudhë konflikti, kjo, që zgjati 30 vjet - tejet e gjatë, pra, e edhe tejet gjakatare – e përfundoi rreth vitit 2009.
Më 15 janar, pas një vizite në Kapelën e Zojës së Sri Lankës (Our Lady of Lanka) në Bolawalana, nisja për Filipine, që përgatiten për 500-vjetorin e ungjillëzimit, më 2021. Të premten, më 16 janar, ndërmjet takimeve të parashikuara, me rëndësi, ai me familjet, realiteti më i rëndësishëm në Filipine, vendi më i madh aziatik me shumicë katolike.
Këtu duhet pasur parasysh edhe rëndësia e vlerave familjare në kulturën filipinase, rëndësi themelore, tejet e ndjerë.
Më pas, vizita në zonat e dëmtuara nga tufani Haiyan, që këtu u quajt “Yolanda”. Në Takloban, të shtunën, Françesku do të kremtojë Meshën Shenjte; në Palo do të drekojë me disa njerëz, që shpëtuan gjallë e do të bekojë “Qendrën Papa Françesku” (Pope Francis Center), për të varfrit, ndërtuar me kontributin e “Cor Unum”. Prandaj, në grupin që e shoqëron Papën, do të jetë i pranishëm kardinali Robert Sarah, prefekt i Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Displinën e Sakramenteve që, në kohën e atij rrënimi të madh, udhëhiqte Këshillin Papnor.
Lidhur me pasojat shkatërrimtare të ndryshimeve klimaterike, e duke iu përgjigjur gazetarëve, që donin të dinin datën e Enciklikës së Papës për temat ambientale, atë Lombardi shpjegoi:
“Përsa i përket Enciklikës së Papës, mund të them vetëm gjëra, që dihen, domethënë, se është në fazën e përgatitjes. Nuk del shpejt. Lajmet që thoshin se mund ta presim aty nga fundi i janarit, ose në shkurt, nuk janë të besueshme. Duhet akoma kohë, sigurisht. E kam thënë gjithnjë: mendoj se do të dalë para verës.Të diel, më 18 janar, në kryeqytetin filipinas do të mbahet takimi me liderët fetarë vendas, me të rinjtë dhe Mesha e ditës së “Santo Niño”. Të hënën, më 19, pasdite, Papa do të kthehet në Vatikan, pasi avioni papnor do të fluturojë mbi disa vende, ndërmjet të cilave, Kina!







All the contents on this site are copyrighted ©.