2015-01-07 14:05:58

Masakër në selinë e një gazete satirike në Paris


Franca shtrëngon radhët rreth së përjavshmes satirike “Charlie Hebdo”, sulmuar sot nga një grup terrorist i armatosur me kallashnikov, që me thirrjet “Do të hakmerremi për profetin”, shkaktoi 12 viktima në selinë e gazetës në Paris. Së paku 30 të shtëna, që u dëgjuan në bulevardin Richard-Lenoir, vranë dhjetë gazetarë e dy policë. Autorët e masakrës u larguan me një makinë të vjedhur. Ky është atentati më i përgjakshëm në Francë, pas vitit 1961, në kohën e luftës në Algjeri. Një bombë në trenin Strasburg-Paris, pati shkaktuar 28 të vdekur.
Në nëntor 2011, pas polemikave për karikaturat e Muhametit, një bombë pati shpërthyer në selinë e gazetës, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Kohët e fundit, “Charlie Hebdo” publikoi një karikaturë të kreut të të vetëquajturit Shtet Islamik, Al Baghdadi. Gjithashtu, në numrin e kësaj jave, gazeta publikon një artikull kushtuar romanit “Nënshtrimi” të shkrimtarit Michel Houellebecq. Në të, autori imagjinon një Francë të qeverisur nga një president mysliman, që synon islamizimin e Evropës dhe hyrjen e Turqisë e të vendeve të ndryshme të Afrikës Veriore në Bashkimin Evropian.
Natyrisht, atentati u dënua nga e gjithë bota, njerëz të thjeshtë, politikanë e organizata ndërkombëtare. Lapidar, komenti i karikaturistit të njohur italian, Giorgio Forattini: “Myslimanët [integralistë], ashtu si komunistët, nuk e durojnë satirën”.







All the contents on this site are copyrighted ©.