2015-01-07 09:52:57

Krishtlindje në Ukrainë: Thirrja për paqe e Sviatoslav Shevchuk


Siç e kujtoi edhe Papa Françesku dje në Vatikan, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Kishat ortodokse e katolike lindore, që ndjekin kalendarin julian, e kremtuan sot Krishtlindjen. Ndërmjet tyre, edhe Kisha greko-katolike e Ukrainës, kreu i së cilës është kryeipeshkvi i madh i Kievit, Sviatoslav Shevchuk i cili, në atmosferën e këtij solemniteti, bën thirrje për paqe. Ta dëgjojmë në mirkofonin e Radio Vatikanit:RealAudioMP3

Përgjigje: - Sivjet po e kremtojmë këtë festë në luftë. Është hera e parë, pas Luftës II Botërore, që këto rrethana ndikojnë fuqimisht mbi jetën tonë e, prej këndej, edhe mbi festën. Por Krishtlindja është dritë e madhe për ne, sepse Zoti na dëshmon solidaritetin e tij hyjnor. E ne ndjehemi vërtet të lehtësuar shpirtërisht: nuk jemi të vetëm, përballë vështirësive. Dashuria e Krishtit Fëmijë mund të fitojë mbi dhunën e mbi luftën, që na e mbush me pikëllim deri një çast të tillë, kaq solemn.

Pyetje: - Urimi i solemnitetit për bashkësinë tuaj?

Përgjigje: - Urimi kryesor është ai i paqes. Toka e Ukrainës bërtet me sa zë që ka këtë fjalë: “O Zot, na e jep paqen Tënde!”. E ne u urojmë gjithë të krishterëve të botës, posaçërisht këtu, në Ukrainë, që kjo paqe hyjnore, të cilën po na e jep Zoti me lindjen e Tij, të mund ta shndërrojë ardhmërinë tonë e të na japë shpresë.

Pyetje: - Ukraina kremton Krishtlindjen, pra. Mendoni se kjo festë mund t’i japë njerëzve forcë për të ecur përpara?

Përgjigje: - Tani në Ukrainë është festa e Lindjes së Krishtit, festë e vëllazërisë: të gjithë së bashku po i përballojmë këto vështirësi. Mund të dëshmoj se e ndjejmë mbështetjen vëllazërore të gjithë të krishterëve të konfesioneve të ndryshme në Ukrainë. Ka një farë “ekumenizmi praktik”, posaçërisht kur është fjala për t’u dhënë përgjigje të krishterë sfidave të luftës, të dhunës, urisë e së ftohtës, që nuk mungon në këtë dimër ukrainas. Ne jemi të krishterë, e jemi bashkë, jo vetëm ndërmjet nesh, por kryesisht, bashkë me Zotin: e kjo është shpresa jonë.

Pyetje: - Ju folët për një çast të vështirë në Ukrainë. Me ç’ sy e shikoni, si Kishë, punën e diplomacisë, për t’i dhënë fund krizës në vend?

Përgjigje: - Mbi të gjitha, ne po i shoqërojmë këto përpjekje të diplomacisë ndërkombëtare, me lutje. E dimë se alternativa e zgjidhjes së krizës me armë, është ajo e diplomacisë. Po vuajmë një agresion nga jashtë, kundër tërësisë tokësore të vendit tonë. Natyrisht diplomacia duhet t’i mbrojë ata, që janë më të ligshtë. Zoti i ndihmoftë diplomatët tanë e politikanët në nivel botëror që jo vetëm të propozojnë rrugëzgjidhje, por edhe t’i shpëtojnë këto rregulla të paqes ndërkombëtare. Kjo është lutja jonë, e ky, urimi!







All the contents on this site are copyrighted ©.