2015-01-06 15:53:04

Papa në Engjëllin e Tënzot: edhe të largëtit ndjekin dashurinë e Hyjit


Pas Meshës, Papa u duk në dritaren e Pallatit Apostolik për lutjen e Engjëllit të Tënzot me shtegtarët e shumtë, më se 50 mijë, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit. Festa e Dëftimit të Zotit, pohoi me forcë Françesku, na kujton se Jezusi erdhi mbi tokë për t’i shpëtuar gjithë njerëzit. RealAudioMP3

Dëftimi i Zotit hap para syve tanë horizontet e botës e na kujton se Zot dëshiron ta shpëtojë mbarë njerëzimin. Hyji, pohoi Papa, nuk e ruan dashurinë e tij vetëm për disa njerëz, të zgjedhur, por ua dhuron të gjithëve. Ashtu si është për të gjithë Krijues e Atë, kështu dëshiron të jetë edhe Shëlbues:
“Prandaj jemi të thirrur të kemi gjithnjë besim e shpresë të madhe për çdo njeri, të besojmë se të gjithë mund të shëlbohen: edhe ata, që duken larg Zotit, Ai i Lumi i ndjek me dashuri të apasionuar, me dashurinë e tij besnike, e edhe të përvuajtur”.
Ai i Mbretërve Dijetarë, vijoi Papa, është shtegtim shpirti, udhë drejt takimit me Krishtin. Ata ua vënë mirë mendjen shenjave, që tregojnë praninë e Zotit, përballojnë pa u lodhur vështirësitë e kërkimit, i pranojnë me guxim pasojat, që rrjedhin nga takimi me Zotin. Kjo është jeta, shtoi jashtë tekstit, jeta e krishterë është udhëtim, por duke qenë të vëmendshëm, të palodhshëm, të guximshëm. Përvoja e Mbretërve Dijetarë na kujtion udhën e çdo njeriu drejt Krishtit. Ashtu si për Mbretërit Dijetarë, edhe për ne, të kërkosh Zotin, do të thotë të ecësh me sy të ngulur në qiell, duke ndjekur shenjën e dukshme të yllit, të Zotit të padukshëm, që i flet zemrës sonë. Ylli, që mund t’i prijë çdo njeriu kah Jezusi, është Fjala e Hyjit”. Ajo, shtoi Papa, është dritë, që orienton udhën tonë, ushqen e përtërin fenë tonë. Është Fjala e Zotit, ajo që i rinon gjithnjë zemrat tona e të bashkësive tona:
Prandaj të mos harrojmë ta lexojmë e ta meditojmë çdo ditë, që të bëhet për secilin si flaka, që kemi në shpirt, për të ndriçuar hapat tanë, e edhe të atyre, që na ecin pranë e që, ndoshta, nuk e kanë aq të lehtë të gjejnë udhën kah Krishti. Gjithnjë me Fjalën e Hyjit. Fjalën e Hyjit, gjithnjë pranë: një Ungjill të vogël, gjithnjë në xhep, në çantë, gjithnjë, për ta lexuar. Mos e harroni këtë: gjithnjë me vete Fjalën e Hyjit!
Mendimi i Papës shkoi, pastaj, tek vëllezërit e motrat e Lindjes së krishterë, katolikë e ortodoksë, shumë nga të cilët e kremtojnë nesër Lindjen e Zotit: ‘Atyre, pohoi, u bëjmë urimet tona më të përzemërta”.
Papa kujtoi se në Solemnitetin e Dëftimit të Zotit, kremtohet edhe Dita Botërore e Fëmijëve Misionarë:
“Është festa e fëmijëve, që e jetojnë me gëzim dhuratën e fesë e luten që drita e Jezusit të arrijë tek të gjithë fëmijët e botës. Inkurajoj, nënvizoi Papa, edukatorët të kultivojnë në zemrën e të vegjëlve frymën misionare. Që të mos jenë fëmijë e të rinj të mbyllur në vetvete por, me zemër të hapur, të shikojnë horizonte të mëdha. Që zemra e tyre të shkojë përpara, drejt horizontit, e të lindin mes tyre dëshmitarë të dhimbsurisë së Hyjit e kumtues të Ungjillit”.










All the contents on this site are copyrighted ©.