2015-01-06 15:53:58

Filipine: procesion i Nazarenit të Zi në shenjë të shtegtimit papnor


“Shpirti i Zotit Jezus, mëshira e dhimbsuria e Kishës”. Frymëzohet nga motoja e shtegtimit apostolik të Papës Françesku në Filipine , tema e zgjedhur për edicionin e 2015-tës të procesionit të Nazarenit të Zi, që kremtohet çdo vit në Filipine, më 9 janar. Në këtë takim priten miliona besimtarë, nga i gjithë vendi, që do ta shoqërojnë këmbëzbathur Shtatoren e Krishtit, kopje e origjinalit, skalitur në dru abanozi. Do të ecin nga Parku Rizal deri tek Bazilika e Quiapo, ku ruhet shtatorja, para së cilës gjunjëzohen njerëz, që kërkojnë e presin mrekulli nga Nazareni, prej shekujsh, i mrekullueshëm.
Tradita nis që në shekullin XVII
Procesioni është ngjarja fetare më e rëndësishme e kombit të vetëm me shumicë katolike në Azi. Devocioni për shtatoren, që paraqet Jezusin thyer më dysh nën peshën e Kryqit, me madhësi natyrore, vjen në ditët tona nga shekulli XVII, kur Filipinet ishin nën sundimin e Spanjës. E solli në Manilë një meshtar agostinian spanjoll, në vitin 1607, me një anije që vinte nga Meksika. Sipas traditës, gjatë lundrimit anija mori flakë, por shtatorja e Krishtit shpëtoi mrekullisht. Flaka nuk e preku, vetëm i dha ngjyrë të zezë. Pavarësisht nga dëmi, popullsia e Manilës vendosi ta ruajë e ta nderojë shtatoren, që u rrethua menjëherë nga devocioni i besimtarëve. Selia e Shenjtë e mbështeti këtë devocion e, më 1650, nën papninë e Inoçencit X, themeloi kanonikisht Confradia de Jesus Nazareno. Edhe Piu VII, në shekullin XIX, deshi ta nderojë Nazarenin e Zi, duke i dhënë ndjesën e plotë të gjithë atyre, që i luten me devocion.
Simbol i devocionit filipinas
Në rrjedhë shekujsh fryma mrekullibërëse, që e rrethon shtatoren e Krishtit, e bëri një nga simbolet më të njohura të popullit filipinas. Në procesionin e vitit të kaluar, në Manila, morën pjesë 10 milionë vetë, një më shumë se vitin e mëparshëm. Sivjet ipeshkvijtë i dhuruan një kopje të shtatores të krishterëve të Mindanaos, tepër larg për të marrë pjesë në procesionin e Quiapo.
Edhe kjo ngjarje lidhet me përgatitjet për vizitën e Papës në Filipine, më 15 deri më 19 janar. Posaçërisht më 16 janar, Papa Françesku do të kremtojë Meshën Shenjte me ipeshkvijtë, priftërinjtë, rregulltarët e rregulltaret, në Katedralen e Zojës së Papërlyer, në Manilë.







All the contents on this site are copyrighted ©.