2015-01-05 16:56:49

Liturgjia e Fjalës e festës së Pagëzimit të Zotit!


Liturgjia e Fjalës e Solemnitetit të Pagëzimit të Zotit: 'Gjithë të pagëzuarit janë të thirrur të ecin në rrugën e shenjtërisë’ .
Dëgjues të nderuar, ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit. Kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë Hyjnore të dielës, që këtë radhë bie në përkim me solemnitetin e Pagëzimit të Jezu Krishtit në lumin Jordan. Këto ditë jemi kthyer në Betlehem sepse ndjenim nevojën për të shikuar, vështruar e dëgjuar edhe një herë mësimin e Krishtit: mësimin e Tij të parë të madh.
E vërtetë është gjë e bukur të bëjmë edhe një herë drejt Betlehemit udhën e fesë e të besimit, e kështu me siguri do ta rrisim atë dritë që na ka mbetur në sy e në zemër nga ngjarja e madhe e Mishërimit të Hyjit.
E dimë që koha ecën me të shpejt, fluturon e ne nuk mund të heqim dorë nga detyra e shqyrtimit dhe kundrimit të tërë jetës së Jezu Krishtit në dritën e Shkrimeve të Shenjte biblike. E kështu, Ungjilli i këtij solemniteti na sjell përgjatë lumit Jordan e na paraqet Gjon Pagëzuesin, tashmë të rritur, i cili pagëzon, pret e përgatitet dhe përgatit zemrën e njerëzve për takimin aq të pritur me Krishtin, Qengjin e Hyjit.
Gjon Pagëzuesi, sikur rrëfen tregimi ungjillor, pa frikë, paralajmëron të gjithë njerëzit se Zoti është afër: “Po vjen pas meje, një më i fortë se unë” (Mk 1,7).
Këto fjalë i thotë edhe për ne për të na mbushur më gëzim e për të na përkujtuar se kuptimi i gjithçkaje është pikërisht këtu: Zoti vjen! Pra jeta është pritje e Zotit. Këndej të jetosh do të thotë të presësh Zotin. Të vdesësh do të thotë të mos presish më Zotin. Gjoni Pgëzuesi shton: “Unë nuk jam i denjë të përkulëm as për t’ia zgjidh lidhëzat e këpucëve të tija” (Mk 1,7).
Në kohën e Jezusit, të zgjidhësh të mbathurat ishte detyrë e skllavit!. Gjoni e ndjen kaq fortë distancën midis nesh e Zotit, e nuk gjen tjetër figurë apo imazh për të treguar habinë, mrekullimin e vet dhe tërë gëzimin e vet para Zotit që bëhet i afërt.
Po të mund t’i përjetonim edhe ne ndjenjat e Gjonit Pagëzues. Po të mund të provonim edhe ne mrekullimin e gëzimin para asaj që shohim e para asaj që dëgjojmë në këtë moment! Sikur të mund të ndjenim tërë madhështinë e të qenurit të krishterë e të takimit të Zotit, në saje të mëshirës së tij falas që ka ndaj nesh. Feja ka nevojë për madhështi, për mrekulli, sepse feja është dhuratë. Po madhështia e mrekulli lind nga përvujtëria e përvujtëria përherë është parakusht në të cilin njeriu mund të takojë Zotin në Jezu Krishtin.
Përmes Pagëzimit në Lumin Jordan, Jezusi tregohet solidar me ne, me mundimin tonë për t’u kthyer në udhën e Hyjit, në përpjekjen tonë për të hequr dorë nga egoizmat tanë, për t’u shkëputur prej mëkateve tona, për të na thënë se nëse ne e pranojmë në jetën tonë, Ai na ndihmon të çohemi nga rëniet tona e të ngrihemi në lartësitë e Hyjit Atë. E ky solidaritet i Jezusit nuk është ushtrim i thjeshtë i mendjes e vullnetit. Jezusi është zhytur realisht në kushtet tona njerëzore, i ka jetuar e përjetuar deri në fund të fundit, të gjitha, përveç mëkatit, dhe është në gjendje ta kuptojë dobësinë e brishtësinë tonë.
Për këtë Ai, Jezusi shkon drejt njerëzimit plot mirëkuptim, zgjedh të ‘vuaj bashkë me’ njerëzit, të bëhet pendestar së bashku ta. Kjo është vepra e Hyjit të cilën Jezusi don ta kryejë: misioni hyjnor për t’u përkujdesur për atë njeri që është i plagosur, që është i lënduar e për të mjekuar atë njeri që sëmuret, për të marrë mbi vete mëkatin e botës.
Vërtetë Pagëzimi i Jezusit është një ngjarje e veçantë, të cilën, Liturgjia na paraqet pas festës së Epifanisë. Në Pagëzimin e Tij në lumin Jordan, Jezusi e përuron jetën publike, e nis misionin e shpëtimit për mbarë njerëzimin. E tani ju ftojmë ti përcjellim leximet biblike të solemnitetit të Pagëzimit të Krishtit e pastaj komentin..
Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë Is 55, 1-11
Profeti Isaia na fton të shuajmë etjen, pra të marrim pjesë në të mirat e Besëlidhjes së Re nëpërmjet fjalës së Hyjit. Na thërret t’i afrohemi Zotit me besim, sepse Ai është i gatshëm të na pranojë dhe të na mbushë me të mirat e tij. Duhet të jemi absolutisht të sigurtë që fjala e tij është e vërtetë dhe kryen gjithmonë atë për të cilën është dërguar.

Lexim prej Librit të Isaisë profet
Kështu thotë Zoti: “O ju të gjithë që jeni të etshëm, ejani tek ujët, le të vijnë edhe ata që s’kanë para! Bleni drithë e hani; ejani e bleni pa para e pa pagesë verë e qumësht! Pse t’i shpenzoni paratë në atë që s’është bukë dhe mëditjen tuaj në gjëra që nuk ngijnë? Nëse më dëgjoni mua do të hani ç’ka është e mirë, e do të shijoni ushqime të shijshme! Ma vëni veshin e ejani tek unë, më dëgjoni e shpirti juaj do të jetojë! Me ju do të lidh Besëlidhje të përhershme, po, do t’i ruaj të mirat e Davidit. Ja, atë e bëra dëshmitar për fise, prijës e urdhërues për paganë. Ja, do të thërrasësh një popull që s’e njihje, te ti do të vrapojnë popuj që s’të njihnin, për shkak të Zotit, Hyjit tënd, të Shenjtit të Izraelit që ty të madhëroi! Kërkojeni Zotin derisa mund të gjendet, thirreni në ndihmë deri sa është afër! Le ta lërë i patenzoni udhën e vet, njeriu i keq synimet e veta, le të kthehet te Zoti e ai do të ketë mëshirë për të, tek Hyji ynë që është bujar në falje. Sepse mendimet tuaja, nuk janë mendimet e mia, as udhët tuaja nuk janë udhët e mia-thotë Zoti. Sepse, sikurse qielli që është i lartë në krahasim me tokën: po ashtu edhe udhët e miajanë të larta në krahasim me udhët tuaja dhe mendimet e mia në krahasim me mendimet tuaja! Dhe sikurse zbret shiu e bora nga qielli e atje nuk kthehet, por e ujit tokën, e zbrun dhe i jep fuqi të blerojë, i jep bujkut farën dhe bukën për ushqim, kështu edhe fjala ime që del prej gojës sime, s’do të kthehet tek unë pa fryt, pa pasë kryer gjithçka më pëlqen dhe pa pasë zbatuar atë për çka e nisa. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin! Lavdi i qoftë emrit tënd, o Zot!

Psalmi Isaia 12,2.4-6

Qe, Hyji Shëlbuesi im,
Kam besim e nuk kam frikë,
Sepse fuqia ime e mburrja ime është Zoti,
Ai është shpëtimi im.

Falenderojeni Zotin, thirreni Emrin e tij,
Shpallni ndër popuj veprat e tija,
Kumtojeni madhërinë e Emrit të tij

Këndoni Zotit, sepse krijoi mrekulli,
Le ta marrë vesh bota mbarë!
Brohoritni e këndoni lavde,
ju banorët e Sionit,
sepse i madhërishëm është në mesin tuaj
Shenjti i Izraelit!

Leximi i dytë 1 Gjn 5,1-9
Ungjilltari Gjoni i bën dëshmi Fjalës së Jetës, domethënë Jezu Krishtit, i cili nga amshimi jeton afër Atit dhe në plotësinë e kohëve ka zbritur mbi tokë që njerëzit të mund të braktisnin errësirat dhe të ecnin në dritë. Gjoni na kujton se Krishti i ka dhënë trefish dëshminë Atit të tij: në ujin e Pagëzimit, në gjakun e kryqit dhe në shpirtin e Rrëshajave.

Lexim prej Letrës së parë të shën Gjonit apostull
Fort të dashur, kushdo beson se Jezusi është Mesia, është i lindur prej Hyjit. Kush do prindin, do dhe të lindurin prej tij. Me këtë gjë e dimë se i duam fëmijët e Hyjit: nëse e duam Hyjin dhe i mbajmë urdhërimet e tija. Dashuria ndaj Hyjit është kjo: që ne t’i zbatojmë urdhërimet e Hyjit. Urdhërimet e tija nuk janë të rënda. Sepse, gjithçka lind prej Hyjit ngadhënjen mbi botën. Dhe kjo është fitorja që emundi botën: feja jonë! Kush është ai që e mund botën në mos qoftë ai që beson se Jezusi është Biri i Hyjit? Ky është ai që erdhi nëpër ujë e nëpër gjak: Jezu Krishti. Jo vetëm me ujë, por me ujë e me gjak. Dëshmitari i kësaj gjëje është Shpirti Shenjt, sepse Shpirti Shenjt është e vërteta. Kështu, tre janë ata që dëshmojnë: Shpirti Shenjt, uji dhe gjaku. Këta të tre bëjnë një dëshmi të vetme. Nëse ne pranojmë dëshminë e njerëzve, dëshmia e Hyjit është më e madhe. E dëshmia e Hyjit është ajo që i ka dhënë Birit të vet. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Aleluja. Aleluja.
Ja, po vjen një më i fortë se unë, thotë Gjoni; Ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt e me zjarr.
Aleluja.

Ungjilli Mk 1, 7-11

Gjon Pagëzuesi pagëzon në ujrat e Jordanit ata që dëshirojnë dhe mes tyre paraqitet edhe Jezusi, mbi të cilin, ndërsa po pagëzohej, zbret Shpirti Shenjt në formën e pëllumbit. Ati dhe Shpirti Shenjt i shfaqin botës hyjninë e Jezusit që fillon misionin e tij në botë. Pagëzimi i pastrimit nga Gjoni ka arritur plotësinë në pagë-zimin e Jezusit në Jordan nëpërmjet ujit dhe Shpirtit Shenjt.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë Gjoni, në predikimet e veta, thoshte: “Pas meje po vjen një më i fortë se unë. Unë nuk jam i denjë as të ulem para tij për t’ia zgjidhur rripin e sandalëve të tija. Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt.” Në ato ditë erdhi Jezusi prej Nazaretit të Galilesë e Gjoni e pagëzoi në Jordan. Dhe menjëherë, ndërsa po dilte nga uji, pa qiellin e hapur dhe Shpirtin në trajtë pëllumbi që po zbriste mbi të, kurse prej qiellit jehoi zëri: “Ti je im Bir – Djali i dishirit!Ty të miratova!” Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!
Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të festës së Pagëzimit të Jezusit, mund të dëgjoni edhe këtu...........RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.