Festa e Dëftimit të Zotit. Të reflektojmë së bashku me Kishën
Solemniteti i Dëftimit të Zotit. Të reflektojmë së bashku me Kishën Kisha
më 6 janar kremton festën eDëftimit të Zotit, festë që ndër shqiptarët
katolikë njihet si festa e ‘Ujit të Bekuar’. Me këtë kremtim Kisha përkujton
ardhjen e tre Mbretërve Dijetarë në Shpellën e Betlehemit e momentin e adhurimit të
Foshnjës Hyjnore nga ana e tyre. Melkiori, Baltasari e Gaspri u nisën në
kërkim të diçkaje për t’u siguruar se intuita e tyre shkencore qe e drejtë. Sipas
tyre, ngjarja qiellore që vunë re, ylli kometë që ndoqën ishte shenjë lajmesh të mira.
Nuk e dinin Dijetarët se kurioziteti i tyre do t’i çonte para Birit të Zotit, para
Foshnjës Hyjnore. Në Jerusalem njerëzit u shqetësuan: kush janë këta të tre e ku shkojnë?
Herodi u terrorizua: pra profecitë e vjetra që ai vetë i konsideronte përralla po
u realizokan! Mesia do t’i marrë vendin, Zotin e paska konkurrent? Meshtarët e Tempullit
e skribët e dinë vendin ku do të lindë Mesia, por kontrollojnë më kot Shkrimet: nuk
do të dalin nga pallatet për ta verifikuar profecinë. Të mbetur vetëm, Mbretërit
Dijetarë, paganë e pa Zot, ndjekin kometën e mbërrijnë para shën Marisë e Birit të
saj. Kërkonin përgjigje për teoritë e tyre dhe gjejnë Zotin. Festa e Dëftimit të Zotit
është për të gjithë ju që kërkoni Zotin në jetën e përditshme, duke bërë punë të
tjera, në dukje jo aq të rëndësishme, festa e Dëftimit të Zotit është festa juaj,
është festa jonë. Është festa e të gjithë atyre që nëpërmjet artit, shkencës, filozofisë
e jetës së përditshme i bëjnë pyetje vetes e përpiqen të kapërcejnë kufizimet e teorive
e mendimet e ndryshime. Mbretërit Dijetarë njohin në të Foshnjën e sapolindur e të
brishtë Zotin e panjohur për ta, dhe i ofrojnë kem Mbretit, i ofrojnë ar –shenja e
kundërshtive që zbulon zemrat e secilit, dhe i ofrojnë mirrë që përdorej për të vdekurit,
si shenjë e kryqit që ishte në jetën e Jezu Krishtit. Mbeten në hije pallatet
e pushtetit në Jerusalem, ku lajmi mbi lindjen e Mesisë çohet paradoksalisht nga vetë
Mbretërit Dijetarë, dhe sjell jo gëzim, por frikë dhe reagime të urrejtshme. Plan
i mistershëm hyjnor: “drita erdhi në botë, por njerëzit preferuan errësirën ndaj dritës,
sepse veprat e tyre janë të këqija. Mbretërit Dijetarë janë paria e popujve,
të thirrur edhe ata që të bëjnë pjesë në Kishë, janë populli i ri i Zotit, bazuar
tashmë vetëm te besimi i përbashkët në Jezusin, Bir i Zotit. Në festën e Dëftimit
të Zotit edhe njëherë ripohohet rëndësia e të “Dëftuarit të Zotit” Mbretërve Dijetarë,
shenjë e kthimit të popujve paganë në besimin e vërtetë në një Zot të vetëm. Dëftimi
i Krishtit është prandaj në të njëjtën kohë edhe dëftim i Kishës, pra i të shfaqurit
e thirrjes dhe të misionit të saj të universal: dëshmimin e Dashurisë së Krishtit
ndaj çdo njeriu e çdo populli.