2015-01-05 14:03:27

Festa e Dëftimit të Zotit


Solemniteti i Epifanisë – Dëftimi Zotit
Prej shpellës së Betlehemit në botë; prej Izraelit tek të gjithë popujt. Është udha e fesë së krishterë, është rrezatimi i dritës, Jezusi drita e vërtetë që ndriçon çdo njeri; është misteri i fshehur në shekuj e përfundimisht i dëftuar, çka do të thotë që të gjithë popujt "janë të thirrur në Jezu Krishtin, për të marrë pjesë në të njëjtën trashëgimi" që Biri i Hyjit e ka merituar me gjakun e tij.
Është mbi këtë besim të përbotshëm (universal) që duhet të ritmohet edhe jeta jonë, nëse duam ta përjetojmë gëzimin që lind nga feja në Jezusin.
Krishti për ne bëhet Fjalë e Bukë në mënyrë që edhe ne duke u bërë fjalë e bukë për vëllezërit tanë, mund të ja dëftojmë Jezusin të gjithë njerëzve. Kisha me këtë festë kremton dëftimin e Zotit që u bë i dukshëm dhe i prekshëm "në plotësimin e kohërave". Dëftimi apo shfaqja ndodhi mes dritash e errësirës.
Errësira dhe kohërat.
Izaia, shtatë shekuj para Krishtit, nguli vështrimin (sytë) prej shqiponje drejt të ardhmes, dhe pa tokën e zhytur në errësirë: "ja, errësira e mbulon tokën, mjegulla e ngulm i pështjellë kombet" (Iz 60,2)… Bebëzat e syve të tij fokalizohen mbi vitet e lindjes së Mesisë, që Pali apostull e quan "plotësi" e kohërave: "Vëllezër, kur erdhi plotësimi i kohës, Hyji e dërgoi Birin e vet, të lindur prej gruaje…" (Gal 4,4).
Nga pikëpamja njerëzore, perandoria romane ishte në shkëlqimin më të madh të saj: kurrë më të ardhmen nuk do të lëshonte (jap) dritë po të gjallë kulturore, pushtet politik e ushtarak, bashkim e marrëveshje mes popujsh. Nga pikëpamja fetare, njeriu kishe marrë vendin e Zotit: Virgjili, Oraci, Ovidi e quanin Cezar Augustin Zot. Mirëpo Hyji nuk e shikon pushtetin politik, por mjerimin moral e fetar të njerëzve. Zoti është dritë, e kush rri larg prej drite, pushtohet e zhytet në errësirë.
Sfida e Zotit
Derisa njeriu mundohet të bëhet Zot, Zoti bëhet njeri dhe i fton njerëzit ta adhurojnë. Mirëpo pyesim nëse njeriu, që nuk e adhuron Zotin, a mund ta adhurojë një Njeri-Zot? E megjithëkëtë Virgjili, Oraci e Ovidi patën adhuruar vetëm një njeri, Gjeniun e Augustit! Sfida që bëri Zoti qëndron në nxjerrjen në pah të absurditetit të njeriut që e adhuron shumë më lehtë një njeri – edhe nëse është Cezar – në vend të një Njeriu që është Zot i vërtetë.
Ylli e dielli
Simbolizmi biblik arrijnë kulmin kur një yll i udhëheq Dijetarët drejt atij që është i quajtur "Diell i lindur prej së larti". Ylli simbolizon dritën e zbehët të feve false (rreme), që kanë ruajtur vetëm një rreze të dëftimit primitiv (të kahershëm) të Zotit i cili, në fillim, zbriste për të folur me njerëzit në kopshtin e Edenit. Udhëtimi i Dijetarëve drejt Jezusit – do të thotë udhëtim që çdo fe tjetër duhet ta bëj drejt fesë kristiane, e vetmja fe e vërtetë, sepse në të shkëlqen në plotësi dielli i Zotit të dëftuar në Njeriun-Jezus.
Të "vetët" e të tjerët
Kur Gjoni thotë se Fjala, duke u mishëruar, "erdhi ndër të vetët", i referohet të gjithë njerëzve të krijuar "përmes tij", pasi që, "pa të, asgjë nuk është krijuar prej asaj që është bërë".
Po ne e dimë se, ndër të gjithë popujt, Hyji pati zgjedhur Izraelin porsi "pronësi" të veten. Kur Fjala u mishërua, "të vetët" ishin Hebrenjtë, të cilët nuk e njohën, nuk e pranuan, derisa nuk e dëbuan përjashta qytetit të shenjtë dhe e gozhduan mbi kryq.
Megjithëse, Krishti do t'ia kushtojë tërë jetën e vet tokësore kthimit të popullit të zgjedhur – delet e humbura të shtëpisë së Izraelit – i urdhëroi pastaj apostujve të zgjeroheshin e të ungjillëzonin "të tjerët", paganët. Një risi e pamendueshme e gati e papranueshme nga populli që deri asokohe konsiderohej i "parazgjedhur". Pali e quan "mister të fshehur para breznive të mëparshme" faktin që "paganët “ (gjentilët) janë të thirrur në Jezu Krishtin të marrin pjesë në të njëjtën trashëgimi, se janë të ftuar ta formojnë të njëjtin trup, e të jenë pjesëmarrës premtimeve përmes ungjillit (Ef 3,5s).
E dimë se sa iu deshtë të quante Pjetrit para e pas i dha pagëzimin familjes së centurionit Kornelit! Shën Pali thotë se misteri i tillë – i hapur ndaj paganëve – "është dëftuar në kohën e tashme apostujve të shenjtë e profetëve".
Mirëpo nuk mund të mendohet se Zoti ka ndryshuar planet e veta. Ardhja e dijetarëve nga linda deri te linde e Foshnjës, dëshmon se kthimi i paganëve në krishterim ishte gjithmonë në planet e Zotit.
Madje, leximi i parë i kësaj feste na paralajmëron se që në kohën e tij, Izaia pati parashikuar popuj e mbretër të ecnin në dritën e Zotit, aradhe kameliesh, deve me gunga nga Madianit, nga Efa e Saba vinin duke "bartur ari e kem", shenja të njohjes së Mbretërisë e të Hyjnisë së Krishtit, "duke i dhënë lavde Zotit".
Tre simbolet shqetësuese .
Në festën e Epifanisë, Kisha pra kremton "dëftimin" e Zotit të gjithë njerëzve vullnet mirë, që ai i do. Jezusi nuk është pronë private e disa personave të privilegjuar, por është dhuratë e bërë për të gjithë njerëzit, pa dallim e pa përjashtim.
Me qenë se Zoti ka ardhur në mesin e njerëzve, duhet që, sikur Dijetarët e Lindjes, të gjithë njerëzit të shkojnë tek Ai: "Ejani tek unë, ju të gjithë që jeni të lodhur e të shtypur, e unë do të ripërtërij", na thotë Jezusi.
E që në lashtësi mund të konstatohet se si njerëzit janë munduar ta "ndajnë" e ta "kenë" për vetëm vete Krishtin duke bartur secili një pjesë në shtëpi të vet.
Tri simbolet e arit, kemit e mirrës, të vendosura nga tre Dijetarët e Lindjes tek këmbët e Jezusit Foshnje në shpellën e Betlehemit, pohojnë se ajo Foshnje e vetme është së bashku e njëkohësisht Njeri, Zot, Mbret. Janë simbole të pa ndashme që na ofrojnë çelësin për të lexuar e kuptuan ngjarjen e jashtëzakonshme dhe unike të Betlehemit, ngjarjen e Mishërimit të Zotit, ngjarjen e ardhjes së Zotit në natyrën tonë njerëzore.







All the contents on this site are copyrighted ©.