Askush të mos ketë frikë nga Krishti e nga mesazhi i Tij: kjo është thirrja për
jo të krishterët, që vjen nga festa e sotme e Dëftimit të Zotit. Shfaqja e Krishtit
para Mbretërve Dijetarë përfaqëson edhe Dëftimin e Kishës dhe të misionit të saj universal
para botës. Pra, në solemnitetin e Dëftimit të Zotit kremtojmë dëftimin e Krishtit
para njerëzve, të cilët përfaqësohen nga tre Mbretërit Dijetarë, të ardhur nga Lindja.
Kremtojmë Krishtin, i cili bëhet qëllimi i shtegtimit të popujve në kërkim të shpëtimit.
Liturgjia e Kishës sot vë në dukje se kanë kaluar mbi 20 shekuj që kur një mister
i tillë u zbulua dhe u realizua në Krishtin, por ai akoma nuk është përmbushur krejtësisht,
prandaj misioni i Kishës është akoma në fillimet e veta. Krejt Koncili II i Vatikanit
pati në bazë qëllimin e vetëm për t’i shpallur njerëzimit bashkëkohor Krishtin, dritën
e botës. Në Koncilin e përmendur nga zemra e Kishës, duke filluar nga personalitetet
më të larta të hierarkisë, doli si e domosdoshme, nxitur nga Shpirti i Shenjtë, dëshira
për një dëftim të ri të Krishtit në botë; në një botë, që epoka moderne e kishte shndërruar
thellësisht e, që për herë të parë në histori gjendej para sfidës së një qytetërimi
global, ku qendra nuk mund të ishte më Evropa e as ata që quhen Perëndim apo Veri
i botës. Dilte kështu kërkesa për të gjetur jo vetëm një rend të ri politik dhe
ekonomik, por njëkohësisht edhe shpirtëror e kulturor. Në fillim të mijëvjeçarit të
tretë, gjendemi në thelb të kësaj faze të historisë njerëzore, e tematizuar rreth
fjalës “globalizim”. Një sfidë e vështirë, pikërisht sepse jemi të përfshirë në të:
një rrezik i forcuar shumë nga përhapja e jashtëzakonshme e mas-mediave, të cilat
shpesh në vend që ta përmirësojnë, duket se e dobësojnë aftësinë tonë për të qenë
dritë e krip e epokës ku jetojmë. Pra nga Koncili II i Vatikanit po përmendim mesazhet,
që etërit konciliarë i drejtuan njerëzimit: i pari i drejtohej qeveritarëve, i dyti
njerëzve të shkencës. Këtyre di kategorive, dokumenti “Nostra Aetate” shton edhe kategorinë
e tretë njerëzish. I referohet udhëheqësve shpirtërorë të feve të mëdha jo të krishtera.
Pas 2 mijë vjetësh, mund të njohim në figurat e Mbretërve Dijetarë një lloj paraqitje
simbolike të këtyre tri përmasave, që përbëjnë njerëzimin modern: përmasën politike,
atë shkencore e atë fetare. Festa e Dëftimit të Zotit na i tregon në shtegtim, pra
në një moment kërkimi, që në fund të fundit, ka si pikë mbërritjeje Krishtin. Edhe
Zoti, është në shtegtim drejt njeriut. Jezusi erdhi për t’u takuar me njerëzimin.
Për hir të dashurisë, Ai u bë histori brenda historisë së njerëzimit. Prandaj
Kisha në këtë solemnitet i fton me forcë përfaqësuesit e traditave të mëdha fetare
jo të krishtera të konfrontohen me dritën e Krishtit, i cili nuk erdhi në botë për
të zhdukur, por për të çuar deri në fund, atë që dora e Zotit ka shkruar në historinë
fetare të qytetërimit botëror, sidomos në shpirtrat e mëdhenj, që kanë kontribuar
në përparimin e njerëzimit me diturinë dhe shembullin e tyre të virtytshëm. Krishti
është dritë dhe drita nuk mund të errësojë, por vetëm të ndriçojë, qartësojë, zbulojë.
Prandaj, askush të mos ketë frikë nga Krishti e nga mesazhi i Tij! E nëse në rrjedhën
e historisë, të krishterët, duke qenë njerëz me kufizime e mëkatarë, e kanë tradhtuar
nganjëherë me sjelljet e tyre, kjo vë akoma më shumë në dukje se drita është Krishti
e se Kisha e reflekton këtë dritë vetëm duke mbetur e bashkuar me Të. Na vjen
në ndihmë pikërisht shembulli i Mbretërve Dijetarë. Ata e kishin parë kometën, por
kjo nuk do të kishte mjaftuar, nëse ata nuk do të kishin qenë njerëz të gatshëm t’ia
hapnin zemrën së Vërtetës. Ashtu si Dijetarët, edhe ne jemi të thirrur t’ia hapim
mendjen dhe zemrën Krishtit. E Kisha sot të gjithë njerëzve të kohës sonë u thotë:
mos kini frikë nga drita e Krishtit! Drita e tij është shkëlqimi i së vërtetës. Ndriçohuni
prej tij, o popuj të botës; lini që t’ju mbështjellë me dashurinë e tij e do të gjeni
rrugën e paqes.