2015-01-02 13:57:58

Rreth gjashtë milionë besimtarë në Vatikan për Françeskun


Janë 5. 916. 800 besimtarët që morën pjesë në takimet me Atin e Shenjtë Françesku, në Vatikan, gjatë vitit diellor 2014, sipas të dhënave të botuara më 31 dhjetor 2014, nga Prefektura e Shtëpisë Papnore, pas të dhënave të para, më 17 dhjetor, që kanë të bëjnë vetëm me audiencat e së mërkurës.

Numërohen 1.199.000 bileta për audiencat e përgjithshme (në të cilat marrin pjesë edhe qindra besimtarë e shtegtarë të tjerë, pa biletë); 567.100 besimtarë, pjesëmarrës në audienca të posaçme, 1.110.700, në kremtimet liturgjike, 3.040.00 në lutjet e Engjëllit të Tënzot.
Numri më i madh i besimtarëve u regjistrua në 43 audiencat e vitit të kaluar, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit ose në Sallën e Palit VI: vetëm në prillin e kaluar, 205 mijë besimtarë. Numri më i vogël është ai i muajit korrik, gjatë të cilit u ndërprenë audiencat e përgjithshme si dhe kremtimet mëdha liturgjike. Audiencat e posaçme arritën kulmin në qershor (208.500 prani), ndërsa turma më e madhe në meshët e kremtuara nga Papa, u mblodh në Vatikan prillin e kaluar (730 mijë vetë), gjatë meshëve të shenjtërimit të Gjon Palit II dhe Gjonit XXIII. Të shumtë, besimtarët, në lutjet e Engjëllit të Tënzot gjatë kremtimeve të Krishtlindjes (600 mijë në janarin e vitit 2014, 390 mijë, në dhjetor), ndërsa prania më e paktë, 110 mijë vetë, u regjistrua në shtator.
Për një ballafaqim, numri i pranive ka qenë më i madh vitin e kaluar, viti i parë i papnisë së Papës Françesku: nga marsi 2013 (muaji i zgjedhjes), deri në dhjetor, në Vatikan arritën gjashtë milionë e gjashtëqind mijë besimtarë, për të qenë të pranishëm në një nga takimet me Papën argjentinas (1.584.500 në audiencat e përgjithshme, 87.400 në audiencat e veçanta, 2.282.000 në kremtimet liturgjike, 2. 706 .000 në lutjet e Engjëllit të Tënzot). Gjithnjë mbi bazë të të dhënave të viteve të kaluara nga Prefektura e Shtëpisë Papnore, në Vatikan kanë qenë 2.855.500 besimtarë gjatë vitit të parë të papnisë së Benediktit XVI (prill-dhjetor 2005), 3.222.820 vitin e dytë.







All the contents on this site are copyrighted ©.