2015-01-02 11:19:15

Liturgjia e Fjalës së Zotit, e diela 2-të pas Krishtlindjes.


Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 2-të pas Krishtlindjes. Ta duam jetën, që Zoti të lind në ne!
Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së II pas Krishtlindjes, të ciklit të dytë sipas kalendarit liturgjik të kishës.
Kjo e diel na fton të vazhdojmë ta jetojmë gëzimin e Krishtlindjes. Jezusi, drita e botës, na propozohet të gjithëve si model jete. Urtia e Zotit e ka vendosur banesën e vet në mesin tonë për të ndarë bashkë me ne jetën tonë dhe për t’i ofruar të gjithë njerëzve mundësinë për t’u bërë si Ai. Pra, Liturgjia e Fjalës Hyjnore e kësaj së diele që e zgjat në ne gëzimin dhe hirin e Krishtlindjes, na ofron mundësinë ta thellojmë misterin e Mishërimit të Zotit, do të thotë ta thellojmë kuptimin e ardhjes së Jezu Krishtit Zot në mesin tonë, me një vështrim drejtuar ndaj historisë sonë aktuale e konkrete. Me fjalë tjera, pas Lindjes së Jezusit, vjen koha e krishtlindjes tonë, sepse siç thotë Shën Ambrozi “ Edhe sikur Zoti të kishte lindur një mijë herë në Betlehem, por nuk lind në ty, atëherë ka lindur kot”, e pjesa e Ungjillit të kësaj së diele nga Shën Gjoni pohon:” atyre që e pranuan u dha zotësinë të bëhen bijtë e Zotit” (Gjn 1,1-18).

Pra, leximet biblike që i dëgjojmë në meshën e kësaj së diele, përsërisin e ilustrojnë në mënyra të ndryshme temën themelore: Zoti ka dashur të vendos me ne një marrëdhënie të thellë miqësie e dashurie, Zoti ka ardhur ndër ne për lumturinë tonë, për shpëtimin tonë, por “Zoti i cili na krijuar pa ne, pa bashkëpunimin tonë, Ai nuk na shëlbon pa bashkëpunimin e pa pjesëmarrjen tonë në veprën e Tij Shpëtimprurëse”, thotë Shën Agostini.
Në dashurinë e tij të madhe për botën, për njerëzimin, Hyji Atë vërtetë na ka dhuruar Jezusin, Urtinë i cili “dëshiron të ngul e të lëshoj rrënjë në mes të popullit të vet” që jemi je, sikur pohon leximi i parë i kësaj së diele nga libri i Siracidit (Sir 24,1-4.12-16). E leximi i parë nga libri i Siracidit, e lëvdon Urtinë, figurën e të Birit (Dritën) e të Shpirtit. Urtia na fton ta kërkojmë banesën pranë Zotit.

Secilin prej nesh Zoti e ka pa në një plan të përbashkët kur na ka zgjedhur e dashur që nga krijimi i botës dhe na ka thirrur të formojmë një Familje të vetme në Krishtin, pohon leximi dytë i kësaj së diele, marr nga letra e Shën Palit drejtuar Efesianëve (Ef 1,3-6.15-18). Leximi i dytë na ofron kundrimin e misterit të dashurisë së Zotit.
Plani i Atit Qiellor zbatohet përmes Jezu Krishtit, i cili vjen për të vendosur banesën ndër ne: Ai është i Njëlinduri që vjen e na zbulon dashurinë e Atit: ”nga plotësia e tij të gjithë ne morën, madje, hir mbi hir”, pohon leximi tretë i kësaj së diele nga Ungjilli i Shën Gjonit. (Gjn1,16).
Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë Sir 24, 1-4.12-16
Urtia e Zotit erdhi për të banuar në popullin e zgjedhur
Lexim prej Librit të Siracidit
Urtia lëvdon vetveten, në Hyjin e gjen nderin dhe do të mburret në mes të popullit të vet, në bashkim të Tejetlartit do ta çelë gojën dhe lëvdohet në praninë e tij: lartësohet në mes të popullit të vet, do të çmohet me nderim në mbledhjen e shenjtë, lavdi do të ketë në turmën e të zgjedhurve dhe në mes të bekuarve do të bekohet. Atëherë më urdhëroi Krijuesi i gjithësisë, Ai që më krijoi mua, paqe i dha banesës sime duke më thënë: “Ngule banesën në Jakobin e merre për pronë Izraelin dhe lësho rrënjë në të zgjedhurit e mi”.
Qysh në fillim, para çdo kohe, kam qenë krijuar dhe s’do të mbaroj askurrë! Para tij kam shërbyer në Tendën e shenjtë e kështu kam ngulur banesën në Sion. Kështu më dha pushim në qytetin e dashur dhe pushtetin e kam në Jerusalem. Kështu u rrënjosa në një popull të ndershëm, në pjesën e Zotit, në trashëgimin e tij, dhe banimi im është në mesin e shenjtërve. Fjala e Zotit
Psalmi (147)
Fjala e Zotit u bë njeri e banoi ndër ne
Lavdëroje, Jerusalem, Zotin,
madhëroje, o Sion, Hyjin tënd!
Sepse i forcoi shulat e dyerve të tua,
i bekoi bijtë e tu në ty!
Fjala e Zotit u bë njeri e banoi ndër ne
Ai ua siguron kufijve të tu paqen,
ai të ushqen me palcën e grurit.
Ai e dërgon fjalën e vet mbi tokë,
lajmi i tij vrapon me shpejtësi.
Fjala e Zotit u bë njeri e banoi ndër ne
Ai ia zbulon fjalën e vet Jakobit,
drejtësitë e gjyqet e veta Izraelit.
Nuk bëri kështu me asnjë komb tjetër:
asnjërit nuk ia zbuloi vendimet e veta.
Fjala e Zotit u bë njeri e banoi ndër ne

Leximi i dytë (Ef 1, 3-6.15-18)
Zoti na parashënoi që të jemi bij të tij në shpirt
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve
Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror në qiell në Krishtin. Në të na zgjodhi para krijimit të botës që të jemi të shenjtë e të papërlyer para Tij në dashuri. Ai na parashënoi për vete të jemi bij në shpirt në saje të Jezu Krishtit me pëlqimin e vullnetit të vet për nder të lavdisë së hirit të tij me të cilin na pajisi me anë të Birit të vet të dashur.
Prandaj edhe unë, qysh se dëgjova për fenë tuaj në Jezusin Zot dhe për dashurinë kundrejt të gjithë shenjtërve, nuk pushoj të falënderohem për ju e t’ju kujtoj në urata të mia, që Hyji i Zotit tonë Jezu Krishtit, Ati i lavdisë, t’ju japë Shpirtin e dijes e të zbulesës për ta njohur Atë; t’ju japë syve të zemrës suaj dritë, që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që e jep thirrja e tij, begatinë e pakufishme të trashëgimit të tij ndër shenjtër. Fjala e Zotit!
Aleluja!
Lavdi ty, o Krisht, i predikuar ndër paganë; lavdi ty, o Krisht, i besuar në botë.
Aleluja!

Ungjilli (Gjn 1, 1-18)
Fjala u bë njeri e banoi ndër ne
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte në Hyjin e Fjala ishte Hyj. Kjo ishte në fillim në Hyjin. Prej Saj u bë çdo gjë e pa Të nuk u bë asgjë. E çdo gjë që u bë, e pati në Të jetën e Jeta është drita e njerëzve; e Drita shndriti në errësirë e errësira nuk e pushtoi.
Qe një njeri i dërguar prej Hyjit. Emri i tij ishte Gjon. Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar Dritën, që të gjithë të besojnë nëpër të. Ai nuk ishte Drita, por për të dëshmuar Dritën. Drita e vërtetë që shndrit çdo njeri, erdhi në botë. Ishte në botë e bota u krijua prej Saj, e bota nuk e njohi. Erdhi ndër të vetët, e të tijtë nuk e pranuan. Atyre që e pranuan u dha zotësinë të bëhen bijtë e Hyjit: atyre që besojnë në Emrin e tij. Këta s’i bëri bijtë të Hyjit as gjaku as prirja e mishit as prirja e njeriut, por Hyji. E Fjala u bë njeri e banoi ndër ne. Ne e pamë lavdinë e tij, atë lavdi që prej Atit i përket Birit të vetëm plot hire të vërtetë.
Gjoni e dëshmon Atë. Ai shpall: “Ky është ai, për të cilin thashë: ‘Ai që vjen pas meje, është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje’!” Vërtet, prej plotësisë së tij të gjithë ne morëm, madje, hir mbi hir. Vërtet, Ligji u dha nëpër Moisiun, porse hiri dhe e vërteta erdhën nëpër Jezu Krishtin. Hyjin kurrë askush nuk e pa: Biri i vetëm, që është Hyj, një natyrë me Atin, Ai bëri të njihet. Fjala e Zotit!
Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele të 2-të pas Krishtlindjes, mund të dëgjoni edhe këtu programin tonë radiofonik..RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.